Në burg, Reshat Agaj përcolli shokët e qelisë që u dënuan me vdekje dhe në ditarin e tij, ai jep hollësi se si Reshat Stërmasi, para se të pushkatohej, pa në ëndërr fundin e vet tragjik. Të njëjtën gjë përjetoi edhe Vasil Llazari. Ata, para pushkatimit, ia treguan ëndërrat priftit Irine Banushit, i cili përpiqej që t’ua largonte parandjenjën. Ditari i Agajt, sjell tablonë e dhimbjes dhe përballjen me ashpërsinë e diktaturës në ato vite. Një tjetër tablo dhune, vjen nga kampet-burgje, ku të burgosurit shfrytëzoheshin dhe trajtoheshin si skllevër të mesjetës. Ai tregon se me 14 maj 1948, i njoftuan se do t’i dërgonin në atë që quhej këneta e vdekjes, në Maliq të Korçës. Jo pak, por 400 të burgosur, i nisën që në mëngjes herët drejt kënetës së vdekjes.

Në çdo kamion ishin vendosur 15-20 të burgosur, bashkë me plaçkat e tyre dhe të gjithë ishin të lidhur në një zinxhir të gjatë, që lidhte duart e tyre rreth e qark. Reshati shkruan se ka qenë një udhëtim skllevërish, me vuajtje dhe dhimbje të papërshkrueshme, se në çdo lëkundje të makinës, lëkundeshin dhe ata. Për pasojë, duart u shtrëngoheshin dhe u bëheshin plagë nga zinxhirët e trashë. Kur arritën atje pasdite vonë, gjetën dhe të burgosur të tjerë, nga burgjet e Durrësit dhe Elbasanit, plot 2000 të burgosur, të strehuar në gjashtë baraka të gjata druri, mbuluar me llamarina dhe mushama të vjetra dhe brenda ishin dy radhë vende për fjetje, shtruar me dërrasa.

Pikërisht aty kaloi plot gjashtë muaj të tmerrshëm, që nuk mundi t’i harronte derisa mbylli sytë në Kenosha, e u varros në Detroit. Reshati dëshmon se gjatë kohës që punoi atje, pa vdekjen me sy. Aty vdiqën nga torturat, sëmundjet dhe mundimet super-njerëzore, 135 shqiptarë të burgosur. U varrosën të gjithë në bregun para xhamisë së katundit Vloçisht, aty afër. Tetë vetë u vranë nga policët në mënyrë barbare, qoftë pse guxuan të bënin ndonjë kundërshtim të vogël. Apo, qoftë pse deshën policët për qef, t’u shtinin tmerrin të tjerëve, me akte çnjerëzore dhe të frikshme. Reshati dëshmon: “Para syve të mi u rrah sa dha shpirtin një tiranas, që kish dhe djalin e tij të burgosur, të cilin e mbuluan, si të ishte një qen i ndotur, në rrugën që të çonte në kanal, atje në vendin e punës, në baltën e tmerrshme të Maliqit”.

Jeta në kampin-burg ishte llahtar. Zgjimi bëhej në orën katër të mëngjesit dhe brenda një ore, duhej të bëheshin gati dhe të viheshin në rresht. E pasi të kishin marrë atë lugë çaj dhe bukën që iu jepej qysh në mëngjes niseshin për t’u përballur me baltën dhe shkopinjtë e policëve. Në fillim të kanalit ishte balta e tmerrshme e Maliqit plot me shushunja, që ngjiteshin nëpër këmbët e zbathura dhe ua pinin atë pikë gjak, që u kishte mbetur. Çdo i burgosur duhej të mbushte normën e përditshme, që ishte tre metra kub dhe’ të gërmuar, për ta transportuar në anën e kanalit me karroca dore. Kjo ishte një normë me të vërtetë çnjerëzore, po të merrej parasysh dobësia trupore, rezistenca e ulët e trupave të tyre, ushqimi mizerabël, balta e ngjeshur prej shekujsh nën ujë. Pastaj gjatësia e ditës së punës, që i kalonte 12 orët, etj.

Ai kujton se kishte të burgosur që e hanin racionin e bukës 700 gramësh, menjëherë në mëngjes, sapo e merrnin në dorë dhe e kalonin ditën me gjellën e drekës dhe të darkës pa bukë. Kishte njerëz që, për një paketë duhan, e shisnin gjysmën e bukës dhe mbanin barkun zbrazur, për ato të shkreta cigare dhe mbeteshin në rrugë, duke i shtyrë policët me dru prapa kurrizit, në mos më keq. Le ta shfletojmë ditarin: “Këtu kam parë me sytë e mi, se uria e çon njeriun të bëhet një shtazë e vërtetë. Ai që nuk e njeh urinë, nuk e njeh fare jetën. Vuajtjet këtu arritën kulmin e durimit njerëzor dhe shumë njerëz, që ishin pak të kaluar në moshë, u ënjtën aq shumë nga këmbët dhe fytyra, sa u bënë të panjohur e mezi njiheshin.

