BallinaUncategorized“S’gjeta nuse, na morën lopën! Ngelëm 1 behar pa dhallë”- Dokumenti i...

“S’gjeta nuse, na morën lopën! Ngelëm 1 behar pa dhallë”- Dokumenti i vitit ’51 për tatimin e pazakontë ndaj beqarëve, ja kush përjashtohej! Vellot dhe stolitë e dasmës ndaloheshin me ligj

LLAMBI ZISI

Në Shqipërinë pa taksa ka një taks të çuditshme, një taks për beqarët që vonojnë të martohen dhe gratë e veja që vendosin të rrinë të vetmuara. Kështu shkruante në shtypin vendas Iliaz Demçollari një emigrant shqiptar në SHBA, I porsa kthyer nga vizita në vendlindje Devoll. I veçuar si lajm në të përditshmen amerikane, shkrimi I Demçollarit, tërhoqi vëmendjen e opinionit dhe aty këtu u vlerësua I pavërtetë, aq sa autori u detyrua të ofronte për redaksinë dhe dokumentin përkatës me firmë dhe vulë.

Në Shqipëri pra të detyruakan të martohesh me dhunë, shkroi në nëmurin në vijim gazeta amerikane duke e vlerësuar këtë si një paradoks të regjimeve totalitare. Po cila ishte e vërteta e këtij lajmi të pabesueshëm dhe për çfarë tatimi bëhej fjalë asokohe kur Shqipëria krenohej si I vetmi vend në Evropë pa taksa.

Gazeta publikon sot dekretin e Presidiumit të Kuvendit Popullor që mban datë 9 shkurt të vitit 1951 të bërë të disponueshëm së fundi nga Arkivi Qendror Shtetëror. Në të bëhet e ditur se autoritetet kishin vendosur një shumë tatimi për beqarët, personat e ve pa fëmijë dhe të shkurorëzuarit pa fëmijë që startonte në shifrën tre për qind të të ardhurave mujore për moshat mbi 20 vjeç për meshkujt dhe femrat.

Në vendim parashikohej ndarjen në disa kategori të personave që e paguajnë taksën. Tarifa llogaritej tre për qind për punëtorët dhe nëpunësit mbi të ardhurat mujore. Për tregtarët, zejtarët dhe profesionistët llogaritej katër për qind mbi të ardhurat vjetore. Fshatarët mjaftonin të paguanin 600 lekë në vit, ndërsa personat e tjerë 200 lekë në vit. Sakaq dekreti kishte edhe përjashtimet e veta nga tatimi. Ushtarët, nënoficerët, nxënësit, invalidët, klerikët fetarë, gratë e veja etj., ndaloheshin që të paguanin taksë për beqarinë.

Për punëtorët e nëpunësit e administratave shtetërore, organizatat ekonomike, shoqërore e politike dhe për punëtorët e nëpunësit privatë tatimi llogaritej prej punëdhënësit në bazë të rrogës për muajin e kaluar dhe ndalohej nga rroga e pesëmbëdhjetë ditorit të parë të muajit pasardhës. Për tregtarët, tatimi llogaritej mbi të ardhurat në fund të vitit. Ata mund ta bënin pagesën në katër këste, më 1 Prill, më 1 Korrik, më 1 Gusht dhe më 1 Dhjetor. Në rastin e mospagesës dekreti parashikonte sanksione specifike.

Për emërtimin e ndalesës shprehej vendimi, ose për ndalesa tatimesh jo të rregullta të punëtorëve dhe nëpunësve beqarë, të veve pa fëmijë dhe të shkurorëzuarve pa fëmijë si dhe për mosderdhjen në kohë në bankën e shtetit të shumave të ndaluara, personat përgjegjës dënohen me gjobë deri më një mijë lekë. Dënimi me gjobë jepet me vendim të përgjegjësit të seksionit financiar pranë komitetit ekzekutiv të rrethit ose qytetit dhe nxirret me ndalesë nga rroga.

