“Ka qenë rrugaç dhe imoral”, dëshmitë tronditëse kundër Feçorr Shehut në gjyqin e ’83: Përdhunoi vajzën e mikut, më pas e martoi dhe i shkoi në dasmë

0
281

AFRIM IMAJ

“Feçor Shehu ka shfrytëzuar postin zyrtar dhe ka kryer veprime të pahijshme me femrat. Në karrierën e tij në organet e Sigurimit, rastet e abuzimeve seksuale kanë qenë të shumta”.

Përballja me këtë akuzë për ish-ministrin e Brendshëm është ndër goditjet më të forta ndaj tij në procesin e vitit ’83. Fakti që pjesa më e madhe e pohimeve të tilla vijnë nga dëshmitare femra, e bën edhe më të sikletshëm pozicionin e Feçor Shehut. Njëra ndër to, ish-atletja kampione, rrëfen se Feçor Shehu pasi e ka takuar në një konferencë sportive, e ka ftuar në zyrë dhe aty e ka puthur me forcë. Fiksimi i tij, pohonte P. Th. para hetuesve në 12 qershor 1983, vazhdoi gjatë, madje Feçori urdhëroi arrestimin e tim shoqi për të qenë pa telashe në lidhjen me mua. Një tjetër dëshmitar, po nga Shkodra, ish-vartës i Feçor Shehut kur ishte kryetar i Degës së Brendshme aty, tregonte se e kishte parë në krevat me të bijën e të zotit të shtëpisë në zonën e Malësisë së Madhe, kur ishin ftuar prej tij për të darkuar.

“Viktima në fjalë sa ishte ndarë nga martesa e parë, kujtonte oficeri i Sigurimit, Ismail Pepaj dhe, falë ndikimit të Feçorit, pak muaj më pas u martua me titullarin e një ndërmarrjeje”. Në vijim të dëshmive për abuzime me femrat, ish-ministri i Brendshëm akuzohet se ka përdorur mekanizmin e arrestimit për të shtënë në dorë vajza të ndryshme. Rasti më flagrant është arrestimi i një vajze nga Tropoja në mesin e viteve ’70, i denoncuar më së fundi si veprim monstruoz i inskenuar nga njerëzit e Feçor Shehut.

Lidhur me këtë histori, kreu i akuzës, Rrapi Mino, shprehej në proces se për arrestimin e Rukie Ramës, Feçor Shehu ka dezinformuar edhe Komitetin Qendror, duke e vlerësuar të drejtë dhe të mbështetur në prova të pakontestueshme, ndërkohë që ka qenë e kundërta”. Po kështu, ish-ministri i Brendshëm është akuzuar edhe për prangosjen e Lindita Begës dhe disa grave të tjera nga Tirana, dënimi i të cilave ishte provuar si i kundërligjshëm dhe mbi motive të dyshimta.

30 MAJ 1983

Lirim Pëllumbi-i vitlindjes 1943, ishkuadër i MPB-së (kryetar dege dhe zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Parë), i dënuar me 10 vjet burg, i burgosur në Spaç, dëshmonte në lidhje me përgatitjen e tezave të analizës vjetore të vitit 1974. Feçori e kishte marrë vete dhe kishte bërë raportin. Dëshmitari kishte qenë edhe përgjegjës i grupit të “komplotistëve” të ushtrisë.

Po ashtu, ai ishte personi që kishte takuar Sami Muhametin (djali i tezes së Feçorit) sipas porosisë së dhënë nga Feçori. Samiu ishte takuar me Lirimin në kafe “Drini”. Aty i kishte thënë se do informonte rreth disa çështjeve që lidheshin me Feçor Shehun. Ky i fundit i kishte vlerësuar të dhënat dhe kishte kërkuar që ai të tërhiqej në bashkëpunim. Dëshmia e Lirimit është nga më të gjatat. Ai flet për stilin e punës së Feçorit, imoralitetin e tij, për një përdhunim që kishte kryer ndaj B. M. se Feçori ishte feminist…

12 QERSHOR 1983

Atletja P. Th- e vitlindjes 1937, bobinatore në UEM Durrës, tregonte se e kishte njohur Feçorin kur ishte delegate në konferencën e sportistëve në Tiranë më 1958, sepse i kishte qëlluar të rrinte afër tij në sallë. Feçori i jepte karamele, fërkohej me krahun e tij tek dëshmitarja. Në fund, Feçori i kishte thënë ta çonte me makinën e vet deri në Shkodër, por dëshmitarja nuk kishte shkuar. Kur Feçori kishte shkuar në Shkodër, e kishte kërkuar shpeshherë t’i vinte në zyrë, e ngacmonte rrugës, i fërkonte dorën etj. Ngacmimi kishte vazhduar edhe në kohën kur dëshmitarja ishte martuar në Durrës. Fiksimi i tij për të ishte rritur shumë.

Burrin dëshmitares ia kishin arrestuar, se ishte kapur me letra pornografike në ndërmarrje. Dëshmitarja kishte shkuar në Ministri, kur Feçori sapo ishte bërë zëvendësministër. Ai e kishte pritur, e kishte puthur dhe i kishte thënë të vinte tek ai, sa herë kishte nevojë. Kur dëshmitarja ishte kthyer në Durrës, kishte gjetur burrin të liruar në shtëpi. Ne vitin 1967, dëshmitarja ishte grumbulluar për të shkuar me ekipin e atletikës jashtë vendit, por në fund merr vesh se emri i saj nuk ishte miratuar (për shkak të të shoqit si i dënuar për shfaqje të huaja shënim). Duke qarë ka shkuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme për të takuar Feçorin, i cili ia kishte nxjerrë pasaportën për katërpesë orë. Një rast tjetër dëshmitarja mbante mend që Feçori e kishte provokuar sërish në Durrës.

13 QERSHOR 1983,

Ismail Pepaj-i vitlindjes 1923, punonjës i organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme në vitet 1949- 1967 në zonën e Bunës e Velipojës, dëshmonte në Hetuesi fillimisht për një të dhënë të bashkëpunëtorit “Blerimi” e me pas për Feçor Shehun si “prepotent, intrigant e imoral”. Ai pohonte se e kishte parë në krevat me të bijën e të zotit të shtëpisë në zonën e Shkodrës, ku ato po hanin darke. Vajza ishte ndarë nga martesa e parë, ndërsa pak muaj më vonë ishte martuar me titullarin e një ndërmarrjeje të zonës.

Rexhep Kolli-funksionar i lartë i Sigurimit të Shtetit, duke dëshmuar për rastin e arrestimit të Rukie Ramës, pohonte se për të u bë një proces i falsifikuar me gjithë ato poshtërsi. Sipas dëshmitarit, atë e kishte marrë në qafë një punëtor operativ. Rukien Kolli e vlerësonte një vajzë të emancipuar nga partia, me arsim të lartë, një vajzë që partia e kishte çuar komandante brigade në aksionin e rinisë, e kishte çuar përfaqësuese në Komitetin Qendror të Rinisë, e kishte çuar delegate në Kongresin e Gruas.

U montua për të një proces i tillë, tregonte Rexhep Kolli, deri në atë masë saqë u thirr dëshmitar i rremë një bashkëpunëtor i Sigurimit, u sajuan ato pisllëqe, deri në atë masë sa poshtërsia arriti kulmin. Nga dokumentet rezultonte se në çështjen e saj dilte Feçor Shehu, ky ishte kryesori, se ky kishte miratuar këtë lloj procesi. Pak a shumë kështu ndodhi edhe me Prendushe Dedën. Për çështjen e saj ka internime të pabazuara e poshtërsi të fëlliqura. Janë asgjësuar të gjitha aktet e ekspertimit, dy aktet bazë të laboratorit qendror.

“Feçorri na turpëroi, përdhunoi vajzën e mikut që i shkuam mysafirë”

Në morinë e dëshmive që denoncojnë Feçor Shehun, ishkreun e Sigurimit të regjimit komunist, për sjelljet perverse me femrat, ajo e Ismail Pepës, ishpunonjës i Degës së Brendshme të Shkodrës, është sa tronditëse, aq dhe çnjerëzore.

Feçor Shehu në gjyq “Kemi qenë një natë mysafirë në Velipojë, te një miku i Feçorit, pohon ishoperativi. Pasi hëngrëm darkë, ai u mbyll fshehtas në njërën nga dhomat e kullës dhe përdhunoi vajzën e shtëpisë”. I tmerruar nga pamjet që ka parë nga afër, Ismail Pepa shton se aty për aty nuk u ka besuar syve dhe ka menduar për një veprim të turpshëm nën efektin e alkoolit, por kur ka parë vizitat e shpeshta të ministrit në shtëpinë e mikut në Velipojë dhe ndërhyrjen e tij për ta martuar vajzën e përdhunuar me një zyrtar në Lezhë, është bindur për vesin e eprorit të lartë dhe ka vendosur ta denoncojë te Partia. Po çfarë thotë tjetër në dëshminë e tij ish-zyrtari i Sigurimit dhe si është pritur denoncimi në adresë të Feçor Shehut…

DËSHMIA

Qysh nga janari i vitit 1949, kam filluar punë në Degën e Punëve të Brendshme Shkodër. Për një kohë të gjatë prej 18 vite kam punuar në zonën e Velipojës, duke përfshirë dhe Bregun e Bunës. Në këtë zonë kam qenë punëtor operativ. Feçor Shehun e kam njohur kur ky ka ardhur kryetar i Degës së Brendshme në Shkodër. Ka qenë njeri prepotent, arrogant dhe imoral. Me të kam bërë edhe jetën e partisë, por dua të them se ai nuk e përfillte partinë, organizatën bazë dhe asnjeri tjetër. Në një rast kemi shkuar për darkë në Velipojë te Luigj P. Pasi hëngrëm darkë, Feçori ngrihet, gjoja për të shkuar në banjë, por meqenëse po vonohej shumë, unë dola dhe pyeta gruan e Luigjit, të quajturën M., se ku është Feçori. Ajo më tha se është në dhomën e fjetjes. Unë hapa derën dhe pashë se Feçori ishte shtrirë në krevat dhe aty po rrinte vajza e M., e cila ishte arsimtare në atë kohë në Velipojë, sot e martuar në ishull të Lezhës.

Unë menjëherë u thashë më falni dhe dola nga dhoma, por me vetvete dyshova për imoralitetet, sepse pashë që ajo vajza ishte bërë flakë e kuqe nga fytyra. Dua të shpjegoj se M. ka qenë e martuar më parë me djalin e K., i pushkatuar si agjent i UDB-së. Pasi është martuar me Luigjin, ka marrë me vete edhe këtë vajzë me burrin e parë. Dua të shtoj se kur është martuar kjo vajzë, ka ardhur nga Tirana edhe Feçor Shehu. Pasi më takoi mua, më tha se dua të shkojmë në dasmë te Luigji, se i kishte dhënë fjalën që kur të martonte vajzën, do t’i shkonte në dasmë.

Unë, duke ditur rrethin e tij, i them se nuk bën të shkojmë sepse atje mund të kenë ardhur edhe njerëz me përbërje jo të mirë, sepse Luigji ka një rreth të gjerë. Atëherë kam shkuar unë për të verifikuar se kush ishte në shtëpi dhe pasi pyeta Luigjin nëse kishte njerëz në shtëpi, ai më thotë se sot nuk kam, po nesër kam njoftuar. I them se do të vijë Feçori, po bëhu gati. Kemi shkuar, kam dhënë peshqeshin për vajzën dhe pasi hëngrëm edhe drekë, kemi ik.

Prokurori: Dosja e turpeve të Feçorit

“Dosja hetimore e Feçor Shehut është e tejngopur me rrugaçëri. Mjafton të përmend letrën që i drejton udhëheqjes një punonjës i Komitetit Qendror, në kohën kur Feçori ishte drejtor në Tiranë. Ai denoncon se i ka çnderuar vajzën Feçor Shehu dhe djemtë e tij po përgatiten që ta vrasin. E di mirë, shprehet ai, se po ta vrasin, unë do të ngelem pa djem, se natyrisht ligji do t’i dënojë me vdekje edhe vajza do të më dalë e turpëruar. Kështu, nga tre fëmijë, do mbetem pothuajse fare pa fëmijë. Kërkoj nga Komiteti Qendror, thotë, që të merren masa për Feçor Shehun ose të paktën të transferohet. Deri kaq arrin ky njeri kaq i ndershëm, d.m.th, kërkon megjithëkëtë turp së paku të transferohet nga Tirana që të shpëtojë jeta e fëmijëve, e djemve të tij”.

Biografia/Kush ishte Feçor Shehu

Ka lindur në Hekal dhe në 4 shkurt 1943, u përfshi në çetën “Plakë” të Mallakastrës, fillimisht si partizan i thjeshtë dhe më vonë me detyra komanduese. Është pranuar në radhët e Partisë Komuniste qysh në vitet e luftës. Në 9 maj 1945 deri 20 mars 1946 ishte komisar batalioni në brigadën e 12-të. Në periudhën 1946 – 1947 ishte komisar grupi në regjimentin e artilerisë dhe njëherazi kreu shkollën e natës duke u diplomuar me dëftesën e shkollës unike në Gjirokastër. Sakaq, në vitet 1947 – 1948, përfundoi klasën e parë të Liceut në Korçë. Në maj – shtator 1947, ishte instruktor i agjitpropit në garnizonin e Korçës. Më maj 1947 – nëntor 1948, kreu detyrën e shefit të Seksionit të Sigurimit në MMK. Pas kësaj, kaloi në ministrinë e Punëve të Brendshme. Në vitet 1948 – 1949, ishte zëvendëskryetar i Degës së Punëve të Brendshme në Gjirokastër. Më vonë shef i Seksionit të Sigurimit dhe kryetar i DPB në Dibër. Më 1 mars 1951 deri më 11 mars 1952 kreu studimet në Shkollën e Lartë të Sigurimit në ish-Bashkimin Sovjetik. Më 1952 – 1955 ishte kryetar i Drejtorisë së Punëve të Brendshme në Korçë, 1955 – 1960 në Tiranë, 1960 – 1967 në Shkodër.

Më 15 maj 1967 deri më 31 dhjetor 1969, ishte drejtor i Drejtorisë së Parë të Sigurimit në ministrinë e Punëve të Brendshme. Më 1970 e deri më 1980 ishte zëvendësministër i Punëve të Brendshme. Më 1980 – 1982 u emërua ministër i Punëve të Brendshme. Me emërimin e Hekuran Isait ministër, në mes të janarit 1982, u shkarkua nga kjo detyrë dhe u caktua me funksion më të ulët. Në 22 mars 1982, u arrestua dhe u akuzua për veprimtari armiqësore kundër partisë dhe pushtetit popullor. U dënua me vdekje pushkatim me një proces maratonë dhe në shtator të vitit 83 u ekzekutua bashkë me Kadri Hazbiun dhe Llambio Ziçishtin.