2022-shi ishte viti më i thatë në Europë që nga koha kur filluan studimet shkencore për klimën, pra nga gjysma e dytë e viteve 1800. Vitin e kaluar u konstatua zgjerimi i zonave të prekura nga thatësira, si dhe u evidentua ulja e ndjeshme e prurjes së lumenjve. Ndërkaq, së fundmi Kina është përfshirë nga vala e të nxehtit, me temperaturat në Pekin që kanë shënuar 36 gradë Celsius.
Provinca Yunnan regjistroi temperatura mbi 40 gradë Celsius. Në dy ditët e fundit, provinca Shandong dhe Pekini kanë lëshuar paralajmërime për rritjen e temperaturave. Qytetet me popullsi të madhe si Jinan, Tianjin dhe Chengdu pritet të regjistrojnë temperatura deri në 37 gradë Celsius.
Agjencia meteorologjike e Kinës ka paralajmëruar rajonet që të përgatiten për temperatura të lartë këtë verë. Dëmtimi i të korrave mund të rrisë çmimet e ushqimeve, të përkeqësojë inflacionin dhe të ushtrojë presion mbi ekonominë e Kinës ndërsa vendi po përpiqet të rikuperohet nga një politikë trevjeçare zero-COVID-19 që pengoi rritjen e ekonomisë në vend.
Rikujtojmë, se Parisi është qyteti në Evropë me rrezikun më të lartë të vdekjeve nga të nxehtit. Kjo është ajo që del nga një studim i kryer nga revista shkencore “The Lance Planetary”. Sipas vlerësimeve, kur temperatura rritet shumë lart, vdekshmëria shumëfishohet me 1.6 herë te njerëzit mbi 85-vjeç. Studiuesit studiuan shkallën e vdekjeve në 854 qytete me më shumë se 50.000 banorë në 30 vende evropiane midis viteve 2000 dhe 2019.