Nga Edlira Devolli Leka
Karakteristikë tejet e rëndësishme e një lideri është të dijë të mirëmenaxhojë konfliktet në tërësi, e aq më tepër brenda grupit ku bën pjesë. Konflikti i krijuar në PD nga Sali Berisha për hallet e tij, solli përplasje në të gjitha shkallët e strukturave. Situata i ngjasonte dy trenave me pasagjerë që janë për t’u përplasur pasi ndodhen në të njëjtat shina e përballë. E nëse ndodhte kjo, merret me mend dëmi i shkaktuar. Për të shmangur një përplasje të këtij niveli Lulzim Basha, me përgjegjësinë që e karakterizon, ndaloi duke bërë hap pas dhe shmangu dëmtimin e anëtarësisë. Kjo shmagie e tij nga përplasja, la Berishën vetëm në trenin e tij plot mllef ku vagonat e halleve të familjes “non grata“ e vunë para dhe e nxorën nga shinat.
A është kthimi i Bashës në favor të tij dhe demokratëve dhe a ka moral vazhdimësia e Sali Berishës në politikë?
Ka dy arsye thelbësore, në analizën krahasuese të fakteve që shkojnë në favor të rikthimit të Lulzim Bashës në drejtimin e PD.
Sali Berisha, në deklaratën e dorëheqjes, në mbrëmjen e 27 qershorit 2013, i përlotur, me sytë në letrën e shkruar, pohoi se “largohem përfundimisht nga çdo funksion në Partinë Demokratike”. Këtij pohimi i qëndroi me konsekuencë për 8 vite, deri në momentin kur u shpall “non grata” nga Sekretari Blinken.
Vetëm në gusht të vitit 2021, tre muaj pas ndëshkimit nga Departamenti i Shtetit, i pyetur nga gazetarët për rrugën e tij politike, ndërroi qëndrim, për hallet e tij e të familjes, duke deklaruar “në politikë kurrë mos thuaj kurrë” dhe nisi më pas rrugën e “foltores”, rrugën e “Partisë Pa Emër”.
Basha as u përlot, as deklaroi ndonjëherë dorëheqje “nga gjithë funksionet në PD”. Përkundrazi, ka qenë tejet i qartë duke pohuar “po bëj një hap pas, të mos bëhem shkaktar i përçarjes së PD”.
Së dyti, Berisha u largua me një milion vota kundër, dhe e solli PD në humbjen më katastrofike në historinë e saj, në zgjedhjet e 14 majit.
Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, faktorë të brendshëm dhe të jashtëm u bënë barrikadë ndaj udhëtimit të Bashës si kryeministër. Janë fakte që tashmë i dimë të gjithë. Shumë nga kryesuesit e listave për deputetë, në zgjedhjet e 25 prillit, qëndruan indiferentë, me zero vullnet për më shumë vota.
Vetë Sali Berisha nuk doli asnjë orë nga zyra dhe pse ishte pjesë e listës së Tiranës në ato zgjedhje. Për 14 majin, i ra kryq e tërthor vendit, shtatë herë takime vetëm në Kamëz, disa herë deri në Tropojë e Shkodër dhe mori rezultatet më ndëshkuese që e djathta Shqiptare ka marrë ndonjëherë.
Partia e Monikës dhe Ilirit donte mbi 25 vende në listën e PD të 2021, por Basha nuk pranoi ta lëshonte PD si Berisha në prehërin e LSI.
Amerikanët çuditërisht, si asnjëherë, dhe pse ishin garantët e marrëveshjes së reformës zgjedhore “kyçën gojën” dhe i hapën dritë jeshile Edi Ramës të prishte marrëveshjen.
Djalli e di, dhe ata vetë e dinë se përse e penguan rrotacionin politik në vitin 2021. Bashës ju pengua fitorja me të gjitha mënyrat, nga brenda e nga jashtë. Janë këto dy arsyet e mjaftueshme që i japin Lulzim Bashës të drejtën morale dhe politike t`i rikthehet angazhimeve të tij në drejtimin e demokratëve, të të gjithëve atyre që do i bashkohen rrugëtimit euro-atlantik të PD.