BallinaOP EDDo e hamë përsëri sapunin për djathë?

Do e hamë përsëri sapunin për djathë?

Nga Klodian XHYHERI

Shqipëria e drobitur, leckosur dhe e tretur tashmë edhe në numra, po bëhet gati për të hyrë në zgjedhjet rutinore lokale.

Fushata për zgjedhjet lokale ka hyrë në një fazë të ethshme të saj.
Jo vetëm që është nxehur hekuri, por ai po bëhet gati për t’u rrahur me intensitet në kudhrën politike.

Çdo dy vite, mprehet gjuha dhe fjalori i politikanëve tanë, për t’i mbushur mendjen këtij pak populli që na ka mbetur në këto 28 mijë kilometra katrorë.

Sakaq socialistët në pushtet, pasi kanë sakatuar ekonominë, kanë përzënë (me plot gojën e them këtë) afro 37% të popullsisë së vendit, kanë djegur vajin e kandilit të drejtësisë, kanë vjedhur me garuzhde e lopata tendera, inceneratorë, check up-e, toka e ngastra, kanë helmuar në korrupsion çdo qelizë të administratës, kanë devijuar rolin humanist të shëndetësisë në një rol zhvatës dhe kanë instaluar injorancë në gjithë sistemin arsimor, ata tash bëhen gati të ambalazhojnë rrenën bombastike.

“Si t’ia mbushim mendjen këtij baballëku popull, që ne të qeverisim përsëri serbes, duke vazhduar kusaritë tona pa shqetësim?!

Si t’ua fusim përsëri sapunin për djathë këtyre syleshëve kronikë, që ne të mbretërojmë hajdutçe?!

Çfarë të kurdisim kësaj radhe, që babaxhanët të mbërthejnë prapë parangallin e të grepen në fildispanjën tonë sërisht?!”

Janë këto shqetësimet e esnafëve socialistë, që po përgatisin çyrekun zgjedhor radhasi.

Filloi sapuni të paketohet si djathë e të shitet me shumicë e pakicë në tregjet tona mediatike të uritura për trillime propagandistike.

Trillimet janë të shumëllojta. Ato mund ta na serviren si ca gropa që mbushen copa-copa me rërë bituminoze përzier me zhavorr elektoral. Si ca vende pune me kontrata 3 mujore, pjesore e gjysmë-pjesore, drita që llamburitin sokakëve të kasabasë, por që pas zgjedhjeve kthehen përsëri në përgjumjen e tyre të dyvjeçarit pasardhës. Si uji 24 orë në 24, që ka 26 vjet që premtohet nga të gjithë kandidatët, duke kaluar nga breznia në brezni, nga nipi te stërnipi.

Shkon shumë për shtat fjala e urtë popullore:
“Këta të çojnë në shtatë burime e s’të japin një pikë ujë.”

Triket e zanatit na ofrohen si ca zhbllokime kanalesh sa për sy e faqe, si ca pastrime koshash mbeturinash sa për të thënë i pastruam, si ca thasë me miell e paketa makaronash, që a thua se ia hodhëm varfërisë për 4 vite, si ca rritje qesharake pensionesh plot hile dhe premtime boshe në letër, për projekte e super-projekte me dimensione europiane.

Do dëgjojmë edhe rroga të majme që do të ngrihen në nivele europiane në të ardhmen, por që janë veç lustër kallaje që do bjerë shumë shpejt pas zgjedhjeve.

Do dëgjojmë fjalime brilante e çjerrje patetike zanore, që premtojnë parajsën mbi tokë dhe hallet tona marrin fund në çast. Lule e festa, këngë e valle, ngjyra e tullumbace, janë gati të na ngrenë peshë adrenalinën, që më pas mashtrimet t’i hamë si tullumbat e tiganisur me gjalpë.

Sa më naivë të tregohemi, jo vetëm sapunin do hamë për djathë, por edhe pula e pjekur ka shumë mundësi të fluturojë nga tavolina drejt liqenit.

Sa më shumë të bindemi në votë, aq më keq do jetë e nesërmja jonë dhe e fëmijëve tanë. Indiferentizmi po na vret përditë, pavëmendja jonë çdo dy vjet në këto momente përcaktuese na shton asfiksinë ku jemi futur.

A kemi diçka në dorë? PO! Kemi shumë.

Kemi votën tonë. Ajo është gjëja më me vlerë që ne kemi.

Jepi vlerë votës dhe mos e lësho pa menduar! Mos i harro vjedhjet që të kanë bërë këto vite në qeverisje!

Të jesh i bindur që ata përsëri do shndërrohen në qengja të urtë e në njerëz shpirtmirë me gojën mjaltë.

Mirëpo sapo të të marrin votën, do kthehen në ujqër e çakej, që do të të shqyejnë nga të munden. Do fillojnë nga arroganca dhe paskrupullsia e hajnive me synimin që mos të të lënë as rrobat veshur.

Sepse këtij populli vetëm rrobat e trupit i kanë ngelur, njësoj si në vitin 90′, gjithçka tjetër ia ka gllabëruar sekti rilindas. Shqiptarëve u ngelet ose të reagojnë me votë, ose të marrin rrugët e Evropës përsëri si para 30 vitesh. *Sekretar Politik i Partisë Demokratike Dega Vlorë

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular