Gjykata e Sarandës ka dënuar me 3 vite burg një 34-vjeçar, i cili u kap në kufirin e Qafë-Botës rreth 9 muaj më parë me një automjet të vjedhur në Francë.
I riu u dënua nga togat e zeza për akuzën e trafikimit të mjeteve motorike.
Arjan Hyseni u arrestua pasditen e 10 tetorit 2022, pasi në momentin që operatori i policisë kufitare po realizonte regjistrimin e të dhënave të automjetit në fjalë në sistemin TIMS, ky i fundit ka dhënë njoftimin “alert”.
“Në kuadër të verifikimit të njoftimit “alert” të dhënë nga sistemi TIMS, nga komunikimi i mëtejshëm i realizuar në rrugë të komunikimit me postë elektronike me Interpol Tirana, u arrit të administrohej informacioni që bënte fjalë se automjeti tip “Ëolsvagen Scirocco” rezultonte i regjistruar si i vjedhur më datë 10.09.2022 në Francë dhe aktualisht ishte në kërkim ndërkombëtar”, thuhet në dosjen hetimore të Prokurorisë.
Interpol Tirana saktësoi se rezultonte i vjedhur në Gaillard, Francë dhe ishte shpallur i grabitur nga Interpol Parisi.
Avokati i 34-vjeçarit, Brigels Dervishi është shprehur se Arjan Hyseni ka bashkëpunuar me organin e akuzës për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
Sipas tij, mjeti iu është dhënë të riu nga pronari i tij në Francë, shtetasi Shkëlqim Shameti i cili i kishte borxh 34-vjeçarit një shumë prej 7 mijë frangash pasi nuk e kishte paguar për punën e bërë.
“Sipërmarrësi Shkëlqim Shameti u kishte premtuar punë tek kompania e tij pasi ky i fundit merrej me restaurime vilash dhe këta shtetas do të paguheshin për punën e tyre. Gjërat nuk shkuan siç duhet pasi rezultoi se pronari filloi t’i mashtronte me lekët, se ‘do ua jap sot, apo do ia jap nesër’ dhe pikërisht ky është kurthi që ai ra, pasi Shkëlqimi i dha një makinë që më pas rezultoi e vjedhur” u shpreh avokati.
Ai shtoi gjithashtu edhe se shoku i Hysenit, edhe ky i mashtruar ne Zvicër, nuk mori asnjë qindarkë nga Shameti dhe u braktis rrugëve të Zvicrës pa asnjë lek në xhep.
“S’kishte për të blerë një copë bukë”, tregoi avokati.
Gjatë seancës, nga pala mbrojtësi paraqiti si provë një një foto nga Facebooku i Shkëlqim Shametit ku duken targat Ë 135 LK, të makinës që iu kap në kufi 34-vjeçarit, të cilat sipërmarrësi ia kishte vendosur një mjet tjetër.
Gjithashtu, sikundër rezulton në një dokument tjetër zbulohet se një shtetas tjetër, Gole Biadess, shihet qartë një foto e tij me makinën që u kap në Shqipëri.
Megjithatë këto fakte nuk e bindën Gjyqtarin Fatmir Ndreu, i cili vendosi të dënojë Arjan Hysenin me 4.5 vite burg për “trafikim i mjeteve motorrike” dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht me 3 vite burg.