BallinaAktualitet“Një aferë familjare”- BIRN: KLP shton në Prokurorinë e Tiranës të afërmit...

“Një aferë familjare”- BIRN: KLP shton në Prokurorinë e Tiranës të afërmit e deputetes së PS

spot_img
spot_img

Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të transferojë në Prokurorinë e Tiranës magjistraten Alma Felaj – e afërmja e tretë e deputetes Ermonela Felaj që emërohet në këtë prokurori në katër vitet e fundit – pas bashkëshortit prokuror dhe vëllait si oficer i Policisë Gjyqësore. KLP thotë se rasti nuk përfshihet në papajtueshmërinë ambientale.

Në mbledhjen plenare të së hënës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi me 10 vota pro transferimin e prokurores Alma Felaj nga Durrësi në Prokurorinë e Tiranës, ku do të fillojë ta ushtrojë funksionin nga data 5 qershor.

Prokurorja Alma Felaj është kunata e deputetes së Partisë Socialiste, Ermonela Felaj dhe e afërmja e tretë e saj që emërohet në Prokurorinë e Tiranës përgjatë katër viteve të fundit.

Në mars të vitit 2019, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të emërojë përmes një procedure të diskutueshme bashkëshortin e Felajt, Bledar Valikaj në Prokurorinë e Tiranës, pa kaluar më parë një proces vetingu.

Vetëm pak muaj më vonë, në maj 2019, Prokuroria e Përgjithshme përzgjodhi pas një procedure konkurruese vëllanë e deputetes, Armando Felaj si oficer të policisë gjyqësore në Prokurorinë e Tiranës.

Ligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i miratuar në vitin 2016 si pjesë e reformës në drejtësi, i adresoi lidhjet nepotike në institucionet e drejtësisë në klauzolën e papajtueshmërisë ambientale – duke u bërë thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë që të shmangnin lidhjet e ngushta mes magjistratëve.

“Papajtueshmëria ambientale, në kuptimin e këtij neni, krijohet për shkak të lidhjeve të ngushta familjare mes magjistratëve, që janë përkatësisht, bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ka ose të afërmit e tij deri në shkallë të dytë,” thuhet në nenin 8, pika 1 të ligjit.

I pyetur për transferimin e prokurores Alma Felaj, kreu i KLP-së, Alfred Balla, i cili mungonte në mbledhjen plenare të hënën, la të kuptohej se rasti në fjalë nuk bënte pjesë në rrethin e ndalimeve për shkak të papajtueshmërisë ambientale.

Balla tha se bazuar në pikën 5 të nenit 8, magjistratja Alma Felaj bashkë me kërkesën për transferim, ka paraqitur vetëdeklarimin ku deklaron se nuk ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë ambientale.

“Nuk i dimë dot gjendjet civile të OPGJ, prokurorëve,” tha Balla përmes aplikacionit Ëhatsapp. Edhe relatori i projektaktit për emërimin, Bujar Sheshi i tha BIRN se kandidatja Alma Felaj, ashtu si gjithë kandidatët e tjerë kishte paraqitur vetëdeklarim se nuk gjendej në kushtet e papajtueshmërisë ambientale në transferimin e saj nga Prokuroria e Durrësit në atë të Tiranës.

Ai shtoi se ndryshimet ligjore të vitit 2019, nuk e pengonin ushtrimin e detyrës së magjistratëve me lidhje krushqie, ndërsa me bashkëshortin Armando Felaj nuk mund të konsiderohej situatë e papajtueshmërisë ambientale, pasi ai është oficer i policisë gjyqësore dhe nuk e gëzon statusin e magjistratëve.

“Ligji përcakton për lidhjet e ngushta familjare për magjistratët,” tha Sheshi.

Drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Arens Çela i tha BIRN se nuk mund të komentonte vendimet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

“Ato kompetenca që kam unë kanë të bëjnë me ndarjen organizative brenda Prokurorisë së Tiranës. Patjetër që mbajmë dhe do mbajmë parasysh dhe shmangien e konfliktit të interesit,” theksoi Çela.

Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj nuk iu përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi kërkesës për koment.

Alma Felaj ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe ka punuar fillimisht në Prokurorinë e Fierit. Prej vitit 2012, ajo e ushtronte funksionin në Prokurorinë e Rrethit Durrës. Ndërsa bashkëshorti i saj, Armando Felaj ka punuar si jurist për një kompani private përpara se të emërohej oficer i Policisë Gjyqësore. /Reporter.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular