BallinaKryesoreBujar Leskaj: Autoriteti i Konkurrencës ka dështuar, ai është larg të qenit...

Bujar Leskaj: Autoriteti i Konkurrencës ka dështuar, ai është larg të qenit avokat i biznesit të ndershëm të papërkrahur nga qeveria

Nga Bujar Leskaj
Sigurisht që AK e ka të vështirë të realizojë misionin e tij tek ne, ku funksionimi i shtetit ligjor është i dobët, shkalla e korrupsionit është e lartë dhe kapja e shtetit paraqitet në përmasa tejet shqetësuese. Megjithatë, institucioni duhej të kishte provuar më fort të luftonte rastet e shumta të situatave kartel në sektorë të ndryshëm të ekonomisë sonë, të tipit monopol dhe oligopol, bazuar në denoncimet e shpeshta të qytetareve për abuzimet me çmimet, të përcjella nga mediat tradicionale dhe mediat sociale të vendit.
Hetimet e tij të thelluara në tregjet e prodhimit dhe tregtimit të miellit, apo në tregun e tregtimit të karburanteve, duhej të kishin dalë me sanksione konkrete ndaj shkelësve të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, të parimeve dhe rregullave të konkurrencës së lirë.
AK dështoi në këtë mision dhe për rrjedhojë, për fat të keq, marrëveshjet horizontale apo vertikale, krijimi i pozitave dominuese në tregje të caktuara, monopolet apo oligopolet, vijuan me të njëjtin ritëm, në mos edhe me një ritëm më të shtuar, që të dëmtojnë funksionimin e tregjeve, zhvillimin e biznesit të papërkrahur nga qeveria dhe konsumatorët shqiptare, përmes çmimeve fundore abuzuese në treg, për shkak të situatës kartel.
Situata kartel formohet për shkak të pranisë së një tregu oligopol në një sektor të ekonomisë, ku ka disa kompani të mëdha, të cilat, për shkak të madhësisë së tyre, përcaktojnë çmimin e një produkti apo shërbimi në treg, në bazë të një marrëveshje të fshehtë mes tyre, për të fiksuar një nivel çmimi jo mbi bazën e fitimit të dalë nga raporti kërkesë-ofertë, por duke i shtuar këtij fitimi edhe një pjesë abuzive të fitimit monopolist.
AK nuk ka arritur të luftojë me efektivitet praninë dhe veprimin e karteleve në shumë sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Ai nuk ka arritur të shmangë situatat ku një grusht kompanish, të quajtura rëndom nga populli oligarkë, fitojnë, të suportuar nga qeveria, shumicën dërrmuese të tenderave të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Ju sjell situatën e ligjëruar në qarkun e Vlorës, ku kompani të konsoliduara dhe serioze të ndërtimit në këtë qark, në 5-7 vitet e fundit nuk arrijnë të fitojnë asnjë tender nga ARSH apo FSHZH, edhe pse konkurrojnë rregullisht.
AK nuk ka ndërmarrë asnjë hetim për situatën duopol në tregun e shërbimeve telefonike dhe celulare, megjithë shqetësimet dhe ankesat e parreshtura të qytetarëve, të përcjella nga mediat e vendit.
AK nuk ka arritur të plotësojë pritshmëritë e qytetarëve dhe të garantojë ndërveprimin e barabartë mes operatorëve të biznesit në tregjet e importit, shitjes me shumicë dhe pakicë të ushqimeve të shportës, karburanteve dhe te energjisë elektrike për biznesin e mesëm.
AK nuk doli në asnjë rast kundër dublimit dhe praktikisht zerimit të kontrollit të tij në periudhën mesi i marsit 2022-qershor 2023, për shkak të veprimtarisë së bordeve të caktimit të çmimit tavan për tregjet e karburanteve dhe të ushqimeve bazë, të ngritura përmes akteve normative të qeverisë, pavarësisht se prania e tyre mund të përligjej vetëm në tre-katër javët e para të emergjencës së çmimeve, nën efektin psikologjik të agresionit të Putin në Ukrainë.
AK duhej të kishte këshilluar qeverinë dhe të theksonte me forcë në publik se kontrolli i drejtpërdrejtë i çmimeve, apo ndërhyrja në një masë drastike e qeverise në tregje, në formën që u aplikua përmes bordeve, sjell pasoja të rënda në ekonomi, sikurse u vërtetua në praktikë nga menaxhimi 15 mujor me borde i dy tregjeve jetikë për ekonominë tonë, si ai i ushqimeve bazë dhe i karburanteve. Këto pasoja do të ndihen shumë gjatë në ekonomi.
AK duhej të ishte treguar aktiv në luftën ndaj kostove të fshehta dhe të rritura të transaksioneve në industrinë financiare dhe bankare të vendit. Ai duhet të kishte rrokur inisiativën të hetonte, bazuar në denoncimet e shumta të qytetarëve ndaj nivelit, të perceptuar prej tyre si abuziv, të përqindjeve të interesit të ngarkuara nga institucionet dhe shoqatat e kursim-kreditit në mikrokreditë e dhëna, elementë që të çonin në dyshime të arësyeshme për praninë e një karteli në këtë sektor.
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular