NGA GENTIAN GABA
Kthimi i Lulzim Bashës ka ngritur tymnajën e pritshme. Hapi pas për t’i lënë hapësirë bashkimit vitin e shkuar shkoi dëm. Përpjekjet për të gjetur një pikë takimi mes grupit të rithemelimit dhe Partisë Demokratike ranë në veshë të shurdhët. Berisha, nga qartësia e tij politike, nuk ka pasur dhe nuk ka ndërmend të heqë dorë nga nevoja e tij ekzistenciale për të mbajtur monopolin e opozitës.
Naivisht, ose jo, debati pas kthimit të Bashës duket si një kopje e asaj që ndodhi vitin e shkuar; kur, pas zgjedhjeve të 6 marsit, deputetët e Partisë Demokratike i kërkuan një hap pas Bashës dhe Berishës.
Atëherë vetëm Basha reflektoi dhe i hapi rrugë zgjidhjes së kërkuar nga deputetët. Duke bërë këtë, tregoi se nuk kishte asnjë interes personal në mbajtjen me vendosmëri të qëndrimit të 9 shtatorit, kur i ra barra për të ndarë fatin personal të Berishës nga ai i Partisë Demokratike.
Se çfarë ndodhi më pas është në sytë e të gjithëve.
Revolucioni i foltores nuk ndezi. Premtimi për rrëzimin e Ramës për gjashtë muaj u fik bashkë me revolucionin.
Akuzat, balta, intrigat e kurdisura në kurriz të Bashës dhe atyre që mbështetën rrugëtimin e ri të Partisë Demokratike pas 9 shtatorit, u tretën nën sprovën e kohës, që mbetet gjithmonë ilaçi më i mirë ndaj gënjeshtrave.
Provë për këtë nuk është vetëm Dosja “McGonigal”, që tregoi sesi Rama, duke u përpjekur të vrasë kundërshtarin e tij politik, ra në rrjetën e një merimange nga e cila nuk ka dalë ende, duke hedhur poshtë tymnajën e marrëveshjes së fshehtë, me të cilën kundërshtarët, brenda dhe jashtë partisë, kërkonin të dëmtonin Bashën në elektorat dhe në PD. Përfituesit e kësaj strategjie tashmë dihet se kush janë.
Basha shkoi në Amerikë, aty ku Berisha nuk shkon dot më prej kohësh, por akuzonte të parin se matanë Atlantikut e priste një fat i zi. Iku dhe kjo, bashkë me fantazitë e tjera.
Në ndërkohë që Berisha po zvogëlohej nën peshën e kthimit të bujshëm, pa asnjë bujë në dobi të demokratëve, Basha nisi të punonte mbi një rezolutë në Këshillin e Europës për rindërtimin e Ukrainës. Një sipërmarrje që po akumulon mbështetje e që në shtator me shumë gjasë do të shohë dritën jeshile, duke e vendosur në qendër të prozhektorëve perëndimorë. Jo pak për një “peng”!
Dhe ja ku jemi te gara në Partinë Demokratike.
14 maji, një Waterloo e të gjithë atyre që flirtuan me idenë e riciklimit në vend të ndryshimit, konfirmoi drejtësinë e betejës së të gjithë atyre që kërkonin një reformim të thellë të opozitës, larg të shkuarës dhe të shkëputur nga konflikti personal i Berishës me SHBA dhe Britaninë e Madhe.
Sigurisht edhe në 14 maj, si në 25 prill të 2021-shit, Rama abuzoi me zgjedhjet. Por, si atëherë edhe tani, te zyra e ankesave përtej Adriatikut, nuk e hap njëri telefonin.
Përgjigjja ndaj këtij ngërçi është e thjeshtë, që të ikë Rama, që partnerët ndërkombëtarë të investohen në mbrojtjen e votës, duhet që opozita të reformohet për të marr në këmbim partneritetin e tyre. Përndryshe, do të vlejë paradigma e vjetër e përdorur nga votuesit dhe ndërkombëtarët, The Devil You Know (Djalli që njeh).
Dhe kjo ftesë e ndërkombëtarëve për partneritet është ende në tryezën e opozitës. Ka mbetur aty që prej ditës në të cilën përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas 9 shtatorit, mbështeti vendimmarrjen e Bashës, duke thënë, ndër të tjera, që SHBA mezi pret të festojë fitoren e Partisë Demokratike.
Mesazh ky që u dëgjua qartë nga të gjithë, e në veçanti nga Rama, i cili lidhi besën fshehurazi me ata që i nevojiteshin në opozitë, për të mbetur ai alternativa dhe interlokutori i vetëm, dhe dy të tjerët sfiduesit pa alternativë. Por të kënaqur edhe me një vend të dytë që siguron një mbrojtje politike.
Që opozita të marrë atë ftesë partneriteti, ka nevojë urgjente të përfundojë punën e nisur në 9 shtator. Ky është kapitali i saj më i madh elektoral. Jo si një revansh ndaj liderit historik, por si tregues i vendosmërisë për të ndjekur një rrugë sa të vështirë dhe po aq të dhimbshme, që të çon te ndryshimi i vërtetë. Një ndryshim që Basha e nisi dhe shumë pak njerëz në Grupin Parlamentar patën guximin ta ndjekin, madje disa u zhdukën rrugës, nën refrenin apolitik të bashkimit për hir të bashkimit, pa kuptuar se pa kaluar këtë sprovë, nuk mund të ketë një PD fituese dhe të besueshme për faktorin ndërkombëtar.
Kthimi i Bashës është një garanci për këtë proces, sidomos pasi askush nga ata që vitin e shkuar i kërkuan një hap pas, nuk u tregua i aftë të bëjë një hap përpara për ta nxjerrë Partinë Demokratike nga stanjacioni në të cilin ra. Madje edhe përsëritja e debatit të vitit të shkuar, ku kërkohej largimi i Bashës dhe Berishës, nga po të njëjtat persona, tregon pikërisht se në interes nuk kanë ringritjen e PD, por pengimin e kandidatit të vetëm për kryeministër që opzoita ka.
Dhe stuhia në gotë e nisur nga pak njerëz, ka qëllimin e vetëm të cënoj në mënyrë hileqare rrugëtimin e Bashës. Por nuk do t’ia dalin dot sepse, me përjashtime të vogla, ata nuk ekzistojnë pasi janë produkte të fantazisë politike të Lulzim Bashës, që nuk kanë as projekt, as qartësinë dhe as forcën për t’i qëndruar ndarjes me të shkuarën.
Edhe flirtimi i disave me idenë e hedhur të një kandidati për kryministër të ndryshëm nga Sali Berisha, por gjithmonë nën petkun e tij, dëshmon voglësinë e intuitës politike dhe paaftësinë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur këto 10 vite në Shqipëri e në veçanti dy vitet e fundit. Të shënuara nga dualizmi në realitet dhe në perceptimin publik, i cili rezultoi elektoralisht jo-efikas dhe ndërkombëtarisht i papëlqyeshëm.
Me fjalë të vogla, me Berishën minon çdo mundësi të opozitës për fitore!
Prandaj PD ka nevojë për të nisur nga aty ku e la. Sigurisht duke mësuar nga gabimet e të shkuarës, por e vetëdijshme se kompaktësimi i radhëve, me në qendër vlerat për të cilat u luftua aq ashpër, me njerëz që deri pak kohë më parë kishin ndarë bukën, është themeli mbi të cilin mund të ngrihet ngrehina shpirtërore dhe morale e kësaj force politike.
Vetëm kështu mund të dalë përpara shumicës së heshtur të 14 majit, e cila rrefuzoi të merrte pjesë në zgjedhje. Me moral, me vlera dhe parime që dëshmojnë se sakrifica nëpërmjet të cilës kjo forcë ka kaluar, u bë për të qenë alternativa më e mirë qeverisëse.
Pas 29 korrikut Bashës i lindë detyra të jetë interlokutorë i kësaj shumice të heshtur, t’i japë zë asaj. Të zgjasë drejt saj dorën e bashkëpunimit, në një aleancë qytetare e cila mblidhet rreth platformave që janë parashtruar deri tani, të cilat synojnë zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës, kthimit të Shqipërisë në një Republikë Parlamentare, fuqizimit të votës së qytetarëve, fuqizimit të institucioneve, hapjen e listave dhe garës politike, që garanton edhe çdo gjë tjetër që është e mirë në një shoqëri funksionale që ofron mundësi për të gjithë.
Sfida është shumë e madhe, por Basha ka përvojën dhe kapacitetin për ta bërë këtë. Prova e lidershipit që dha në dy vitet e fundit është më e madhe se çdo paqartësi tjetër që mund të ketë prodhuar e shkuara.