Emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan ka udhëtuar drejt Pogradecit për problemin e denoncueses Aurora Purba, e cila shpjegon që së fundi ka shkuar te prindërit, por kjo i është bërë e pamundur sepse xhaxhallarët dhe kushërinjtë e saj nuk e lejojnë.
Kjo, pasi babai i saj, ka një djalë me sindromën down dhe ka shprehur vullnetin, që tokat dhe shtëpinë t’ia lerë Aurorës. Për një vit, Aurora dhe i ati kanë patur urdhër-mbrojtjeje, por sërish ngacmimet nuk kanë munguar.
Denoncuesja: Jam e martuar në Gështenjas, kam dhe një motër e cila është po ashtu e martuar. Kam dhe një vëlla me sindromën down. Në momentin që im atë ka shprehur pëlqimin për të ma lënë mua trashëgiminë, vëllezërit dhe motrat e tim ati nuk kanë qenë dakord me këtë fjalë që ai ka thënë dhe janë kthyer për t’i marrë shtëpinë. Në momentin që unë shkoja, ata nuk më lejonin që të futesha fare, më dilnin që në fund tek rruga, më kërcënonin dhe më kanë goditur, ushtruar dhunë si fizike, si verbale dhe psikologjike. Kemi bërë kallëzime në polici dhe kemi marrë urdhër-mbrojtje, unë dhe babi. Edhe pse kemi qenë me urdhër-mbrojtje, ata kanë vazhduar me të njëjtin problem, nuk janë ndalur asnjë minutë. Kemi bërë kallëzime në prokurori dhe prokuroria na i ka nxjerrë çështjet e mbyllura. Sa herë që shkoja, unë vija me polici dhe dilja me polici nga shtëpia e babait, për arsyen që sipas tyre, unë nuk duhet të shkoj fare atje as me makinë dhe as me këmbë, as edhe në tokat e tim ati dhe jo vetëm në shtëpi. Na kanë paditur në gjyq se pjesa e rrugës që është atje, rrugë-lagje dhe është rrugë shtet, ata pretendojnë që im atë e ka zaptuar një pjesë rruge dhe prandaj nuk më lejojnë dhe mua që të futem dhe të lë dhe makinën atje. Për këtë arsye, na kanë hedhur në gjyq. Rruga doli shtet po prapë gjykata jua dha atyre të drejtën sikur im atë ka cënuar pronën e shtetit.
“Stop” ka shkuar drejt fshatit Gështenjas të Pogradecit, për t’u takuar me Ramazan Xhemollarin, i cili tregoi se çfarë po ndodh.
Denoncuesja, Aurora Purba: E gjitha është për këtë rrugën këtu. Nuk bëhet fjalë që ta lë makinën këtu. Ata tani e kanë këtë portë dhe ata e parkojnë aty makinën. Policia ka ardhur dhe ka hequr vetëm makinën time, të tyren jo. Që ta lësh makinën më thotë “duhet ta prishësh anë e mbanë dhe ta parkosh makinën”.
Denoncuesi, Ramazan Xhemollari: Na erdhi vajza me makinë, i del kunata çupës dhe i thotë se “këtu nuk ke vend”. E kapi për duarsh dhe e nxorri përjashta. Edhe pse ishim me urdhër-mbrojtje, nuk kemi qenë në qetësi sepse na ngacmonin. Vajzës do të ja lë shtëpinë, kush do të kujdeset për djalin tim?. Kjo nuk ju ka pëlqyer vëllezërve dhe motrave. Kërkoj të rri i qetë sepse vendin e kam sipas ligjit. Kaq dua unë nga ju sepse këtë nuk po ma zgjidh njeri.
“Stop” u takua gjithashtu edhe me Irani Xhemollari dhe Artur Xhemollari, përkatësisht vëllai dhe nipi i Ramazanit. Problemi që ata kanë me Ramazanin, është cënimi i rrugës, të cilën duan ta shfrytëzojnë vetë edhe pse ka statusin e pronës shtet.
Gazetarja: Pse i keni këto konflikte?
Irani dhe Artur Xhemollari: Për ngushtim rruge.
Gazetarja: A ju ka ngushtuar rrugën edhe ky muri këtej?
Irani dhe Artur Xhemollari: Jo, ky jo. Kam hapur dhe proces gjyqësor se më kanë bllokuar hyrjen e portës.
Gazetarja: Këtë pjesën me pllaka ju e keni shtruar?
Irani dhe Artur Xhemollari: Po.
Gazetarja: Pra, në rrugë ju paskeni të drejtë ta shtroni dhe me pllaka, të bëni dhe një pishinë këtu sipas dëshirës?
Irani dhe Artur Xhemollari: Është pastërti që ta shtrosh me pllaka.
Gazetarja: Po fakti që keni pasur përplasje fizike?
Irani dhe Artur Xehmollari: Nuk kemi përplasje fizike.
Gazetarja: Po një urdhër-mbrojtje 1-vjeçar?
Irani dhe Artur Xhemollari: Se si e fituan ata, le ta zgjidhë gjykata.
Artur Xhemollari: Ti nuk ke punë këtu se ti e hape këtë portën këtu për sherr.
Ramazan Xhemollari: Të kam zgjidhur unë ty punë. Ik p*rdhu.
Artur Xhemollari: Largohu ti se kjo rrugë është e imja.
Ramazan Xhemollari: Kë do të largosh ti? Mua do të më largosh ti?
Artur Xhemollari: Pse më shtyn? Është prona ime.
Ramazan Xhemollari: Ku e gjete ti?
Artur Xhemollari: Është e tim ati prona.
/tvklan.al