BallinaOP EDKur thërret Atdheu n'këmbë shqiptaria

Kur thërret Atdheu n’këmbë shqiptaria

Nga Azgan Haklaj
Kur thërret Atdheu n’këmbë shqiptaria.
Beteja Legjendare e Koshares simotër e Termopileve dhe Qerbelasë.
Shqipet e bjeshkëve ripërtërinë Epokën e Lavdishme të Gjergj Kastriotit, Epopenë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Zgalemët e lirisë së Kosovës mbështjellë në Flamurin
Kuqezi.
S’jemi varre jemi lisa, balli jonë është rrezja e Diellit.
Nanë mos mbaj zi, theva kufirin Shqipëri -Shqipëri.
Sot kujtojmë me pietet feniksët e lirisë, simbolet e shkuljes së piramidave dhe shembjen së kufijëve mes shqiptarëve.
Dosjer.
Beteja e Koshares e 9- prillit e vitit -1999- të, është një nga betejat më të lavdishme të historisë së kohës së re të shqiptarëve.
Ajo është qendra e gravitetit shqiptar, epiqendra e perimetrit ku historikisht shqiptarët janë ndeshur me armiqtë tanë shekullorë.
Në këtë perimetër të lavdishëm janë përleshur kreshnikët e Jutbinës me krajlitë serbe, Gjergj Elez Alia me bajlozët e detit.
Këtu janë organizuar kryengritjet e para kundër Reformave të Tanzimatit, aksionet e para të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen e trojeve tona etnike nga coptimi, nga traktatet e kongreset e hartuara në kurriz të tyre nga Fuqitë e Mëdha, për të paguar haraçet e Perandorisë Osmane të mundur.
Prej k’tu e nisën turravrapin drejt Lidhjes Shqiptare të Prizërenit Mic Sokoli, Binak Alia, Zmajl Hyseni Sylejman Vokshi, Ali Ibra, Shpend Zeqir Haklaj.
Nga Malësia e Gjakovës fluturoj Tahir Sinani si shqiponjë për Kosovë, Preshevë, Shkup e Tetovë.
K’tu janë zhvilluar luftërat e përgjakshme të viteve 1909- 1910-të në Qafë të Morinës me ushtrinë e Turgut Pashës.
Kosharja shtrihet përballë Shkëlzenit madhështor, qendrës së Shqipërisë Etnike.
Ajo është kurorë e Junikut të lavdishëm, djepit të Kuvendit të 21-25 majit të vitit 1912, ku u mblodhën 250 delegatë nga të gjitha trojet etnike të Kombit Shqiptar dhe hartuan platformën e Kryengritjes së Përgjithshme që u finalizua me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjen e Flamurit Kuqezi të Gjergj Kastriotit nga plaku i urtë i Vlorës Ismail Qemali.
Truri i këtij Kuvendi, Hasan Prishtina, i mbështetur fort nga Bajram Curri dhe Isa Boletini lëshoi proklomatën ”Shpëtim a vdekje”.
Në 100- vjetorin e Kuvendit të Junikut zëri brilant i Shkurte Fejzës evokoi historinë në vargje të poetit Hamit Alia “Mjeshtër i Madh”:
“O Junik me kulla guri,
Prej tek ti u nis Flamuri.
Prej n’Koshare n’Kaçanik,
Thërret Kosova: o Junik”.
Në Malësinë e Gjakovës u mblodh Konferenca e Bujanit dhe u kërkua bashkimi kombëtar, pas Luftës së Dytë Botërore, sipas Paktit të Atlantikut, të drejtës së popujve për vetëvendosje.
Prandaj në Luftën e UÇK-së, Malësia e Gjakovës u ba mbështetja kryesore për të përmbushur ëndrrën e mbetur përgjysmë.
Në Junik ranë heroikisht dragojtë Bedri Shala, Bekim Berisha, Elton Zherka, Permet Vula, me 10 gusht 1998-të.
Këtë vepër sublime na e përcjell me dhimbje e krenari zëri piskamë i kantautorit Ilir Shaqiri:
“Kush vjen nga Tropoja,
Nga po vjen ushtima,
Thonë vjen Bedri Shala,
Thonë vjen Bekim Berisha,
Kullat e Junikut nga një gjamë e l’shojnë
Bedriu dhe Bekimi thonë: k’tu do t’luftojmë”.
Në djepat e Junikut u përkund Edmond Hoxha, i cili ra heroikisht me Zahir Pajazitin dhe Hakif Zejnullahun, më dt 31- Janar 1997-të, në Vushtri, të cilët ishin pushkët e para të lirisë.
