BallinaOP EDKujtesa përkundrejt harresës në hapësirën publike të Tiranës

Kujtesa përkundrejt harresës në hapësirën publike të Tiranës

spot_img
spot_img

ENRIKETA PAPA

Çdo 2 prill politikanët e djathtë shqiptarë shpejtojnë të përulen para sakrificës së dëshmorëve të demokracisë, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dh Nazmi Kryeziu. Ata e plotësojnë ritualin e 2 Prillit edhe me deklarata, statuse, përbetime mbi demokracinë, vlerat e së djathtës dhe realizimin e dekomunizmit të shoqërisë shqiptare, si kumte nderimi për viktimat e komunizmit.

Megjithatë, procesi i ballafaqimit me të kaluarën komuniste dhe shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë diktaturës ka qenë një proces tejet i gjatë, edhe për shkak të mungesës së vullnetit, pështjellimit të elitave të vjetra me të rejat, si dhe mungesës së ndjekjes së politikave të suksesshme të drejtësisë tranzicionale. Procesi i dekomunizimit përmban kontraste të forta në realizimin e politikave të kujtesës. Në fillimet e periudhës postkomuniste, të burgosurit politikë janë përdorur si rekuizita përplasjesh të arenës politike. Pavarësisht retorikës së përdorur nga partitë e djathta antikomuniste, legjislacionit të miratuar dhe gjyqeve që u kryen në vitet ‘90-të, Shqipëria bëri pak për t’u marrë me të kaluarën e saj komuniste në një mënyrë kuptimplote.

Vetëm në dy raste, në vitet 1995 dhe 2008-2009, mund të identifikohej një përpjekje e cekët nga Partia Demokratike për t’u ofruar qytetarëve diçka konkrete, në kontekstin e ligjeve të lustracionit. Megjithatë, të dyja përpjekjet ishin qartazi politikisht të motivuara. Shqiptarëve nuk iu dha kurrë llogaria që ata meritonin dhe kërkuan që më 1991. Duket se bashkëpunëtorët dhe autorët përgjegjës për diktaturën komuniste mbetën të paprekur, sipas aksiomës “të gjithë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”. Kjo larje duarsh e ballafaqimit me të kaluarën komuniste është kufizuar vetëm në hartimin e legjislacionit formal mbi dekomunizimin, duke miratuar ligje dhe rezoluta parlamentare.

I tillë ishte dhe ligji “Për simbolet e përkujtimit të viktimave të komunizmit në Shqipëri” (Nr. 10 241/2010), i cili ka mbetur vetëm në letër, pa u realizuar asnjë pikë e parashikuar prej tij mbi ngritjen e një muzeu, obelisk apo monumenti në përkujtim të viktimave të komunizmit në Tiranë. Kësisoj, politika shqiptare e ka përdorur dekomunizimin dhe viktimat e komunizmit si pingpong përplasjesh mes veti, pa u vetëndërgjegjësuar për sensibilitetin e lartë që ballafaqimi me të kaluarën e komunizmit ka për shoqërinë shqiptare. Trajtimi i së kaluarës komuniste u është përshtatur edhe qasjeve politike të trashëguara nga regjimi komunist, ku historia tregohej si një narrativë mes fituesve dhe humbësve.

Kësisoj viktimat e komunizmit vijojnë të bëhen prè e konfrontimit politik. Kjo mendësi komuniste, ku “historia edhe mund të harrohet nga fitimtarët”, bie ndesh me narrativat e përkujtimit në demokraci, ku paqtimi social nuk mund të arrihet pa pranuar të vërtetën dhe pa u ballafaquar me të kaluarën e dhunshme. Ndër arsyet se pse 32 vjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri përballja me të kaluarën komuniste është ende tepër polarizuese, ka të bëjë edhe me dallimet mes palëve kundërshtare politike dhe qëndrimeve të tyre mbi komunizmin. Kjo mendësi mik-armik në qasjet ndaj së kaluarës komuniste, shfaqet edhe në përdorimin e peizazhit urban në varësi të pozicionimit politik dhe vullnetit për ta dekomunizuar apo jo atë.

Rasti më i fundit është ai i hapësirës publike të kryeqytetit, e cila është përdorur nga Partia Socialiste për të mos hequr nga rrugët e Tiranës simbolet e komunizmit, si dhe nga mungesa e vullnetit nga Partia Demokratike për të ngritur në Tiranë një muze o një monument për viktimat e komunizmit, mbrojtëse e të cilëve PD tradicionalisht është vetëquajtur. Kështu, më 4 shkurt 2023, në kryeqytet u dha lajmi që kryebashkiaku Erion Veliaj “u riktheu dinjitetin” rrugëve të Tiranës, duke u shprehur se “Jam shumë krenar për Këshillin Bashkiak që vendosëm të rikthejmë dinjitetin në vend, të zhbëjmë një padrejtësi me emërtesat në Tiranë… mendoj se disa gjëra tashmë janë të rrënjosura në historinë tonë… rikthen këtë padrejtësi të bërë ndaj familjeve, ndaj dëshmorëve, dhe atyre që besojnë te kauza e antifashizmit”. “Sot është një moment gëzimi … Por, ne duhet të ruajmë vigjilencën. Kur vjen ‘cirku në fshat’, dalin të gjithë klounët ta përshëndesin, dhe ku afrohet fushata, del çdo lloj mitomani dhe sharlatani me propozime nga më të ndryshmet…”.

I njëjti këndvështrim historik dhe publik ishte shprehur nga Bashkia Tiranë edhe më 4 shkurt 2021, kur Bashkia Tiranë me Organizatën e Veteranëve kreu homazhe në nder të dëshmorëve të Masakrës së 4 Shkurtit 1944, gjatë të cilave nënkryetari i bashkisë kumtoi lajmin mbi dakordësinë e Bashkisë Tiranë ndaj propozimit të deputetit të PS, Ervin Bushati, për ngritjen e një memoriali, përpos emrit që vetë rruga mban, mbi këtë masakër të kryer ndaj qytetarëve tiranas gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por duket se, më 2023 memoriali u harrua dhe u zëvendësua me copëzimin e rrugës “Ibrahim Rugova”, duke e dyzuar dhe emërtuar zgjatimin e saj me emërtimin e vjetër që nga koha e komunizmit. PS vijon të identifikohet si mbrojtësja e vetme e antifashizmit, Luftës së Dytë Botërore, duke thumbuar PD, që në fakt, edhe kur ka qenë në pushtet ka larë duart, duke miratuar nisma ligjore, të cilat nuk i ka implementuar.

Por këtë 2 prill 2023, kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë Tiranë, Roland Bejko, në profilin e tij në “Facebook”, njoftoi premtimit e parë elektoral, sipas të cilit me votimin e tij si kryebashkiak ai do të ngrejë një muze dhe një monument për viktimat e komunizmit në Tiranë, duke sqaruar dhe kuadrin ligjor, mbi të cilin e mbështet premtimin e tij, por që deri më sot, 13 vjet pas, asnjë nen i tij mbi simbolet nuk ishte realizuar. Madje, edhe data nuk përkujtohet nga instancat shtetërore dhe publike, qoftë nga ato të djathta dje, por dhe nga instancat ato të majta sot. Vetëm shoqatat e ish-të përndjekurve dhe shoqëria civile e përkujton 20 Shkurtin dhe kërkon implementimin e ligjit në të gjithë nenet e tij, dhe mosinstrumentalizimin e simboleve të komunizmit për kauza politike.

Të tria episodet me karakter përkujtimor, si ato të kryebashkiakut Veliaj apo kandidatit Bejko, janë bërë në prag fushate elektorale, dhe përveç qëllimit publik të përkujtimit dhe riemërtimit të një rruge në qendër të Tiranës, ngritjes së një muzeu dhe monumenti për viktimat e komunizmit, u drejtohen grupeve të caktuara shoqërore, të cilat kanë të lidhura me to përkatësitë dhe sensibilitetet politike. Të tria episodet janë të lidhura me kujtesat kontroversale, siç janë ato mbi Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri, antagonizmin politik mes kaheve të majta e të djathta mbi “luftën”, si dhe përballjen me të kaluarën komuniste.

Sot ato lidhen edhe me diskursin e trashëgimisë komuniste dhe procesin e dekomunizmit të peizazhit memorialistik të Shqipërisë postkomuniste. Po ashtu, të tria momentet lidhen edhe me drejtësinë tranzitore, ku një aspekt i rëndësishëm i saj është memorializimi i hapësirës publike, në rolin që simbolet, monumentet, statujat apo muzetë luajnë në shërimin e plagëve që e kaluara totalitariste komuniste ka shkaktuar. Hapësira publike kthehet kështu në një arenë, ku qytetarët mund të shohin se si e kaluara përdoret në diskursin publik dhe shfaqet në simbolet, memorialet dhe muzetë.

Hapësira publike e kryeqytetit është arena më e madhe, ku pushtetarët sot ushtrojnë ato që Gramsci i quan “rapporti di forza”, dhe Faucault hegjemoni, me të cilat kuptohet interpretimi dhe këndvështrimi që grupi dominues social-politik u imponon të tjerëve mbi të kaluarën. Ata që nuk i binden këtij demistrimi apo nuk besojnë në simbolikën e imponuar, e pësojnë duke u lënë në hije, duke u braktisur, duke u rrënuar apo harruar.

Të tria episodet janë edhe qëndrime se si politikanë publikë, njëri kryebashkiaku i Tiranës sot, dhe tjetri konkurrent i tij në zgjedhjet lokale 2023, përzgjedhin t’u drejtohen qytetarëve të qytetit të tyre nga këndvështrimi i kujtesës mbi të shkuarën e dhunshme të komunizmit në Shqipëri. Të tria episodet dhe kauzat që ata përqafojnë tregojnë edhe qëndrimet e tyre ndaj së kaluarës.

*Kryesuese e listës së këshilltarëve të PD-së për Bashkinë e Tiranës

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular