Deputetja e PD-së Orjola Pampuri ka reaguar në lidhje me shtyrjen e seancës në Kushtetuese ku do të shqyrtohej kërkesa e 28 deputetëve për të shfuqizuar vendimin e qeverisë për konfiskimin e ndërtimeve pa leje. Në një lidhje përmes skype në News24, Pampuri theksoi se në atë seancë u gjetën ‘kleçka’.
Ajo tha se kështu eshtë vepruar dhe me rastin e Prestige Resort, ku gjithçka është bërë me urdhër të Ramës, për inate të tij personale.
“Rasti i Prestige ishte një rast i paprecedent, duke treguar që zoti Rama merr vendime personale. Nuk mundet një kryeministër të ndërmarrë akte të bazuara te inatet personale.
Nëse në këtë vend s’do të ketë barazi para ligji, s’do ketë shanse në këtë vend. Ai mban disa që i quan miq, dhe të tjerët i dënon dhe cënon. Kemi 3400 qytetarë që janë ndëshkuar me burg për shkak të çatisë që kanë ndërtuar apo se nuk paguajnë dritat. Vendimi sot për të shtyrë seancën nuk ishte i drejtë. Gjykata Kushtetuese duhet të tregojë se është e panashme. Nëse merr një vendim që bie në kundërshtim të kërkesës së PD, se kjo është kërkesë e drejtë, do të jetë vendim i njëanshëm.”, tha Pampuri.