BallinaAktualitetVizita e zyrtarit të lartë amerikan, Escobar takon sot Alibeajn dhe...

Vizita e zyrtarit të lartë amerikan, Escobar takon sot Alibeajn dhe Metën, Ja fokusi

spot_img
spot_img

I dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, po zhvillon një vizitë dy ditore në Tiranë. Axhendën e tij zyrtari i lartë amerikan e nisi dje mesditë me një takim “kokë më kokë” me kryeministrin Edi Rama, në ambientet e kryeministrisë.

Takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa mendohet se në fokus të diskutimeve kanë qenë zhvillimet politike. Rreth 20 minuta ka zgjatur takimi me dyer të mbyllura i kryeministrit Edi Rama me Gabriel Escobar, të dërguarin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor. Mësohet se tematikë e diskutimit kanë qenë zhvillimet politike në vend dhe zgjedhjet vendore të cilat do të mbahen në 14 maj.

Kujtojmë se vizita e Escobar vjen në prag të nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 majit. Pas takimit me kryeministrin Edi Rama, i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar shkoi në Presidencë. Ai takoi presidentin Bajram Begaj, teksa shoqërohej edhe nga ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim. Zhvillimet në Ballkanin Perëndimor mësohet të kenë qenë në qendër të takimit.

“Vlerësoj marrëdhëniet e shkëlqyera të partneritetit strategjik Shqipëri-SHBA. SHBA, rol të pazëvendësueshëm në garantimin e paqes dhe sigurisë në BP. Vlerësoj mbështetjen që SHBA dhe Escobar i kanë dhënë negociatave KosovëSerbi. Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi, proces me ndikim të madh rajonal. Falë qasjes së re gjeopolitike edhe nga BE, sot kemi një vëmendje të shtuar ndaj BP. Mirënjohje për mbështetjen në rritjen e kapaciteteve kibernetike të Shqipërisë”, theksoi kreu i shtetit Bajram Begaj.

Ndërkohë që ditën e sotme, I dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar ka në axhendën e tij takimin me kreun e Partisë së Lirisë Ilir Meta. Gjithashtu Eskobar do të takohet edhe me përfaqësues të Partisë Demokratike, me kryetarin e komanduar Enkelejd Alibeajn, dhe deputetët Jorida Tabaku dhe Gazmend Bardhi.

Këto takime të një pas njëshme vijnë pak ditë para hapjes së fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 14 majit. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri reagoi me vizitën e zyrtarit të SHBA-ve, Gabriel Escobar, në Shqipëri.

Ambasada e SHBA tregon “misionin” e tij: Do të nënvizojë nevojën për përmbushjen e rekomandimeve të ODIHR për zgjedhjet e 14 majit. Përmes një reagimi në Facebook, Ambasada e SHBA-ve thotë se ai zhvilloi dhe do të zhvillojë një sërë takimesh me krerë të lartë të shtetit dhe politikës shqiptare. Sipas Ambasadës, takimet e tij do të fokusohen kryesisht në zgjedhjet e 14 majit dhe në përmbushjen e rekomandimeve të ODIHR gjatë votimeve. Gjithashtu do të diskutohet edhe për bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari i SHBA për Çështjet Europiane dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, mbërriti sot në Tiranë për takime me Presidentin Begaj, Kryeministrin Rama, Ministren e Jashtme Xhaçka dhe udhëheqës të tjerë. Zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar do të nënvizojë rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme vendore në Shqipëri, nevojën për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe nevojën që partitë politike dhe liderët të sigurojnë që kandidatët të përmbushin kërkesat e ligjit si dhe pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë për integritet të lartë. Ai do të diskutojë gjithashtu bashkëpunimin SHBA-Shqipëri për përparësitë rajonale dhe globale, përfshirë refuzimin e pushtimit rus të Ukrainës”, – thuhet në reagimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Zyrtari amerikan shmangu takimin e Sali Berishën. Ky i fundit gjatë një dalje publike për dënimin e sulmit me tritol të kreut të PD-së së vaut të Dejës, deklaroi për gazetarët: “Sot, jam këtu vetëm për këtë ccështje, kur unë të jem për të marrë pyetje do ju përgjigjem”.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular