Kryeministri, Edi Rama prej disa muajsh sjell intervista mjaftë interesante në ‘potcasti-in” e tij. Rrëfimi i fundit nga kreu i qeverisë ishte ndryshe teksa ka treguar rastin kur shkoi në një disko në Prishtinë vite më parë të cilën e përshkruan si një natë të jashtëzakonshme.
Rama shprehet se aty ndjeje nevojën për të kërcyer i lirë, “në kuptimin më të prekshëm të fjalës”. Për kryeministrin kjo ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme.
“Në atë kohë më kujtohet kur kam shkuar për herë të parë dhe më pas, dy- tre herët e para në Prishtinë pas çlirimit ka qenë një jetë nate e jashtëzakonshme, një ekzaltim dhe një “shfrenim” në thonjëza se nuk kishte asgjë të shfrenuar në sensin negativ por një lulëzim i shpresës, një lulëzim i dëshirave, i nevojës për të jetuar së bashku, për të marrë frymë lirisht dhe kur shkoje nëpër ato lokale e madje njëherë më kanë marrë e më kanë çuar në një vend ku bëhej muzikë, një lloj diskoje që futeshe poshtë.
Unë nuk kam para kam shkuar, gjithë jetën time dy-tre herë jam gjendur në disko por aty e ndjeje këtë nevojën e të gjithëve për të kërcyer të lirë, në kuptimin më të prekshëm të fjalës. Ishte diçka e jashtëzakonshme.
Pastaj, sigurisht që gjërat fillojnë e normalizohen, njeriu është i bërë kështu që e keqja harrohet shpejt dhe e mira nuk ka fund, nuk është kurrë mjaft. Megjithatë, sidoqoftë, ato kanë qenë momente të paharrueshme”, u shpreh Rama.