Një ditë pas dorëheqjes së Rrahman Rrajës dhe shkarkimit të ministrit Bledi Çuçi, s’mungojnë dhe reagimet. Gazetari Armand Bajrami shkruan se ende nuk është parë një shkresë dorëheqje nga deputeti i PS Rrahman Rraja. Ai shton se lënia e mandatit ka nevojë për një akt shkresor, e duke qenë se kjo nuk është bërë, Rraja është ende deputet, e në këtë mënyrë policia nuk mund të ushtrojë kontroll në banesën e tij.
Bajrami shkruan se nuk përjashtohet mundësia që personat e shpallur në kërkim të jenë në banesën e Rrajës, duke u fshehur nga drejtësia.
Sot pame shkresa zyrtare te shkarkimit te nje ministri dhe emerimit te nje tjetri. E zeze mbi te bardhe. Ok. Nuk pame shkrese doreheqjeje te deputetit Rraja.
Pervec fjaleve, lenia e mandatit ka nevoje per nje akt shkresor, qe te protokollohet ne Kuvendin e Republikes.
Nese kjo ende s’eshte bere, Rraja vijon te jete deputet dhe te gezoje te gjitha garancite qe i jep statusi i deputetit. Si i tille, policia (qe sot po sillet si pule pa koke) nuk mund te beje nje kontroll ne banesen e tij (pasi me pare nevojitet leje nga Kuvendi).
Si perfundim, nuk perjashtohet mundesia, qe ndonje nga personat e shpallur ne kerkim nga policia, mund te jete ne banesen e deputetit te dorehequr (por jo mandathumbur) duke i bere scroll postimeve ne FB.
Rraja dha dorëheqjen nga posti pas sherrit që u përfshinë anëtarët e fisit të tij me fisin Maja.
Ngjarja u shënua mesditën e 6 korrikut 2023, ku anëtarët e fisit Rraja dhunuan disa qytetarët të Borizanës për guroret, që i përkisnin familjes së deputetit të Partisë Socialiste. Organizatorët u kujdesën ta filmonin për t’ia treguar dhe të tjerëve pasojat që mund të ndodhin nëse ankohesh. Mes dhunuesve janë dhe dy vëllezërit e deputetit socialist Rrahman Rraja, konkretisht Flamur dhe Xhelal Rraja, si dhe djali i deputetit, Rexhep Rraja. Shkak është një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit, i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet. Kushërinjtë Bilbil e Jashar Maja ishin ankuar më 5 qershor në media se shpërthimet gjatë punimeve në gurore po u shkatërronin banesat e tyre.
Ndërsa mesditën e së enjtes ata ishin në lokal me inxhinierin e gurores për ti kërkuar që shpërthimet të ishin më të kontrolluara pasi po u dëmtoheshin banesat, e pikërisht në ato momente i kanë dhunuar. Pas ngjarjes së rëndë, deputeti Rrahman Rraja dha dorëheqjen, e më pas kryeministri Edi Rama shkarkoi ministrin Bledi Çuçin. Në vendin e tij, u vendos ministër i brendshëm Taulant Balla.