BallinaAktualitetKlima e biznesit, thirrja e ambasadores Yuri Kim: Luftoni korrupsionin! Zbatoni rekomandimet...

Klima e biznesit, thirrja e ambasadores Yuri Kim: Luftoni korrupsionin! Zbatoni rekomandimet e SHBA-ve

spot_img
spot_img

 SHBA-të përmes përfaqësueses diplomatike në Shqipëri kërkojnë zbatimin e rekomandimeve të tyre, në veçanti për krijimin e një klime sa më të përshtatshme për investitorët.

Ambasadorja Yuri Kim, gjatë fjalës së saj dje në Asamblenë e Dhomës Amerikane të Tregtisë u shpreh se duhet të vijohet përmirësimi i klimës së investimeve ne vendin tonë si dhe të luftohet korrupsioni.

“SHBA kanë mbështetur fuqimisht reformën në drejtësi dhe ajo po jep rezultate. Nëse kërkoni rekomandime, duhet të dëgjoni kompanitë amerikane, të cilat kanë rol për ofrimin e alternativave. Të kërkosh mendim nuk bëhet vetëm për gjest, por të prodhohen rezultate. Presim të punojmë me Dhomën Amerikane të Drejtësisë dhe priten rezultate në përmirësimin e klimës së biznesit”, u shpreh Yuri Kim.

Ambasadorja theksoi se demokracia nuk duhet të merret si e mirëqenë por duhet të ruhet dhe të forcohet pa pushim. Kim u shpreh se lidhjet e biznesit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës po shohin një rritje të ndjeshme.

“Siç e dimë nga përvoja jonë, demokracia nuk mund të merret kurrë si e mirëqenë; duhet ta ruajmë dhe ta forcojmë pa pushim. Edhe bashkëpunimi SHBA-Shqipëri në fushën e mbrojtjes po arrin lartësi të reja, veçanërisht pas stërvitjes ushtarake historike “Defender Europe 2021”. Ajo stërvitje – nëse ju kujtohet – solli deri në 6000 trupa amerikane vetëm në Shqipëri dhe mendoj se bazuar në atë që gjeneralët amerikanë panë këtu, ne shohim një potencial të jashtëzakonshëm për zgjerimin e marrëdhënieve tona në mbrojtje. Jam gjithashtu krenare të them se nga këto tre shtylla kryesore të agjendës sonë – demokracia, mbrojtja dhe biznesi – biznesi është gjithashtu në rritje, një rritje e jashtëzakonshme. Ne po shohim, siç tha Enio, një rritje të madhe të investimeve të SHBA-së në Shqipëri. Lidhjet e biznesit SHBA-Shqipëri po shohin gjithashtu rritje të ndjeshme. Bizneset amerikane vazhdojnë të rrisin investimet në Shqipëri. Investimet e huaja të drejtëpërdrejta të SHBA-ve arritën një nivel të ri prej 235 milionë dollarësh në fund të vitit 2022, më shumë se dyfishi i asaj që ishte përpara pandemisë. Tregtia jonë dypalëshe është rritur në mënyrë të vazhdueshme dhe në vitin 2022, eksportet shqiptare drejt SHBA-së ishin tre herë më të larta se një vit më parë dhe pothuajse katër herë më shumë se dy vjet më parë. Pjesa e eksporteve totale që shkojnë në SHBA është dyfishuar vitin e fundit”, deklaroi ajo.

Megjithatë Kim u shpreh se duhet të përmirësohet klima e investimeve në Shqipëri, duke luftuar korrupsionin me anë të reformave të vazhdueshme.

“Ja ku të gjithë ju – Dhoma Amerikane e Tregtisë – hyni për të bërë ndryshimin. Avokimi i Dhomës Amerikane të Tregtisë ka përmirësuar klimën e investimeve në Shqipëri, ndërsa ju bëni presion për të standardizuar politikat tatimore dhe të nxisni reforma të vazhdueshme kundër korrupsionit. Dhoma Amerikane duhet të vazhdojë të ofrojë rekomandime dhe ide konkrete se si të përmirësohet mjedisi i biznesit dhe të përkrahen kushte te barabarta dhe të drejta për të gjithë. Jo të gjitha këto rekomandime zbatohen menjëherë, por ato zbatohen, dhe kjo varet nga këmbëngulja juaj. Shoh një grup shumë të fuqishëm, 3 miliardë të ardhura totale, 40 mijë punonjës. Kjo ju jep një zë, kështu që vendosni se cilat janë përparësitë tuaja dhe ndiqin ato. Na tregoni cilat janë përparësitë tuaja dhe ne mund t’ju ndihmojmë, por ju takon juve të udhëhiqni”, tha Kim.

Edhe Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, në takimin e zhvilluar në Asamblenë e Dhomës Amerikane të Tregtisë apeloi se kërkohet qëndrueshmëri në tregun shqiptar në mënyrë që investitorët të qëndrojnë.

“Çështja është qëndrueshmëria si t’i bëjmë këta investitorë të qëndrojnë për një afat të gjatë kohor. Për ta arritur këtë, ne kemi nevojë për një klimë konkurruese biznesi dhe investimesh. Faktorë të tillë si lehtësia e lejeve, niveli i korrupsionit, a kanë investitorët shanse për të hyrë në prokurimet publike, a janë stimujt e investimeve konkurruesejanë çështje reale që përcaktojnë klimën e investimeve. Ne duhet të ofrojmë një mjedis tërheqës për të siguruar investitorë strategjikë”, tha ai.

Jaço theksoi se bizneset në vend duhet të risin standardet dhe të jenë konkurruese në tregjet e BE-së.

“Edhe pse Qeveria e ka njohur në rrethana të ndryshme vlerën e këtyre rekomandimeve, nuk ka pasur shumë zhvillim. Ne do të mbetemi një partner konstruktiv dhe presim të angazhohemi me qeverinë për zbatimin. Por dua të them gjithashtu se nuk është koha për bisedime, por për veprim. Së fundi, dua të vë në dukje 2 mundësi të rëndësishme për ekonominë shqiptare dhe komunitetin e biznesit të Dhomës Amerikane. E para është teknologjia. Tani keni një shans për të hapur një biznes në Shqipëri dhe për të pasur një klient në SHBA. Kjo është një mundësi e vërtetë dhe disa, duke përfshirë anëtarët tanë, po e bëjnë. Por për ta bërë atë në masë, sigurisht që ju duhet një mjedis më konkurrues. Së dyti është procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian, e cila është në pragun tonë dhe paraqet njëkohësisht një sfidë dhe një mundësi të pabesueshme. Bizneset duhet të rrisin standardet për të qenë në gjendje të jenë konkurruese në tregjet e BE-së, por ata gjithashtu mund të hyjnë në tregjet e BEsë tani”, u shpreh Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço. Panorama

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular