Zgjedhjet vendore në Shkodër në maj 2023 shënuan rotacion politik dhe marrjen e bashkisë nga kandidati i PS, hera e dytë që kjo kandidati i kësaj partie fiton, duke llogaritur të tillë rastit të vitit 2019, kur kandidati i saj ishte i vetëm në fletën e votimit për kryetar. Më 2019 kandidati i PS Valdrin Pjetri nuk arriti të kryejë betimin, pasi humbi mandatin për shkak të dekriminalizimit, kurse më 2023 Benet Beci është zgjedhur dhe vijon të jetë kryetar bashkie. Megjithatë nevoja për vota dhe rotacioni i vitit 2023 ka një “çmim”, – koston që PS ka pranuar paraprakisht dhe do të duhet të paguajë për mbështetjen kryesisht nga PSD, parti e drejtuar nga T.Doshi, politikan në listën e sanksioneve të SHBA. Nga të dhënat e KQZ-së, PSD dominoi zgjedhjet vendore në katër nga këshillat bashkiakë të këtij qarku, megjithëse raportimet dëshmojnë se vota e saj vijon të jetë kryesisht votë klienteliste dhe e këmbyer, gjë që u theksua edhe në raportet e organizatave monitoruese vendore dhe ndërkombëtare.
Pas zgjedhjeve vendore 2023 PSD vendosi veton për këshillin bashkiak Shkodër dhe betimin e kryetarit të ri Beci, duke pamundësuar disa mbledhje, me kërkesën për të arritur akord politik paraprak me PS për të marrë në shkëmbim disa poste të larta, përfshirë postin e kryetarit të Qarkut, më i rëndësishmi në strukturën zgjedhore në një qark. Pas negociatave midis palëve, PS pranoi akordin, – duke i dhënë PSD-së drejtimin e qarkut, zv/kryetarin e këshillit bashkiak Shkodër, si dhe një numër të madh postes administrative për punësimin e mbështetësve të saj. E njëjta situatë edhe në bashkitë e tjera të këtij qarku apo në zona të tjera ku dy palët kushtëzojnë njëra tjetren.
Përfundimisht, bazuar në marrëveshjen politike PS dhe PSD, javën e fundit u konstituua këshilli i qarkut Shkodër dhe emri i imponuar nga PSD, znj. Marina Duhani u zgjodh kryetare e Qarkut. Ajo ishte pjesë e listës për kandidatë për deputet në PSD më 2021, duke marrë 307 vota personale, megjithatë do të jetë zyrtari dytë më i rëndësishëm në drejtimin e qarkut Shkodër gjatë viteve 2023-2027. Bazuar në të dhënat e KQZ, në bashkinë Shkodër më 2023 PS fitoi 18 mandate ndaj 13 të “Fitojmë Bashkë”, 12 të PSD dhe 5 nga PD, megjithatë kur këshilli bashkiak Shkodër votoi përfaqësuesit e vet në Këshillin e Qarkut Shkodër, nga 7 këshilltarë PS zgjodhi 6 dhe PSD 1, pra asnjë anëtar nga partitë e opozitës, të cilat së bashku përfaqësojnë 45% – 47% të votave në bashki. Në M.Madhe gjithashtu nga 4 përfaqësuesit në këshillin e qarkut 3 vijnë nga PS. Përfundimisht, me mbi 90% të votave të PS në këshillin e qarkut, nga 22 anëtarë 19 votuan për kandidatin e kushtëzuar, duke i dhënë PSD-së për herë të parë postin më të lartë të drejtimit në hierarkinë e institucioneve tona përfaqësuese.
Në politikë dhe në përfaqësim ka pasur dhe ka marrëveshje, por në rastin konkret kemi të bëjnë me një marrëveshje, e cila nuk është publike (rezultati është publik), si dhe ekzistanca e saj kontestohet në deklaratat politike të zyrtarëve të lartë: PS dhe kryeministri Rama kanë deklaruar vazhdimisht se nuk do të bashkëpunojnë asnjëherë me parti që drejtohen nga “non grata” dhe se asnjë propozim i tyre nuk do të marrë mbështetjen politike të qeverisë / PS-së. Aktualisht fraksioni i PD dhe PSD drejtohen nga “non grata”, në rastin e parë PS tregohet aktive kunder, në rastin e dytë tregohet aktive pro. Ambasada amerikane deklaroi më 2021 se Rama dhe PS kishin dhënë garanci se PSD dhe Doshi nuk do të kishin asnjë rol në qeverinë / qeverisjen e re. Në fakt, 3 votat e PSD vijojnë të jenë 100% pro qeverisë në parlament dhe nën administrim nga grupi i PS; PSD u shpërblye me poste të larta në qarkun Shkodër dhe disa qarqe të tjera përmes votës dhe mbështetjes institucionale të PS-së, në administratën publike deri në Akademinë e Shkencave, ku u ndryshua ligji bazë dhe u mor një VKM emergjent për të jetësuar vijimin e akordit informal me PSD-në. Paralelisht qeveria i ka akorduar një seli luksoze PSD-së, e cila për ironi e sfidë ndodhet midis dy ambasadave të rëndësishme perëndimore në Tiranë, në distancë të shkurtër nga vendi, ku qeveria & bashkia kanë dhënë miratimin e ngritjes së një prej kullave më të larta në Tiranë, investim i një prej titullarëve më të lartë të kësaj partie aleate.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) po monitoron standardet e integritetit në partitë politike, vendimmarrjet që lidhen me aktorë informalë dhe ndikimet e burimeve informale në politikë, nisma që mbështeten nga partnerë të rëndësishëm ndërkombëtarë dhe që kanë të bëjnë me vlerësimin e standardeve të shtetit të së drejtës, transparencës, integritetit dhe llogaridhënies në Shqipëri. Nga kjo pozitë, ISP vlerëson se partië dhe liderit e tyre politikë kanë përgjegjësi të mbajnë premtimet publike dhe të jenë transparent me publikun votues. ISP vlerëson gjithashtu se paktet informale politike që kanë impakt në standardet e përfaqësimit dhe në cilësinë e qeverisjes, që përfshijnë vendime klienteliste për emërime në administratën publike dhe postet publike lokale, që bazohen në vendime personale favorizuese ekonomike dhe kanë synim afatgjatë kontrollin informal të votave në zona të pasigurta elektorale për qeverinë, kanë qenë, janë e mbeten akte abuzive politike, devijime nga standardet e mira demokratike, raste që meritojnë hetim nga organet ligjzbatuese dhe burim i dukshëm korrupsioni dhe investim kundër integritetit dhe legjitimitetit përfaqësues të institucioneve dhe të demokracisë funksionale.
Pakte politike informale vijojnë edhe në bashkitë dhe në qarqet e tjera, si dhe pjesë e tyre janë të gjitha partitë e spektrit politik, por fuqia dhe përgjegjësia e partisë udhëheqëse në qeveri është më e dukshme dhe ndaj rasti Shkodër e trajton këtë rast. ISP vlerëson se praktika të tilla dëshmojnë nevojën e madhe për reformimin e legjislacionit mbi partitë politike dhe financimin e tyre, për reformimin e strukturës jo përfaqësuese të Qarkut, për ndërhyrjen e SPAK dhe organeve të tjera ligjzbatuese në hetimin prioritar e shterues të trafikimit të votës dhe emërimeve si këmbim në postet publike, si dhe për hetime të thelluara të organeve të sigurisë lidhur me ndikimet informale në vendimmarrje.
Instituti i Studimeve Politike (ISP)