Janë publikuar pamjet e grabitjes së këmbimit valutor në zonën e Astirit në Tiranë, ku një person i maskuar dhe me një pistoletë në dorë hyn në biznes dhe duke mbajtur nën kërcënimin e armës dy punonjëset, vjedh të gjitha paratë që ndodheshin në arkë.
Mësohet se shuma është rreth 40 mijë euro. Momenti është filmuar nga kamerat e sigurisë dhe siç shihet nga pamjet e publikuara, autori sapo gjen derën të hapur, hyn me shpejtësi dhe shtyn njërën prej tyre. Më pas ai i kërkon t’i tregojë vendin e parave.
Teksa i kërcënon me armë, autori fut paratë në xhaketë dhe kontrollon çdo sirtar të mundshëm. Ai nuk duhet të mbajë doreza, teksa është i maskuar me një maskë anti-virus, syze dhe kapele. Në një moment shihet të hyjë një kliente, me një punonjëse, që i bën shenjë të largohet.
Autori vrapon me shpejtësi pas marrjes së parave, teksa dyshohet se ai është larguar me biçikletë pas grabitjes. Njëra prej vajzave duket e tmerruar pas ngjarjes, ndërkohë që tjetra nxiton të bëjë një telefonatë për të njoftuar dikë.