Nëse tatimi nuk paguhet brenda afateve të caktuara veprohet në bazë të dispozitave të ligjit mbi nxjerrjen e të ardhurave shtetërore. Qytetarët mund të kundërshtonin mbi tatimin e beqarëve brenda 30 ditëve. Ato shqyrtoheshin nga përgjegjësi i seksionit financiar dhe vendimi përkatës i komunikohet pagëdhënësit me shkrim”. Po çfarë përmbante tjetër dekreti i Presidiumit të Kuvendit popullor për beqarët e vonuar…

DOKUMENTI

Republika Popullore e Shqipërisë Presidiumi i Kuvendit Popullor Në mbështetje të nenit 58, pika 6 të kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, mbi propozimin e qeverisë, presidiumi i Kuvendit nxjerr këtë dekret Dekret datë 9 shkurt 1951, mbi tatimin e beqarëve

Neni 1

Të gjithë shtetasit beqarë, të vetë pa fëmijë dhe të shkurorëzuarit pa fëmijë detyrohen të paguajnë tatim sipas dispozitave të këtij dekreti.

Neni 2.

Tatimi mbi beqarët, të vetë pa fëmijë dhe të shkurorëzuarit pa fëmijë merret nga personat me moshë lart nga

20 vjeç deri 50 vjeç për meshkuj dhe lart nga 20 vjeç deri 40 për femrat. Tatimi fillon të paguhet nga 1 Janari pas vitit që pagëdhënësit kanë mbushur 20 vjetët dhe pushon në mbarim të vitit kalendar në të cilin burrat mbushin 50 vjetet dhe gratë 40 vjetët Neni 3 Pagëdhënësit e këtij tatimi ndahen në tri kategori.

A) Në kategorinë e parë përfshihen persona që paguajnë të ardhura punëtorë nëpunës tregtar etj.

B) Në kategorinë e dytë përfshihen persona që paguhen mbi ekonomitë bujqësore dhe kooperativat bujqësore.

C) Në kategorinë e tretë të gjithë personat e tjerë.

Neni 4

Tatimi i beqarëve, të vejave pa fëmijë, dhe të shkurorëzuarve pa fëmijë që përfshihen në pikën e parë merret mbi të ardhurat mujore dhe vjetore të vërtetuara për efekt aplikimi të tatimit mbi të ardhurat, duke u përfshirë edhe të ardhurat që u janë përjashtuar nga ky tatim. Tatimi i personave që përfshihen në kategorinë e dytë u merret nga shuma vjetore fikse

Neni 5

Përjashtohen nga pagimi i tatimit:

a)Ushtarët dhe nën-oficerët për kohën që ndodhen nën armë.

b) Nxënësit e shkollave të mesme dhe të larta deri në moshën 25 vjeç dhe ata që nga rrethana të luftës kanë një moshë më të madhe deri në mbarimin e studimeve.

c) Invalidët e luftës, të punës dhe natyrale të paaftë për punë.

ç) Punëtorët dhe nëpunësit me të ardhura mujore jo më tepër se 1200 lekë.

d) Pagëdhënësit dhe pjesëtarë e familjeve të ekonomive bujqësore, të ardhurat e të cilëve nuk kalojnë 10.000 lekë në vit.

dh) Klerikët, të cilët sipas rregullave fetare të tyre, nuk martohen.

e) Personat që për arsye shëndetësore iu ndalohet martesa për kohën që vazhdon ky ndalim.

ë) Gratë e veja.

Neni 6

Tatimi i beqarëve, të veve pa fëmijë dhe të shkurorëzuarve pa fëmijë llogaritet sipas tarifave që vijojnë:

Për gjithë punëtorët dhe nëpunësit, tre për qind mbi të ardhurat e tyre mujore.

Për tregtarët, zejtarët dhe profesionistët, katër për qind mbi të ardhurat vjetore.

Për fshatarët që paguajnë tatimin mbi ekonominë bujqësore dhe anëtarët e kooperativave bujqësore, 600 lekë në vit.

