E mbani mend Debatik Currin? Dikur i shënonte Holandës me fanellën e Kombëtares shqiptare, ndërsa sot është trajner te Prishtina. Ish-mbrojtësi kuqezi, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka folur në prag të ndeshjeve të Shqipërisë, duke prekur disa tema për Kombëtaren, karrierën e tij si trajner dhe natyrisht përfaqësuesen e Kosovës.
Prej disa muajsh jeni trajner i Prishtinës dhe e mbyllët sezonin me trofeun e Kupës. Cila është ndjesia tani që drejtoni skuadrën?
Një sezon, i cili u mbyll me fitimin e Kupës së Kosovës…
Si trajner nuk e prisja që të filloja kaq mirë, por besoj se me punë dhe përkushtim ia arrita që të fitoj Kupën dhe të eliminoj shumë kundërshtarë të fortë si Ballkani, Dukagjini dhe Gjilani, të cilat i kemi kaluar gjatë rrugës dhe me meritë kemi fituar.
Është më e vështirë si trajner apo të jesh lojtar në fushë?
Normalisht që si trajner është shumë më e vështirë. Ke punë me 30 futbollistë me karaktere të ndryshme, ndërkohë kur je futbollist ke vetëm veten dhe duhet të menaxhosh situata të caktuara dhe nuk ke të tjera probleme. Kështu që roli i trajnerit është më i vështirë.
Të flasim pak për Kombëtaren shqiptare, i keni ndjekur ndeshjet e fundit, si ju janë dukur?
Kombëtarja ka pasur ngritje. Ka një grup me lojtarë cilësorë që po e tregojnë edhe me klubet e tyre. Besoj se do të ketë shumë suksese në këto eliminatore, sepse besoj se Shqipëria ka një potencial të madh.
Çfarë përshtypje ju jep trajneri i ri, braziliani Silvinjo?
Është dashur një ndryshim sa i përket trajnerit. FSHF ka marrë një brazilian, i cili mendoj se do të bëjë lojë më sulmuese. Siç dihet, ne kemi pasur shumë trajnerë italianë që fokusin kryesor e kanë pasur në mbrojtje. Besoj se ka qenë i nevojshëm një ndryshim i tillë dhe Silvinjo do të ketë sukses me këtë ekip.
Çfarë mendimi keni për repartin e mbrojtjes?
Në mbrojtje kemi mjaftueshëm lojtarë me eksperiencë si Gjimshiti, Hysaj dhe Kumbulla, që është i dëmtuar. Janë lojtarë që luajnë në Serinë A. Siç dihet, kampionati italian fokusohet shumë në fazën e mbrojtjes, edhe pse me Rejën kemi luajtur me 3 dhe mendimi im është që nuk janë përshtatur mirë me atë sistem, por prapëseprapë kemi edhe lojtarë të talentuar të rinj dhe një të ardhme të ndritur të Kombëtares.
Si i shihni dy ndeshjet e radhës me Moldavinë dhe Ishujt Faroe?
Besoj se në dy ndeshjet e radhës me Moldavinë dhe Ishujt Faroe jemi favoritë. Do të marrim gjashtë pikë dhe do të përgatitemi për ato më të fortat. Mendoj se do ta ndihmojnë ekipin që të kemi një stabilitet edhe për ndeshjet e ardhshme.
Sa shanse ka Shqipëria për një kualifikim në Europian?
Shanse ka shumë. Unë mendoj se do të kualifikohemi. Nëse fitojmë këto dy ndeshje, besoj se do të kemi shumë shanse për t’u kualifikuar.
Mbani kontakte me shokët e Kombëtares, me cilët flisni më shpesh?
Mbaj kontakte patjetër, me shumicën prej tyre, qoftë të vjetrit dhe me ata më të rinjtë. Komunikojmë edhe për punë dhe për jetën normale. Kur kemi mundësi takohemi në ndonjë rast kur jemi afër. Normalisht gëzohem për të gjithë ata lojtarë që kemi luajtur dhe tani janë të suksesshëm dhe shpresoj se ky komunikim i mirë dhe i sinqertë, ku kemi ndarë dhomat e zhveshjes, kemi dhënë maksimumin për Kombëtaren e Shqipërisë, kemi derdhur djersë, të vazhdojë edhe më tej.
Kombëtarja e Kosovës ka bërë hapa të mëdha në vitet e fundit, si e shihni aktualisht ekipin e Zhires?
Edhe Kosova ka një skuadër mjaft të mirë, të re në moshë dhe futbollistë të talentuar si Rashica, Rrahmani, Muja, që janë shpallur kampion në shtetet e tyre, por edhe mjaft futbollistë të tjerë si Muriqi që ka bërë një sezon të shkëlqyer në Spanjë. Është një ekip me potencial dhe duke filluar nga këto ndeshje, shanset do të rriten për një kualifikim të mundshëm. Besoj se me këtë skuadër që ka dhe me trajnerin Zhires, i cili ka eksperiencë, them se do të kenë sukses.
Sa shanse mendoni se ka Kosova për një kualifikim në “EURO 2024”?
Mendoj se shanset e Kosovës për një kualifikim janë më të vogla se ato të Shqipërisë. Ka një grup me kundërshtarë më të vështirë, por besoj se me kualitetin që ka, mund të arrijnë që të kenë sukses dhe pse jo të kualifikohen në Europian.
KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL