Nga Bujar Leskaj
Përpara disa ditësh në qytetin e Vlorës u promovua vëllimi i katërt poetik “Sikur qielli të ishte blu” i poetit, qytetarit fisnik, antikomunistit të vendosur dhe ish të burgosurit politik, z. Kujtim Murataj.
Përpara disa ditësh në qytetin e Vlorës u promovua vëllimi i katërt poetik “Sikur qielli të ishte blu” i poetit, qytetarit fisnik, antikomunistit të vendosur dhe ish të burgosurit politik, z. Kujtim Murataj.
Në takim ishin të preanishëm miq, familjarë, intelektualë e bashkëvuajtës të autorit.
Më poshtë, fjala ime modeste në këtë promovim.
“Të nderuar bashkëqytetarë,
I nderuar zoti Kujtim Murati!
Në krye të herës dëshiroj të shpreh falenderimin tim dhe ndihem shumë i privilegjuar që organizatorët e këtij promovimi më kanë ngarkuar moderimin e këtj aktiviteti.
Promovimi i vëllimit të katërt poetik të shkrimtarit Kujtim Murataj, padyshim është një ngjarje në jetën kulturore të qytetit tonë dhe jo vetëm.
Këtë promovim mund ta organizonte edhe Shoqata Mbarëkombëtare “Ismail Qemali”, Shoqata Kulturore “Kanina”, Instituti i Studimeve Politike “Ismail Qemali”, biblioteka e Universitetit, Shoqata e ish- të përndjekurve politikë dhe shumë institucione të tjera.
Por ne jemi të nderuar që një grup bashkëqytetarësh morën këtë nismë.
Unë do të jap disa impresione të miat, pa u futur në analizën e thellë të veprës.
Në mendimin tim, Kujtim Murataj është simbol i qytetarit fisnik vlonjat, njeri i letrave, personalitet i kulturën në qytetin tonë dhe simbol i qëndresës antikomuniste. Është kjo një trini e shenjtë që fisniku, qytetari dhe antikomunisti i vërtetë, ai që ka kaluar në gulagun komunist, rrallë bashkohen në një. Sepse mund të ketë shkrimtarë të talentuar, por nuk kanë dy cilësitë e tjera. Por të treja këto cilësi janë bashkuar tek zoti Kujtim Murataj. Ka shumë njerëz në qytetin tonë që janë simbole të qëndresës antikomuniste, por nuk kanë privilegjin e talentit, sepse të shkruash poezi do talent.
Sikundër ka shumë qytetarë të tjerë në Vlorë të talentuar, por që nuk kanë provuar këto vuajtje të terrorit komunist.
Në të gjitha këto aspekte z. Kujtim Murataj është një qytetar që na bën të krenohemi me të.
Kam patur rastin ta njoh Kujtimin herët, pas viteve ’90, në kohën e demokracisë, por jam krenuar me emrin e tij në Tiranë.
Rasti i parë ka qenë në vitet 2005 kur në një bisedë pune me intelektualin e shquar Fatos Lubonja, befas ai më jep një përcaktim për Kujtim Muratajn: “Kujtimi ishte njëri nga njerëzit më të ditur e më fisnikë në burgjet komuniste!”.
Dhe, sinqerisht, u ndjeva krenar, sikur Kujtimi të ishte njeriu im.
Të njëjtin opinion kam dëgjuar edhe nga personalitete të tjera të kulturës shqiptare, por edhe nga përfaqësues të qëndresës antikomuniste.
Vepra poetike e Kujtimit është vepër që ka dalë nga shpirti. Dhe është një vepër që vargun e parë e ka të shkruajtur në burgun famëkeq të Spaçit. Janë vargjet e një djali të ri që dalin nga vuajtjet, që dalin nga shpresa, nga ajo kompaktësi që kishin të gjithë të përndjekurit politikë, që u skalitën në muret e Spaçit për të vazhduar edhe deri sot, kur ne promovojmë vëllimin e tij të katërt. Vepra e tij duket e pakët në sasi, por është shumë e lartë në cilësi.
Për z. Kujtim Murataj kam lexuar në kujtimet e “Mandelës së Vlorës”, z. Petrit Velaj në librin e tij: “Nga prangat në demokraci”, ku ai sjell një fakt sinjifikativ, një poezi kuptimplote të Kujtimit për Vitin e Ri. Këtë poezi të burgosurit e kanë kujtuar, recituar, deklamuar kur “festonin” Vitin e Ri.
Natyrisht që në këto burgje fillimisht lexoheshin më parë poezitë e të madhit Kudret Kokoshi.
Por unë dua t’jua lexoj këtë poezi të Kujtim Muratajt, “Vit i Ri, Vit i zi” në respekt të qëndresës dhe në respekt të bashkëvuajtësve të tij, pavarësisht se nuk gjendet në këtë vëllim poetik:
“Ish Viti i Ri, ish Viti i zi
Një sok në tela na e vranë
Tek ecnim rrugës të brengosur
Disa prej nesh edhe qanë!
Ish natë e egër, ish suferinë
Vrasësit tanë ngrinin dolli
Ndërsa ne, thellë në galeri
Copëtonim shkëmbin me qysqi.
Pa na u kujtuan krimet
Që, një mbi një formojnë një mal
Dhe u ngjirëm duke thirrur:
“Ju s’jeni njerëz, por kanibalë!”
Vlera e kësaj poezie qëndron në faktin që kjo poezi më parë është kujtuar, recituar nga qindra ish- të burgosur politikë.
Për t’u rikthyer tek NJERIU, Kujtimi është njeriu i mirë, njeriu fisnik, pavarësisht se ndonjëherë ne e përdorim në mënyrë inflacioniste, është një personalitet i spikatur i Kaninës sonë me peshë në histori që vazhdon traditën e rrugën e Isuf Luzajt e personaliteteve të tjera të shquara.
Sa i përket mendimit tim modest, në letërsinë e burgut dy janë shkrimtarët më të talentuar: Astrit Delvina dhe Henrik Gjoka (Henrik SG).
Astrit Delvina i ka shkruajtur veprat e tij përpara viteve ’90, ashtu sikundër dinjitozë janë edhe Visar Zhiti apo Fatos Lubonja.
Por Astrit Delvina ka një pastërti dhe qysh në ato vite nuk shkruante me metodën e realizmit socialist, ka një kulturë e modernitet në veprën e tij, që e rendisin në personalitetet e kulturës sonë e letërsisë shqipe.
Dhe unë gjithmonë kur lexoja veprat e Astrit Delvinës, të cilat botuesi i tij, Ndriçim Kulla, i Plejad, i nxirrte nga dheu ku Astriti i kishte groposur e i zbardhte nga shkrimi i dorës kujtoja vuajtjet e të gjithë të persekutuarve fisnikë politikë.
Dhe Kujtim Murataj me letërsinë e poezinë e tij qëndron dinjitoz me jetën dhe veprën e tij në këtë plejadë qëndrese, fisnikërie, kulture e qytetarie. Sepse qëndresa që ai dhe shokët e tij të burgosur i bënë diktaturës, ruajtja e vlerave njerëzore, fisnikërisë e qytetarisë i shndërruan Kujtimin dhe ata qindra heronj të tjerë si ai në modelin ndaj të cilit duhet të përulemi me respekt.”