Këtë të premte në “Intervistë” me Merita Haklajn ishte Astrit Patozi nga “Bindja Demokratike” për të analizuar atë që ndodhi me opozitën, rezultatin zgjedhor të 14 majit por edhe fitoren e radhës të mazhorancës socialiste.
Teksa deklaroi se humbja e opozitës ishte dërrmuese dhe kapilare, Patozi theksoi se në anën tjetër pushteti që ka aktualisht kryeministri Edi Rama është i frikshëm.
Nisur nga kjo situatë, ai vlerëson se e vetmja mënyrë për t’iu kundërvënë në mënyrë efektive është duke i dalë përpara me një kundër-model.
“Me model të ngjashëm, Rama e ka treguar se ai në fushën e tij është i pathyeshëm. Pra, duhet mundur me kundër-model. Me një opozitë frymëzuese, prurale, që respekton secili tjetrin.”
Për zotin Patozi është shumë e rëndësishme që opozita të sjellë një ofertë me fytyra dhe projekte të reja nëse do që të rrëzojë Ramën nga “froni”.
Po ashtu, duke marrë si shembull rezultatin e PSD-së të Tom Doshit, Patozi theksoi se rezultati i dobët i PD-së së Berishës nuk lidhet me faktin që ai është shpallur “non grata” nga SHBA.
Me nota humori, zoti Patozi kujtoi se në listën e zezë të SHBA-së është edhe Doshi, por efekti tek ai në zgjedhje ishte i kundërt.
“Nëse demokratët i kanë ikur non gratës, socialistët kanë shkuar ta votojnë non gratën. Disa socialistë kanë shkuar dhe janë bërë të Tom Doshit. Këtu kuptohet që roli i non gratës në Shqipëri nuk ka atë peshë që i është dhënë, ka më pak.”
Kreu i “Rithemelimit” e ka akuzuar Doshin se votat i ka të blera, por për Patozin rëndësi nuk kanë akuzat mes palëve, por fakti që opozita është e përçarë.
“Të rëndësishme janë gjëra të tjera: një parti që rrihet me njëri-tjetrin. Nuk bëhet asnjë lloj analize, reflektimi për atë që i ndodh.”
Edhe në kampin rozë, sipas Patozit, votat janë mbajtur me fenomenin e blerjes dhe presioneve të ushtruara ndaj administratës.