“AS BASHA E AS BERISHA”. PO KUSH?!

0
818
Nga Besart Logu
Teza e hedhur nga deputetët bojkotues, “as Basha e as Berisha”, nxjerr në pah arsyen e vertetë të lëvizjes së fundit në PD që në fillim dukej sikur doli nga hiçi dhe është krejt e parëndësishme por në fakt po ndodh fiks në kohën e duhur dhe për arsyen e duhur.
Dihet tashmë se; Basha dhe Berisha janë dy figurat qëndrore në Partinë Demokratike. Njëri që prej vitit 2005, si prurje e re në epokën e dytë të PD, dhe tjetri që nga themelimi i partisë. Të dy me eksperiencë të mjaftueshme si shtetar dhe si drejtues partie. Me mbështetës dhe ithtarë në të gjitha degët e Shqipërisë dhe që i ndjekin në çdo aksion, me çdo kosto. Me njohje dhe kontakte me eksponentë të politikës rajonale, europiane, amerikane dhe më gjerë. Politikanë të sprovuar për shkak të zhvillimeve të forta dhe që kanë shënuar ngjarje në këto 32 vite demokraci. Krerë partie me stazh të plotë, si në pushtet ashtu dhe në opozitë. Me pak fjalë, figura të kompletuara me të gjitha cilësitë që i nevojiten një lideri.
Po të shohim nga kampi tjetër, pra nga PS, edhe atje gjejmë të njëjtin fenomen. Edi Rama u bë pjesë e ekzekutivit si Ministër Kulture në vitin 1998 e më pas si drejtues lokal për 11 vite (2000-2011) dhe së fundmi, si kreu i qeverisë që nga viti 2013. Drejton Partinë Socialiste prej 18 vitesh, që nga viti i largët 2005. Nga këto, tetë vite në opozitë dhe dhjetë vite në pushtet.
Erion Veliaj, si emri më i mundshëm për trashëgimtar i PS, ka që prej vitit 2003 i përfshirë në politikë. Fillimisht si aktivist i shoqërisë civile pranë lëvizjes MJAFT derisa ngriti në 2008 partinë G99. Duke qenë se në zgjedhjet parlamentare të 2009 siguroi vetëm 0.86% të votave në rang kombëtar, Erion Veliaj sëbashku me disa bashkëpuntorë iu bashkua PS. Me ardhjen në pushtet në 2013, mban postin e Ministrit për Çështjet Sociale për dy vite pasi konkuron në zgjedhjet lokale të 2015 për kreun e Bashkisë Tiranë të cilin e mban akoma edhe sot.
Në mënyrë të përmbledhur, kemi katër politikanë me moshë politike të tillë:
1. Sali Berisha – 33 vjet
2. Lulzim Basha – 18 vjet
3. Edi Rama – 25 vjet
4. Erion Veliaj – 15 vjet
Duket qartë se një lideri i duhet 10-20 vjet që të bëhet gati të drejtojë vendin, me kushtin paraprak që të ketë pasur poste drejtuese, si partiake ashtu dhe shtetërore. Kohë e mjaftueshme për të përvetësuar cilësitë e një organizatori të mirë si dhe të kuptojë dhe ushtrojë parimet bazë të funksionimit të shtetit.
Ndërkohë, grupi i deputetëve bojkotues të procesit të zgjedhjes së kreut të PD artikulojnë tezën “as Basha e as Berisha”. Kur e dëgjon fillimisht tingëllon bukur nëse ke parasysh kontekstin në të cilin ndodhet PD. Por kur thellohesh në analizë, në mënyrë që të dalësh në një emër konkret se cili mund të jetë ky kandidat, kupton se ky artikulim nuk është aq idealist sa shitet. Nëse nuk do pranojmë as Bashën e as Berishën, praktikisht i bie të kemi zgjedhur një figurë të papjekur politikisht sepse i mungon eksperienca e parashtruar më lart. Thënë ndryshe, të jetë kukulla e njërit prej dy figurave qëndrore të PD, e Bashës apo e Berishës.
Meqënëse ky grup pretendon se është mbi palët, nëpërmjet pyetjes “kujt i intereson një kukull në krye të PD?”, zbërthehet retorika e tyre “as Basha e as Berisha”.
Lulzim Basha është në një moment rikthimi, në parti dhe në politikë. Është një nga ngjarjet më të rëndësishme të karrierës së tij ku nuk do të zgjidhte ta realizonte nëpërmjet një të treti. Për më tepër, po shpalos jo vetëm programin se si mund të reformohet politika shqiptare por po prezanton një LulzimBashë pa ndikimin e Berishës. Thënë ndryshe, po u kërkon demokratëve një shans të dytë nën moton “më provoni vetëm”.
Ndryshe ndodh me Berishën të cilin ekspozimi vetëm e demton. Sidomos pas rezultatit të 14 majit ku nuk arriti të fitojë më shumë se gjashtë bashki, çka ka shkaktuar traumë në rradhët e Rithemelimit për shkak të rritjes së pritshmërive tej mundësive reale që kishin.
Një ikje e butë, duke patur për garanci një mashë në duart e tij, është zgjidhja ideale për momentin. Sali Berisha e bëri luftën e tij, si me SHBA ashtu dhe me pushtetin, nga ku rezultoi se doli humbës. Ekspozimi si kreu i PD, pa legjitimitet dhe në kushtet e mosnjohjes nga asnjë institucion vendas dhe i huaj, vetëm sa do të rriste kostot e humbjes. Prandaj atij tashmë i duhet një kukull në krye të PD që ta drejtojë partinë në distancë, mbase duke mos u paraqitur as në Parlament dhe duke reduktuar konferencat për shtyp e daljet publike. Më tepër një tërheqje fizike se sa politike.
Dhe në fund të gjithçka që parashtruam rezulton se; jo vetëm nuk ka një të tretë që mund të zëvëndësojë Bashën e Berishën, pasi duhet kohë që të piqet politikisht, por edhe nëse del do jetë një kukull në duart e Berishës. Sepse një personazh i tillë i shërbën më shumë një lideri që është në ikje e sipër se sa një tjetri që po tenton rikthimin.