Silvio Berlusconi dje ndërroi jetë në moshën 86-vjeçare. Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane. Ish-Kryeministri italian ndodhej i shtruar prej 4 ditësh në spitalin San Raffaele të Milanos, ku dhe ndërroi jetë.
Gjendja e tij ishte e rëndë, ndaj mëngjesin e kësaj së hëne në spital kishin shkuar të gjithë fëmijët e ish-Kryeministrit. Themelues i “Mediaset” dhe “Forza Italia”, Berlusconi ishte një figurë sa e rëndësishme, aq edhe e diskutueshme në politikën italiane për më shumë se çerek shekulli. Manjati i mediave, Berlusconi, erdhi për herë të parë në pushtet në vitin 1994 dhe drejtoi katër qeveri deri në vitin 2011. Ai udhëhoqi partinë e qendrës së djathtë “Forza Italia”, e cila hyri në koalicion me Kryeministren Giorgia Meloni pas zgjedhjeve në shtator.
Berlusconi prej kohësh vuante nga problemet me shëndetin, ndërsa u rikthye në spital të premten, pasi më herët kishte qëndruar për 45 ditë i shtruar për shkak të infeksionit në mushkëri. Në janar të 2022, Berlusconi u shtrua në spital për 8 ditë, ku iu nënshtrua një seri kontrollesh. Ndërsa një vit më parë, 86-vjeçari vuajti nga disa komplikacione për shkak të Covid-19, eksperiencë që e përshkroi si më të keqen që kishte kaluar ndonjëherë më parë në jetë. Pasi u infektua në shtator të 2020-s, virusi e detyroi që të shtrohej për gati 2 javë. Më pas e riktheu sërish në spital për gati 1 muaj, deri në fund të 2021-t. Pasi ia doli të tejkalonte një operacioni tejet serioz me zemër të hapur në qershor të 2016-s, janarin e 2 viteve më parë, ai u shtrua në qendrën kardiake të Monakos, për shkak të një problemi me aritminë. Shqetësimet iu rikthyen në shkurt të 2021, kur ish-Kryeministri u ndje keq në rezidencën e tij në Romë.
KARRIERA
Berlusconi lindi në Milano më 29 shtator të 1936. I rritur në lagjen milaneze të Isola, ai u diplomua në një institut fetar dhe u diplomua në jurisprudencë në Universitetin e Milanos. Pasi bëri punë të ndryshme nga këngëtar, shitës e agjent imobiliar, në fillimet e viteve ‘60, Berlusconi u bë sipërmarrës ndërtimi. Ishin vitet e “boom”-it ekonomik dhe Berlusconi pati suksese të njëpasnjëshme. Në 1977, Presidenti i Republikës së asaj kohe e shpalli “Kavalierin” e punës për aktivitetin e tij. Titull që vite më vonë gazetari Gianni Brera do ta transformonte në emrin më të përdorur për të.
Projekti i tij më i madh në ato vite ishte ndërtimi i “Milano 2”, një lagje rezidenciale në periferi të Milanos. Në brendësi të “Milano 2” operonte “Telemilanocavo”, një kanal lokal televiziv. Në 1976, e bleu këtë kanal dhe nisi të ndërtonte atë që në pak vite do të shndërrohej në grupin më të madh mediatik privat në Itali, “Mediaset”. Suksesin e arriti edhe falë mbështetjes së politikës. Suksesin më të madh televizionet e Berlusconi-t e arritën në vitet ‘80 dhe ‘90. Ai mori mirënjohje ndërkombëtare si pronar i klubit legjendar të futbollit AC Milan, të cilin e shpëtoi nga falimentimi në 1986. E me kuqezinjtë do të bëhej Presidenti italian më fitues në historinë e futbollit. Që prej vitit 1986 e deri në vitin 2017, kur hoqi dorë nga Milani, Berlusconi fitoi 29 trofe, 5 prej të cilave Champions League.
JETA
Përgjatë jetës së tij, Berlusconi u përball me dhjetëra procedime penale, që lidheshin me aktivitetin si sipërmarrës, atë në politikë, por edhe me jetën private. Problemet e tij me ligjin ishin tema kryesore e aktivitetit të tij politik. Pjesa më e madhe e procedimeve u mbyllën me lirime nga akuzat dhe parashkrime, por në vitin 2013 ai u dënua përfundimisht për evazion fiskal. Në fund të vitit 1993, dhe në fillim të 1994, krijoi “Forza Italia”, një parti personale e përbërë nga menaxherë të shoqërisë së tij, gazetarë, intelektualë dhe ish-politikanë nga partitë që i kishte të afërta. Në zgjedhjet e 1994 u prezantua si aleat me ‘Lega Nord” dhe “Alleanza Nazionale”.
Rrëmben një fitore suprizuese, megjithatë eksperienca e tij në qeveri zgjati pak. Berlusconi përfshihet në një hetim gjyqësor për punën e tij si sipërmarrës dhe dalin në dritë disa lidhje të dyshimta me krimin e organizuar, duke bërë që të humbiste mbështetjen dhe qeveria të binte në Dhjetor të atij viti. Berlusconi rikthehet në qeveri 7 vjet më vonë. Kur në zgjedhje e 2011, aleanca e tij merr gati 50 për qind të votave. Nis kështu qeveria më jetëgjatë në historinë e Italisë republikane. Qeveria bie pas 4 vitesh, por vetëm për t’u zëvendësuar nga një qeveri e tretë Berlusconi, që çoi në fund legjislaturën. Politikisht, Berlusconi prezantohej si konservator liberal në hapat e Ronald Reagan dhe Margaret Thatcher, por stili dhe gjuha që përdorte, shpesh ishin populiste, ndërsa mënyra e menaxhimit të mediave dhe pyetjet ndërkombëtare, i sollën shpesh kritika të shumta në Itali dhe jashtë saj.
Gjatë viteve të fundit u bë gjithnjë e më shumë problematike marrëdhënia e tij e ngushtë me presidentin rus Vladimir Putin. Në 2006-n, Berlusconi humb një numër të mirë të votave, por rikthehet në pushtet 2 vjet më vonë. Me ardhjen e krizës financiare, stanjacionit të viteve 2000, Italia futet në një recension të rëndë. Berlusconi nuk arriti që të bindte aleatët e tij për të kaluar reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian. Situata e borxhit publik u bë gjithnjë e më shqetësuese dhe në dimër të 2011-s, Lega nuk kishte sërish numrat në parlament. Berlusconi tërhiqet për herë të fundit dhe zëvendësohet nga një qeveri teknike. Në 10 vitet e fundit të karrierës së tij politike, Berlusconi drejtoi rënien e ngadaltë të partisë së tij. Ndonëse nuk e pati më rëndësinë e dikurshme, ai mbeti deri në fund figurë qendrore në politikën italiane. Berlusconi u martua dy herë. Martesa e parë në 1964 me Carla Dall’Oglio dhe e dyta me Veronica Lario në 1985. Të dyja martesat u mbyllën me divorce.
Ndarja me Veronica Lario, e nisur në 2019, u komentua gjerësisht në media. Nga martesa e parë, Berlusconi pati dy fëmijë, Marina, presidente aktuale e “Fininvest” dhe grupit “Mondadori” dhe Pier Silvio, presidenti aktual i “Mediaset”. Nga martesa e dytë me Lario, lindën Barbara, Eleonora dhe Luigi. Gjatë karrierës, Berlusconi krijoi një imazh prej “maço”, me batuta të shpeshta seksiste. Jeta e tij private ishte e mbushur me skandale seksuale, disa prej të cilave shkuan deri në gjyq. Berlusconi do të varroset në mauzoleun e ndërtuar nga arkitekti Pietro Cascella në vilën e tij në Arcore, në provincën e Monza-s dhe Brianza-s.