Ënjtja, thonin doktorët, vinte nga mungesa e vitaminave. Në kamp kishim nja pesë doktorë, që mbanin infermierinë në këmbë. Edhe ata ishin të burgosur me dënime të ndryshme. Kur policët vendosnin që njëri të shkonte në punë, sado të thonin doktorët se ai nuk ishte në gjendje, nga që ishte i sëmurë, ai do shkonte medoemos e, në vdiste rrugës, asnjeri nuk e çante kokën për të.

Polici më i tmerrshëm i këtij kampi, ishte një kurveleshas, vendosur me familjen e tij në Lushnjë. Ai ishte një tigër i vërtetë, i pashpirt dhe pamëshirshëm. Një tjetër polic, që gati sa s’më vrau në vend mua, ishte Ali Gana, nga Tërbaçi i Vlorës, i cili kish patur familjen e tij më parë në Brusnjë, ku banonin kushërinjtë e mi dhe kishte një urrejtje të pashpjeguar kundër gjithë familjes Agaj.

Një ditë me shi, kur ra bilbili për të ndaluar punën, unë u vonova vetëm pak çaste për t’u vënë në radhë, sepse po fshija baltën që më ish ngjitur për trupi. Aliu erdhi pas meje e më dha një grusht aq të fortë në hundë, sa më shkoi gjaku rrëke dhe. Po të kisha lëshuar një zë sado të vogël, apo ndonjë fjalë, ose, po të kisha bërë ndonjë gjest ankues, ai mbante dorën në kobure gati të ma hiqte. Fatmirësisht e durova këtë grusht me durimin e shenjtorit dhe nuk lëviza nga vendi”.

Më pas Reshati tregon edhe një rast tjetër, kur ai deshi që të mbushte paguren me ujin e kanalit, mbeti i fundit i kolonës.

Atëherë i shkon pranë polici, dhe e shtyu fort; e hodhi me kokë në fund të kanalit dhe koka iu fut në baltën e madhe, gati sa nuk i mori frymën. Në këtë kohë një polic që ishte në anën tjetër, se kolona e të burgosurve shoqërohej nga të dy anët e kanalit me dy rreshta të gjatë policësh të armatosur gjer në dhëmbë, i bërtiti policit që e shtyu, duke i thënë: – A t’i bie qenit, a t’ia marr shpirtin qenit?

Ai i dëgjonte qartë fjalët dhe orë e çast priste që t’i fishkëllente plumbi në trup, siç kishte ndodhur dhe me shumë të tjerë që e kishin pësuar. Një tjetër polic i thirri: – Ik përpjetë, ik përpjetë! Dhe ai, i trullosur dhe pa mend siç ishte, u hodh përpjetë dhe nisi të vrapojë derisa të zë kolonën, që ishte disa hapa para tij, duke lënë në vend torbën dhe ato pak rraqe që mbante me vete, si tasin e gjellës dhe të tjera.

Ai shkruan në ditar se; aq i tmerrshëm ishte terrori i asaj dite, saqë, kur e pa veten në pasqyrë të dielën pasuese, vuri re se, që nga mesi i ballit e deri prapa kokës, një vijë e bardhë ishte formuar në flokët e tij.

I ishin zbardhë flokët nga tmerri, që përjetoi. Kështu kaluan gjashtë muaj tmerri. Në ditar gjenë raste ekstreme dhune, gjenë të përshkruar tablonë mjerane të urisë, ku të burgosur me sy të errësuar nga të pangrënit, mbyllnin sytë dhe mblidhnin lëkurat e patateve që hidhnin në ujëra e zeza ata të kuzhinës, të cilat i hanin si të babëzitur. Një tjetër tmerr dhe mallkim për ata ishin morrat, që kishin mbuluar jo vetëm barakat, por edhe fushën e madhe midis barakave. Rrahjet dhe dhuna ishin të zakonshme. Injoranca e policëve merrte jetë të pafajshme. Gjatë një kontrolli, Reshatit i gjetën një libër në gjuhën angleze, që ia kishte dhënë Viktor Dosti.

Edhe pse i tha policit se libri vërtetë ishte në anglisht, por ai fliste për Englesin. Mirëpo polici s’dinte se ç’ishte Englesi dhe godiste pa pushim vetëm pse libri ishte në anglisht. Më 14 nëntor 1948 i kthyen në burgun e Tiranës, të lodhur e të rraskapitur.

Një maj 1949, lirimi nga burgu!

Pas rënies së Koçi Xoxes dhe influencës jugosllave, qeveria bëri shumë lirime nga burgu në 1 majin e vitit 1949. Nga burgu u vjetër i Tiranës, ku qëndronte i mbyllur Reshati, atë ditë u liruan plot 250 vetë.