Për personat e tjerë 200 lekë në vit.

Përjashtohen nga pagimi i tatimit:

a)Ushtarët dhe nën-oficerët për kohën që ndodhen nën armë.

b) Nxënësit e shkollave të mesme dhe të larta deri në moshën 25 vjeç dhe ata që nga rrethana të luftës kanë një moshë më të madhe deri në mbarimin e studimeve.

c) Invalidët e luftës, të punës dhe natyrale të paaftë për punë.

ç) Punëtorët dhe nëpunësit me të ardhura mujore jo më tepër se 1200 lekë.

d) Pagëdhënësit dhe pjesëtarë e familjeve të ekonomive bujqësore, të ardhurat e të cilëve nuk kalojnë 10.000 lekë në vit.

dh) Klerikët të cilët sipas rregullave fetare të tyre, nuk martohen.

e) Personat që për arsye shëndetësore iu ndalohet martesa për kohën që vazhdon ky ndalim.

ë) Gratë e veja

“Gjoba që na la një behar pa dhallë”

Niman Zeneli me origjinë nga Vajza e Vlorës, është njëri nga të ndëshkuarit me taksën e beqarisë.

Në dhjetorin e vitit 51 ka shkuar në shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Vermosh të Shkodrës dhe është rikthyer në vendlindje pas tri vjetësh kur kishte mbushur 23 vjeç. Ndërkohë që për tri vjet me radhë familja nuk kishte paguar tatimin e shtetit për beqarinë e vonuar të tij. Zyrtarët lokalë që paraqiteshin çdo vit te shtëpia për të marrë detyrimin, nuk donin t’ia dinin që Nimani ato tri vjet kishte qenë ushtar dhe sipas dekretit përkatës përjashtohej nga tatimi. Dhe ndodhi ajo që nuk pritej. Në mungesë të taksës së papaguar, i morën lopën e shtëpisë.

“Ka qenë diçka e tmerrshme, pavarësisht se sot të duket paradoksale”, kujton Nimani. Merrnim frymë vetëm nga një lopë dhe atë na I morën dhunshëm. Oh sa na kushtoi ajo gjobë! Plotë një behar mbetëm pa dhallë. Nuk kishte më keq, po duhej përshtatur për të mbijetuar. Vitin tjetër pastaj, e gjeta nusen dhe taksidari ma mori të keqen”.

Paradokse të tilla ka pasur me dhjetëra. Burrat beqar nga 20 deri në 50 vite paguanin vit për vit detyrimin sipas ligjit që për kohën ishte një tarifë jo e vogël. Po kështu, dhe gratë që deri në moshën 40 vjeçe kishin mbetur të pamartuara.

Vellot dhe stolitë e dasmës ndaloheshin me ligj

“Të bëjmë dasma socialiste, të thjeshta e pa stoli borgjeze” Në zbatim të kësaj direktive që vinte direkt nga kreu i regjimit, aty nga mesi I viteve 70 një tjetër dekret normonte më së fundi dhe eventin më të bukur të rinisë shqiptare.

Sipas tij, përjashtohej në dasmë velloja dhe fustani i nuses, ndërkohë që ndaloheshin dhe stolitë e tjera. Një përçartje e tillë e padëgjuar kurrë u prit me një revolt të brendshme, por nuk guxonte kush të mos e zbatonte.

U mbyllën me urdhër dyqanet e fustaneve të nuses dhe stolive të tjera. Në të gjitha rastet kur dikush kapërcente këtë normë ndëshkohej ligjërisht. Madje kishte raste kur autoritet që konstatonin shkelje futeshin dhunshëm mes dasmorëve dhe prishin dasmën.

Nuk është e rastit që setet e fotove të dasmave të viteve ’70-’80 nuk kanë vello dhe fustane nusërie. Një vegim i largët ky, por që ka mbetur brengë në kujtesën e atyre që kanë patur evenimentin më të madh të jetës në këtë periudhë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular