I ftuar në “Breaking”, ish-deputeti Halit Valteri i bëri thirrje SPAK që të nisë hetimet për politikanët, duke nisur nga deputetët më të thjeshtë, deri te kryeministri dhe Presidenti.
Ai tha se shumë nga politikanët tanë jetojnë në vila në Palasë, ndërsa kanë apartamente e vila tjera në vende të Europës, të fshehura në emër të familjarëve të tyre.
“Sot ke ministra të cilët kanë ardh me rrogë zyrtare, dhe jetojnë në vila prapa TEG-ut, në vila në Palasë, jetojnë në vila në shumë vende të ndryshme. Kanë vila në Itali, në Angli, në Francë, kanë apartamente gjithkund të fshehura në botë, në emër të kunatit, në emër të kunatës. Nuk mundet që një familje e thjeshtë shqiptare, pa u përfshirë në politikë, të ketë x para dhe pasi I bëhet gruaja ministre, apo bashkëshorti ministër, shpërthejnë duke blerë prona dhjetra miliona euro, familjarët e tyre. Ky është hetimi që duhet të bëjë SPAK, dhe ta nisi që nga unë dhe ta përfundojë deri te kryeministri dhe presidenti”, deklaroi ish-deputeti Halit Valteri.