Disa oficerë të Sigurimit rrinin te porta e burgut dha u jepnin nga një dëftesë për transportim për në vendet, ku secili prej tyre do të shkonte pranë familjeve. Reshatit i qëlloi numri 199 dhe priti, deri sa I erdhi radha. Me plaçkat ngarkuar si Zhan Val Zhani i Viktor Hygosë, siç e përshkruan ai në romanin “Të mjerët”, doli jashtë i veshur me rrobat e vjetra personale.

Bashkë me të ishin dhe Idriz Ruka, Kajtaz Abedini, që e akuzoi në gjyq, kur e arrestuan dhe Xhevit Mëhilli nga Dukati. Shkuan zunë një vend në një hotel të Tiranës për t’u nisur të nesërmen për në Vlorë. Të nesërmen shkoi në Vlorë, e prtiti Ejup Zotaj, që ishte bërë drejtor i Spitalit të Vlorës, për arsye se e shoqja, ishte kushërira e Hysni Kapos. Ai i dha kurajo duke i thënë se; me siguri do ta merrnin sërish në punë, si stenograf.

Tablo e zymtë mjerimi

Të nesërmen shkoi në Drenie pranë familjes. Pertefi, i vëllai ishte i burgosur dhe nuk dihej asgjë më shumë. Refua, nëna e tij, motrat Zineti, Manua dhe Elizabeta, gruaja e tij Drita dhe kunata Erveheja, me dy fëmijët e saj Fillandën dhe Astritin, që kish lindur më 1946-ën, kur ai ishte në burg, e pritën krahëhapur. I gjeti të gjithë shëndoshë e mirë, por të mjerët s’kishin bukë, se u ishte mbaruar misri.

Nga e tërë bagëtia, që kishin pasë më parë, u kishin mbetur nja 10-12 dhen dhe një lopë e racës “Shkodra”, e cila ishte shumë e dashur për fëmijët se i mbante gjallë me qumështin e saj.

Qeni ‘Gumo’, që mezi e mbanin lidhur me zinxhirë, kur Reshati ishte i lirë, tashti ish i sëmurë dhe kish rënë për të dhënë frymën e fundit.

Çohej nganjëherë në këmbë dhe lëshonte për një çast atë zërin e tij, por përsëri binte në shtratin e tij, i bërë fare skelet.

Të nesërmen ‘Gumo’, ishte shtri përdhe dhe rreth e rreth të tërë fëmijët e qanë me lot. ‘Gumo’ i shkretë ngordhi se s’kish ç’të hante dhe fëmijët hanin lakra të pjekura në furrë, me një dorë miell poshtë dhe një dorë miell sipër, për t’i dhënë pamjen e byrekut dhe një dorë kripë. Ky ishte ushqimi i vetëm i familjes. Nënë Refoja, i bënte Reshatit nga një kulaç të vogël, të cilin ia jepte ta hante veçmas.

Kurse ata vetë rrethonin një sofër druri e hanin të gjithë njëherazi, rreth tepsisë me lakra e petë misri. Në një vakt, kur po hante, i shkoi pranë duke u hequr rrëshqanthi pas murit Astriti i vogël, djali i Pertefit, që ishte tre vjeç dhe e pyet:

– Çeço, ç’bën ti, ha bukë? Reshati shkruan me pikëllim: “Unë kurrë s’do t’i harroj ato fjalë, sa të jem gjallë. Ai foshnjë i mjerë, i ushqyer keq e mos më keq, vështronte që unë po haja nga gjaku i tyre, se ata të gjithë hanin lakra. Buka m’u zu në fyt menjëherë dhe nuk pranova më të ha, veç nga ata dhe i thashë nënës se, doja të hanim të gjithë bashkë, lakra ju e lakra unë. Memorie.al

Fragmenti është shkëputur nga ”VËLLAI I PENGUT”, një libër që ka njohur deri më tani 3 ribotime. Libri nisi si Dossier prej meje në Gazetën ‘Illyria’. Ditarin ma dorëzoi Teki Gjonzeneli me banim në Nju Xhersi, dhe bashkëshortja Filanda, e bija Pertefit, vëllait të Reshat Agaj, i dënuar dhe i vrarë nga diktatura komuniste. Ishte një ditar i zverdhur prej kohës kur u shkrua prej intelektualit Reshat Agaj në Kenosha, Wsconsi-SHBA. Ditari iu besua një familjeje kercovare, familjes Hamdija, me amanetin: Ky ditar dhe këto $50 mijë dollar, t’i dorëzohen familjes me një kusht: Kur të rrëzohet komunizmi. Amaneti kaloi nga Kalosh Hamidija, që u vra me atentat, tek i biri, i cili e mbajti fjalën dhe në ’90-ën e dërgoi Ditarin dhe dollarët në Vlorë.