Ditën e djeshme në Turqi u mbajtën zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.
Mediat e huaja raportojnë se sipas Këshillit të Lartë Zgjedhor të Turqisë, një raund i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 28 maj pasi asnjë nga kandidatët nuk arriti të kalojë 50%.
Kur ka përfunduar 99,87% e numërimit të votave, Rexhep Tajip Erdogan ka mbledhur 49,50%, kandidati kryesor i opozitës Kemal Kilicdaroglu 44,89% , Sinan Ogan 5,17% dhe Muharrem Ince 0,44%. Në të njëjtën kohë, pjesëmarrja në procesin zgjedhor të djeshëm ishte 84,92%. Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet të dielën më 28 maj 2023.
Kemal Kilicdaroglu po dërgon një mesazh uniteti dhe optimizmi për raundin e ardhshëm të zgjedhjeve në Turqi, duke theksuar se “Do të ngrihemi dhe do t’i fitojmë këto zgjedhje së bashku”.
“Njerëz të mi të dashur, që nga dje punojmë pa ndërprerje. Mos u dëshpëroni. Unë do të ngrihem dhe do t’i fitojmë këto zgjedhje së bashku. Në fund të çdo gjëje fjalën do ta thotë vetëm kombi ynë”, shkruan Kemal Kilicdaroglu në Twitter, pak orë pas votimit që u mbajt dje, të dielën, në Turqi.