Republika e Moldavisë po kalon një nga momentet më të vështira ekonomike në historinë e saj të shkurtër si një vend i pavarur. Fqinji i saj ukrainas po përballet me agresionin rus, por Moldavia është nën sulm ekonomik.

Moska e ka ndëshkuar qeverinë pro-perëndimore të Moldavisë me një rritje drastike të tarifave të energjisë. Rezultati: një normë inflacioni që kalon 30% dhe një vend në prag të rrënimit.

Autoritetet moldave akuzojnë Kremlinin se po ndërhyn në politikën e këtij vendi duke shënjestruar ekonominë e tij.

“Në 20 vitet e fundit kam numëruar rreth gjashtë embargo që Rusia ka vendosur ndaj produkteve të ndryshme si vera, frutat, perimet. Sa herë që qeveria moldave është para marrjes së një vendimi që konsiderohet në interesin kombëtar, atëherë ata ndëshkojnë njerëzit përmes ekonomisë”, thotë për Zërin e Amerikës, Ministri i Ekonomisë, Dumitru Alaiba.

Në vreshtat e Moldavisë, këtë e quajnë shantazh rus. Pas vitesh embargosh dhe presionesh, kjo kompani vendosi të ndalojë shitjen e verës në Rusi. Moska ishte klienti i tyre kryesor. Tani rusëve nuk u shesin asnjë shishe.

“Rusia e ka dëshmuar veten gjatë viteve se nuk është partner i besueshëm tregtar. Për industrinë e verës, ndikimi i parë ndodhi në vitin 2006 kur Rusia vendosi embargo ndaj verërave të Moldavisë. Më mashtroni një herë, turp të keni, por nëse më mashtroni dy herë atëherë turp duhet të më vijë mua”, thotë Eugen Comendant, Drejtor Operativ në Purcari, prodhuesi kryesor moldav i verërave.

Banorët e Moldavisë kanë marrë goditjen më të rëndë ekonomike, për shkak të kostos së papërballueshme të çmimit të energjisë.
Në rajonin autonom bujqësor dhe ndër më të varfrit, Gagauzi, situata ka bërë që shumica e popullsisë të kërkojë subvencione për të paguar faturat e energjisë elektrike. Autoritetet thonë se situata është e paqëndrueshme.

“Produktet ushqimore janë bërë edhe më të shtrenjta. Kur një familje shpenzon gati gjysmën e të ardhurave të saj për ngrohje dhe pothuajse të njëjtën shumë për ushqim atëherë si mund të mbijetojë? Zyrtarisht, katër të pestat e popullsisë janë në kufirin e varfërisë”, thotë Alexander Ternovskiy, deputet i asamblesë kombëtare të Gagauzisë.

Ekspertët thonë se vendi duhet të gjejë burime të tjera energjetike dhe të çlirohet nga manipulimi politik i Moskës.

“Moldavia është një nga vendet më të vogla në Evropë. Është e vështirë të gjesh një vend tjetër që importon gjithë energjinë që i nevojitet. Ne varemi 100% nga gazi rus”, thotë Veaceslav Ionita, ekonomist në institutin IDIS, organizatë studimore moldave.

Një vit pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë, Moldavia ka pësuar dëme të rënda nga lufta.

Betejat ushtarake mund të jenë larg, por në luftën hibride të Rusisë kundër fqinjëve të saj në Evropë, Moldavia është në vijën e parë të frontit./voa