Në Odën e Met Shalës në Junik shtrëngoj duart me plakun me plis të bardhë e me mustaqe “Buldozeri i Ballkanit”, Richard Holbrooke.
Djem e vajza nga të gjitha trojet Iliro-Dardano-Arbërore dhe nga Diaspora u rreshtuan në rradhët e UÇK-së dhe qindra prej tyre ranë heroikisht në luftime të përgjakshme me makinerinë ushtarake të satrapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçi.
Ata ju kishin përgjigjur thirrjes së Atdheut me moton: ”Një Komb një qëndrim”:
Jam çlirimtar, jam n’trojet e mia.
Kur thërret Atdheu n’këmbë shqiptaria.
Beteja Homerike e Koshares, më dt 9 -prill të vitit 1999-të është më e përgjakshmja, më e vështira për shkak të terrenit të thyer, pozicionit strategjik të Rrasës së Zogut, 1600 m mbi nivelin e detit, me mbi 1 m borë, dukshmëria e dobët, me forca të pabarabarta, armatim simbolik përballë ushtrisë serbe ku kishte të inkuadruar edhe oficerë rus.
Luftohej në distancë të afërt, dhëmb për dhëmb e trup me trup, për çdo metër e për çdo pëllëmbë tokë.
Operacioni i Brigadës 138-të titullohej “Shigjeta”, hartuar nga djaloshi i Karadakut Agim Ramadani, me nofkën “Katana” dhe Sali Çekaj, me nofkën “Veterani”.
Aktet heroike të kësaj lufte na i përcjell kënga popullore:
“Shqip kur flet gur e lis
E çajnë qiellin përmjedis.
Për Kosovën jap dy jetë.
Vdekjen time e vras vetë.
Kush është trim, kush është djalë,
Zot Atdheut për me i dalë,
Pasha qiell e pasha dhé
Plumba s’kanë sa jemi né”.
Kjo luftë spartane, gjakatare, e dhimbshme por heroike na kujton Betejën e Termopileve, ku Leonidha me 300 spartanë u ndesh me ushtrinë e madhe të persëve të Kserksit, apo Luftën e Qerbelësë të martirëve të lirisë kundër tiranisë të Kalifit Jezid.
300 spartanët ranë në fushëbetejë nga i pari tek i fundit. Ata luftonin, pavarësisht humbjes së armëve, duke përdorur thonjtë dhe dhëmbët në përpjekje për të kafshuar armikun dhe për të shkuar drejt fitores duke u çjerrë. Vrisnin vehten e nuk dorëzoheshin të përballeshin me turpin.
Martirët e Qerbelësë u sakrifikuan për të drejtën hyjnore.
Masakra e Qerbelasë është lufta me e tmerrshme më çnjerëzore në historinë e muslimanizmit.
Edhe gladiatorët e Brigadës 138-të “Agim Ramadani” ngjiteshin Rrasës së Zogut si shqiponja në gurë.
Ashtu si nënat spartane kur përcillnin djemtë për luftë i porositnin: “Kthehu me mburojë ose mbi të”, edhe ajkunat e Kosovës u kërkonin omerëve të tyre të shtrenjtë: “Kthehuni me fitore ose mbështjellë me flamur”.
Trimat e Koshares përseritën Epokën e Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), ripërtërinë Epopenë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Ashtu, si në Albulenë, më 2 shtator të vitit 1457-të, Heroi ynë me ushtrinë e tij shpartalloi 80000 ushtarë të ushtrisë turke edhe UÇK-ja e lavdishme shpartalloi ushtrinë serbe dhe shembi kufirin e shkuli piramidat njëherë e përgjithmonë.
Ata realizuan ëndrrën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pikërisht në prillin e dhimbshëm për të lavdishm të Ushtrisë së saj në Betejën e Shtimes me trupat osmane të Dervish Pashës për çlirimin e Kosovës.
Populli i ka kenduar kësaj Beteje:
“N’Fushë të Kosovës u lidh jezeri, (mjegulla).
Haj medet ka mbet’ shumë njëri.
Mic Sokoli e Zmajl Hyseni”.
Operacioni “Shigjeta” ia doli të shembë kufirin mes shqiptarëve e të hapë korridorin e furnizimit me armatim e mbështetje logjistike. Shembja e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë kishte rendësi juridike në të Drejtën Ndërkombëtare.
Kjo ua bënte të pamundur forcave serbe kontrollin e territorit që ndante Kombin Shqiptar në mes.
Në Koshare u shemb kufiri, që ishte thyer më dt 6 -maj të vitit 1997-të në Vlahen të Hasit në drejtim të Kuzhinit, ditën e Shën Gjergjit, në ditëlindjen e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti (Skënderbeut).
Forcat okupatore u kishin zënë pritë flakadanëve të lirisë, që u printe Luan Haradinaj.
Luani ishte me Ramushin, Femih e Xhevë Lladrovcin, Emrush Xhemalin, Iliaz Kodrën, Selim Krasniqin etj. Në këtë përleshje të përgjakshme ra Luani dhe u plagosën Ramushi dhe Fehmi Lladrovci. Forcat okupatore kishin goditur me armë të rënda artilerie me qëllim për të asgjësuar të gjithë luftëtarët shqiptarë.
Ndonëse i plagosur, Simboli i Qëndresës Shqiptare, Ramush Haradinaj, përmes plumbave dhe granatave e tërheq trupin e pajetë të vëllait e mban mbi supe për katër-pesë orë rrugë dhe e varrosin në Vlahen të Hasit për ta rivarrosur më dt 24 gusht të vitit- 1999-të së bashku me luftëtarët e tjerë në Gllogjan.
Veprën e Luanit, dhimbjen e krenarinë për të, na sjell zëri i spikatur i Ilir Shaqirit:
“Gjoksi i Luanit një qiell me furtuna.
Bëhen tok e rrjedhin bashkë dy drinat e Buna.
Gurin e kufirit e shkul si dhëmballën,
Mbi krater t’vullkanit trimi e hedh vallen”.
Apo nga Bexhet Korpuzi:
“Kur i shpove pritat kush të bani za
A të çoj Mic Sokoli për Kosovë me ra
A të çoj Mic Sokoli, Zmajl Hyseni vetë
Që në brigje t’ Shtimes ranë tash 100 -vjet’ “.
Trimat e Kosharës shembën kufirin që e kishin thyer në mëngjesin e acartë të 14 dhjetorit të vitit -1998-të Mujë Krasniqi (Komandant Kapuçi) me 36 luftëtarët e tij, të cilët ranë në mënyrë heroike. Ushtria dhe policia serbe u kishte organizuar pritë në vendin e quajtur “Te likenet e Hasit”, në Gorozhup të Pashtrikut.
Mujë Krasniqi ishte komandant i Brigadës 113 -të të Zonës Operative të Drenicës.
Ai ka qenë pjesëmarrës në daljen publike të UÇK-së në fshatin Llaushë të Drenasit, ku në varrimin e mësuesit Halit Geci, vrarë nga forcat serbe, Mujë Krasniqi me Daut Haradinajn dhe Rexhep Selimin, më dt. 28 nëntor 1997-të, bënë publike daljen e UÇK-së.
“Kapuçi” ka udhëhequr njësitin e tij në ofensivat e UÇK-së në zonën operative të Drenicës dhe në zonën e Dukagjinit. Në nderim të veprës së tij në vendlindje, në Klinë, organizohet çdo vit Festivali ” I këndojmë lirisë”, më dt. 6 – 7- 8 qershor.
Brigada 138-të “Agim Ramadani”, që operonte në zonën operative të Dukagjinit, me komandant Ramush Haradinajn e përmbushi detyrën, perfundimisht e shembi kufirin.
Më datë 9- prill piramidat ranë.
Për disa ditë është bërë luftë përtej fantazisë njerëzore.
Krojet e gjakut rridhnin nëpër Rrasën e Zogut e bashkoheshin me përroin ku trimat çdo mëngjes lanin sytë, rruheshin e kriheshin duke u parë në ca pasqyra të vogla që mbanin në xhepa që të bëheshin të bukur para vdekjes n’ëmer të lirisë së Atdheut që e çmonin me shumë se jetën e vet.
Shumë prekëse janë pamjet që transmetonin kamerat e vëllezërve Ismail e Ilir Buçpapaj.
Në një krah luftohej, në anën tjetër marigotë qendisnin flamurin kombëtar. Ashtu si luftëtarët e Aleksandrit Madh, Pirros së Epirit, Gjergj Kastriotit që kërcenin dhe këndonin para se të hynin në luftë edhe luftëtarët e UÇK-së në terren ja merrnin Mersajezës Shqiptare, këngës së Patriarkut të rapsodisë shqiptare, Dervish Shaqja:
“Moj Shqipëri, mos thuaj mbarova,
Se djemtë e tu hala janë gjallë.
n’këmbë është çue rrept’ Kosova,
E ban’ luftën ballë për ballë”.
Buçpapajt me kamerat e tyre mbajtën lart moralin e luftës duke transmetuar aksionet heroike të pishtarëve të lirisë.
Gjatë luftimeve ranë në fushëbetejë për të mbetur në altarin e lirisë më dt. 11- prill, poeti, piktori, anëtari i Akademisë Europiane të Arteve, Komandant “Katana”, Agim Ramadani.
Gjatë luftës u tregua strateg i zoti, i pari që shembi kufirin.
Pas thyrjes së kufirit ra në Zharet për të mos vdekur kurrë e për tu përjetësuar në këngë.
“ N’ malet e Koshares shkrep një pushkë e vjetër.
Me lirinë moj loke djali po t’vjen n’Zhegër.
Prapë në Dardani po bie tupani.
Vjen n’dasëm t’Kosovës, Agim Ramadani”.
Me dt. 14- prill, në Majën e Gllavës, u vra trimi nga Tetova, Mujdin Aliu.
Populli e këndon:
“Jam djalë nga Tetova, me ka thirrë Atdheu.
Vetë Adem Jashari, gjaku i Skënderbeut.
Lamtumirë, moj loke e ti o babë Qerimi,
Vet me m’suet si duhet Atdheu, si bëhet betimi”.
Më dt. 19- prill, u vra Sali Çekaj, me nofkën “Veterani”, intelektuali, juristi, oficeri gueril, veprimtari i madh i kauzës kombëtare që nga protestat e vitit 1981.
Vepra e tij u derdh në bronz dhe në këngë;
“M’ka rritë nana n’zhguna veku.
Ma thonë ëmrin Sali Çeku.
I thonë Sali Çeku, trimit veteran.
I këndon dyfeku, një këndim dardan.
Jo, nuk e ndal’ hapin ky kollos i Kombit.
Jo, nuk e ndal’ hapin ka bekim prej Zotit”.
Ai diti në mënyrë unikale që të gjitha cilësitë që kishte t’i përdorte pa u kursyer në shërbim të Atdheut e Çështjes Kombëtare.
Me dt. 16 -maj vritet befasisht nga një snajperist serb dragoi i Drenicës Abaz Thaçi.
Në momentin e vrasjes ai ju thotë shokëve që e mbanin mbi supe për ta tërhequr nga pozicioni:
“Dy mjaftojnë, të tjerët kthehuni në pozicione, liria jonë është e sigurtë, me vjen keq që po ndahem prej jush”.
Ilir Shaqiri i këndon amanetit të fundit të zgalemit të lirisë.
O ju shqipe kah fluturoni
Në Drenicë kur të shkoni
Thuj’ni nanës mos mbaj zi
Theva kufirin Shqipëri- Shqipëri.
E kështu trimat binin në mejdanet e lirisë një nga një, por nuk i lëshonin Istikamet.
Gjatë luftimeve të ashpra ranë në fushën e nderit 113-të dëshmorë që prehen në lëndinat e Koshares, në hijen e lisave.
Ata ranë për të mbetur lisa të rritur mbi eshtra që kanë vetëm një Atdhe.
Lulekuqe që çelin mbi gjakun e derdhur sa herë vjen pranvera.
Ata janë rreze dielli në sytë e fëmijëve, kokërr loti në faqet e rrudhosura nga dhimbja të nënave që kanë humbur djemtë, cicërimë zogu, sy shqiponje, vetëtimë muzgu dhe agu, krushq lirie në dasmat e Atdheut, përmendore e shpirtit të kombit.
Çdo vit i kërkojmë tek guri i kufirit, ku reja shkrepi e gjaku rrodhi damarëve të tokës.
Nderim të veçantë e përkulje me respekt për protagonistët e kësaj beteje, për UÇK-në e lavdishme që shembi kufirin mes shqiptarëve dhe çliroj Kosovën.
Respekt e mirënjohje përjetësisht NATOS.
Mirënjohje për heronjtë e vdekur dhe të gjallë si Agim Ramadani, Sali Çekaj, Mujdin Aliu, Nuhi Tahiri, Abaz Thaçi, Rrustem Berisha, Hisen Berisha, Xhemajl Fetahu, Nasim Haradinaj, Time Kadria, djemtë e Malësisë sě Gjakovës : Xaj Çela, Rakip Sadiku, vëllezërit Kuçana, Rexhep Kertoçi, Hysni Neziri, Xhevahir Selmani, Bylbyl Breçani, Feriz Trezhnjeva e Avdyl Trezhnjeva.
Veprën e misionarëve të lirisë, aktin sublim të dhënjes së jetës për Atdheun e ka skalitur madhërisht Ilir Shaqiri:
“Emër bjeshke m’thonë n’Koshare
Sytë e mi ja kam falë qiellit
S’jemi varre po jemi lisa
Balli jonë është rrëzja e Diellit”.
Vijon.
Cikël shkrimesh shkëputur nga libri im i 7- të:
“Gjergj Kastrioti- Moisiu Ynë”.
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular