Analisti i njohur Kreshnik Spahiu ka paralajmëruar zhvillime të bujshme në politikën shqiptare pas lëvizjes së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, i cili e gradoi Yuri Kim në postin që ka në dorë të gjithë “non gratat”.
Në një reagim për gazetën “SOT”, Spahiu thotë se kjo lëvizje nga amerikanët për ambasadoren e SHBA që nxori nga politika ish-kryeministrin Sali Berisha jep sinjale se situata do të jetë edhe më e nxehtë për “non gratat”. Sipas analistit, Kim e fitoi betejën me ish-kryeministrin demokrat.
Ai shprehet me bindje se emërimi i Yuri kim nuk lidhet me betejën e fituar nga një individ qoftë ky edhe Sali Berisha. Sipas tij, SHBA e ka si praktikë në diplomacinë e tyre që të promovojnë një diplomat që është përballur me presione të regjimeve politike. Spahiu shprehet se ata nuk e lëshojnë misionarin e tyre në shtetet konfliktuale, por përkundrazi e promovojnë. Analisti e përmend këtë fakt pasi pas shpalljes së Sali Berishës non grata nga DASH, Yuri Kim pati qëndrime të forta në publik për kreun e “Foltores”. Nuk ka ndodhur asnjëherë që një politikan shqiptar të ketë patur një përplasje kaq të fortë, kaq direkte dhe kaq me pasoja, sa ka patur dhe ka Sali Berisha me Yuri Kim. Falë SHBA, Berisha tani nuk ka parti, as vulë, as sigël.
Yuri Kim, ambasadorja më e fortë që ka patur Shqipëria
Kim është mes 20 diplomatëve që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka dërguar në Tiranë që nga viti 1922 kur mes amerikanëve dhe shqiptarëve u vendosën marrëdhëniet diplomatike. Me statusin ministra, ambasadorë, të dërguar të jashtëzakonshëm apo edhe thjesht përfaqësues diplomatikë të SHBA-së, ata që kanë drejtuar Ambasadën Amerikane në Tiranë kanë bërë njëherësh edhe historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve. Por, sipas Spahiut, ambasadorja Yuri Kim mund të konsiderohet si diplomatja më e suksesshme që ka patur ndonjëherë SHBA në Shqipëri me rolin e saj të fuqishëm, sypatrembur dhe të vendosur për të shkatërruar korrupsionin në vendin tonë si asnjë tjetër ambasador amerikan. “Sa më shumë përplasje diplomatike të ketë ambasadori aq më shumë promovohet.
Sa më shumë akuza të ketë aq më shumë promovohet dhe kjo ka ndodhur me Yuri Kim. Ajo është një nga diplomatet e pakta që gëzon konsensusin e republikanëve dhe demokratëve dhe kjo është shumë e rëndësishme. Në 30 vite në vendin tonë Kim ka qenë ambasadorja më e fortë dhe më e suksesshme. Pati një mision të rëndësishëm të ndarë në disa parime specifike, në Shqipëri është ngjallur një frymë anti-amerikane që nuk ka ekzistuar kurrë më parë. Po ju them me bindje se emërimi i Yuri kim nuk lidhet me betejën e fituar nga një individ qoftë ky edhe Sali Berisha.
Arsyeja që mund të ketë pasur diçka në të shkuarën në Turqi është një arsye më shumë që në praktikën e diplomacisë amerikane të promovohet një diplomat që është përballur me presione të regjimeve politike, ata nuk e lëshojnë misionarin e tyre në shtetet konfliktuale, por përkundrazi e promovojnë”, u shpreh Spahiu.
Fillon plani “B” për non gratat
Nga ana tjetër, Spahiu e ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të aplikojnë planin “B” për “non gratat”, sikundër është sekuestrimi i pronave të tyre, bllokimin e aseteve dhe llogarive bankare. “Amerikanët e kanë në agjendë dhe kanë një plan B. Ata kanë listën e Departamentit të Shtetit dhe të Departamentit të Thesarit. Një pjesë të personaliteteve i kanë shpallur non-grata dhe një pjesë i kanë nxjerrë sekuestro të aseteve dhe kontove bankare. Nga Departamenti Amerikan i Shtetit për Berishën ka funksionuar vetëm lista e parë, jo lista e dytë.
Sipas diskutimeve dhe informacioneve që japin amerikanët, për të gjithë ata që shpallen “non-grata”, kanë parasysh edhe listën e dytë, që është një plan B për asetet e tyre”, deklaroi ai. Pra pozicioni që mori Yuri Kim, në krye të hetimit të “non gratave” dhe plani i amerikanëve për të filluar me fazën e dytë të pushtetarëve të lartë të korruptuar paralajmërojnë se ish-kryeministrin Berisha,“non gratat” dhe pushtetarët e lartë të korruptuar i presin ditë të vështira.