BallinaKulture“Millosh, ti shkruan errët, je shumë hermetik”- Studiuesi tregon për takimin e...

“Millosh, ti shkruan errët, je shumë hermetik”- Studiuesi tregon për takimin e parë mes Petro Markos e Migjenit dhe miqësinë mes dy shkrimtarëve: Ja çfarë i bashkonte

spot_img
spot_img

Në mesin e personazheve historikë, të njerëzve dhe shkrimtarëve më të dashur për P. Markon, për atë kohë, si dhe një vend krejt të posaçëm në faqet e librit “Retë dhe Gurët”, zë miqësia e madhe me Migjenin, poetin dhe prozatorin më të shquar të brezit të viteve ‘30 dhe më gjerë se kaq, që u qëndroi furtunave të kohëve të ndryshme, një nga shkrimtarët modern të letrave shqipe, sidomos në lëvrimin e poezisë, me përmbledhjen “Vargjet e lira”, e po kaq me prozën të paraqitur në përmbledhjen “Novelat e qytetit të veriut”.

Rrafshet e pranishme të kësaj marrëdhënie të ngushtë, miqësore dhe letrare, krejt të përveçme, lidhen dhe shpërfaqen në tekstin e librit Retë dhe Gurët me disa elemente:

Së pari, burojnë nga vetëdija se ata që të dy, i përkasin të njëjtës kohë dhe mendësi, brezit të shkrimtarëve të viteve ’30, të shekullit të njëzet, të cilët kanë lënë gjurmët e veta të pashlyera, në letrat shqipe, që tashmë do të duhen verifikuar dhe interpretuar në të gjithë dimensionet e veta të përfaqësimit, si gjurmë dhe shenja estetike, sidomos përmes aktit të rileximit si tekste të krijimtarisë së tyre, për të pasur vendin e vet në hartografinë e letrave shqipe dhe më gjerë, për veprat e shkruara, e sidomos për gjurmët e modernitetit, shpërfaqur në tekstet e tyre.

Së dyti, marrëdhënia e veçantë e Markos me Migjenin, prej njohjes së hershme të tyre, e parë në një dinamikë marrëdhëniesh të ndryshme, personale dhe letrare, është krejt e hapur, dhe mbi të gjitha bazohet më tepër në pranimin e mendimit, të përafërt dhe të përkundërt, mbi të gjitha e mendimit ndryshe, në mes tyre, për problemet e politikës, shoqërisë dhe sidomos për vlerat e poezisë dhe të letërsisë në përgjithësi, ku këndshikim i ndryshëm, shpesh i përkundërt nuk e lëkundin kurrsesi miqësinë tyre, të thellë dhe të pastër.

Së treti, Marko e pëlqente, veçmas të tjerëve, të përfaqësuesve të brezit te shkrimtarëve të viteve ‘30, të shekullit tjetër, si mik dhe njeri, por shumë më tepër si poet dhe prozator, që pa mëdyshje bënte diferencën, në radhën e autorëve të këtij brezi të përveçëm, të shkrimtarëve të viteve ’30, të shekullit të kaluar, dhe më gjerë se sa kaq, si një mjeshtër i shkrimit letrar.

Megjithatë, parësore në këtë anë të leximit dhe trajtimit të miqësisë së dy shkrimtarëve, e ngjeshur në ato vite, parësore është fjala e Petro Markos, e fiksuar si shkrim në faqet e librit Retë e Gurët. Në vitin 1936, formësohet ideja për botimin e revistës ABC, me ç’rast Marko, shkruan: Migjeni na shkroi një letër të gjatë, ku na këshillonte që të mos nxitoheshim e të mos i binim murit me kokë…, ku madje bie në sy sugjerimi i Migjenit, për ta shpëtuar revistën me çdo kusht përballë pushtetit të kohës, që sillte të papritura. Përsëri Marko, po te ai libër, shprehet qartazi: Ai do të bashkëpunonte me revistën, por ne duhej të kishim kujdes e të mos linim rast për masa administrative nga ana e qeverisë… , paralajmërime këto që u vërtetuan shumë shpejt me bllokimin e revistës ABC në numrin e dytë, nga ana e pushtetit monarkist, pikërisht në vitin 1936. Ndërkaq ndeshim në një situatë befasuese, kur shkrimtari shkruan: Branko Merxhani, njëri nga publicistët më seriozë të asaj kohe, mendoi të botonte një revistë si antipod të Yllit të dritës, revistë laike dhe universale për të rinjtë tanë… , që në distancë kohore, vëmë re se si ndeshet larmia e të menduarit, si dhe këtu zëshmohet përpjekja e brezit të viteve ’30, për të lënë gjurmën e vetë të pashlyeshme, në historinë e mendimit, e mbi të gjitha në gjurmët letrare, në shkrimin e poezisë dhe prozës, që gjthherët zbulohen në lexim.

Në pohimin tjetër: Edhe Migjeni dërgoi (shkrime-sh. im), si një dëshmi se Migjeni dhe brezi i viteve ’30, po kërkonte rrugë të reja, për shkrimin e poezisë dhe prozës, duke tejkaluar shkrimin letrar me tone tradicionale. Përshkrimi i takimit me Migjenin, teksa shkruan: Më bëri përshtypje portreti i tij, i skalitur nga dora e mendimit dhe dinjitetit. Fliste pak.

I thash se kush isha, dhe u gëzua kur më pa. Ai flinte në një dhomë përdhecke dhe të gjatë, aty nën xhade, nën shkollë… , ku të bën përshtypje të veçantë portretizimi i Migjenit, si dhe përshkrimi i detajuar i vendit ku jetonte Migjeni, pikërisht në rrethanat ekzistenciale të viteve ’30, shenja të gdhendura në përkujtesën e P, Markos, që vjen e gjallë në faqet e librit. Në pasazhin pasardhës, me dëshmi të qarta të miqësisë së madhe të tyre, por edhe në debatin e hapur letrar: Gjithë bisedat tona silleshin rreth stilit, rreth formës, rreth problemeve që duheshin ngritur në art dhe publicistikë… , ku hidhet dritë më së shumti në atë që i bashkonte kaq fortë dy shkrimtarët, letërsia, me të gjithë përbërësit e vetë, letërsia ishte atdheu i lirisë, i ekzistencës së tyre.

Në episodin e mëposhtëm, ndërkaq ka një dialog befasues, në mes të dy mjeshtrave të shkrimit: – Millosh, ti shkruan errët, ndaj duhet të shkruash më hapur, që të kuptohesh nga shumica e lexuesve. Ne duhet të shkruajmë më thjesht, më hapur dhe jo më aludime… , të cilat në një pikëpamje konturojnë tiparet e letërsisë së re, letërsinë e brezit të viteve ’30, ku Migjeni është bashkëkohës, por edhe një kualiteti letrar unik.

Migjeni, me botimin e poezisë dhe prozës në atë kohë, ka tejkaluar kohën e vetë dhe bashkëkohësinë e shkrimit letrar në gjuhën shqipe, ko vetëm për praninë e modernitetit, por më shumë për pentagramin e endur me vargje të lira, si dhe për fuqinë e fjalës në shkrimin e prozës, ku prekim problemet më të mprehta të individit dhe shoqërisë shqiptare të kohës, si dhe duke plazmuar tiparet e realizmit kritik, të një kundërvënie të mprehtë ndaj pushtetit të kohës.

Përgjigjet që jep Migjeni, ndërkohë e zbehin çdo koment: – Që ta pësojmë si me ABC-në, a? Jo, vëlla! Ne duhet të shkruajmë mirë, me zemër e me mend, por me mjeshtri artistike.

Paçka se nuk na kuptojnë dot. Arti asht art dhe publicisitika asht publicistikë… , ku prekim qartësisht kredon letrare të Migjenit, që është kundër modelit të angazhimit letrar ideologjik dogamtik, gjë që e realizoi qysh atëherë me vëllim poetik “Vargjet e lira” dhe me përmbledhjen në prozë “Novelat e qytetit të veriut”.

Dialogu i hapur në mes tyre, mes dy miqve, dy shkrimtarëve të një brezi, vijon sërish me përsëritjen e P. Markos: …ti je shumë hermetik dhe koha e hermetizmit ka kaluar… , e cila dëshmon këndshikime të ndryshme, të dy autorëve për letërsinë, njëherit edhe biseda të çlirëta dhe të thelluar për artin dhe çështjet e ndërlikuara të letërsisë.

Për të mbërritur te përgjigjet emblematike të Migjenit: Nëse nuk më kuptojnë, unë shkruaj për vedi… Njeriu, kur shkruan nuk merr leje nga askush, përveç ndërgjegjes së vet… , që i vë vulën pamundësisë për ta parë Migjenin, si pararendës të realizmit socialist, sepse angazhimi i tij në poezi dhe prozë, është gati tërësor, për fatin e qenies njerëzore.

Pra, gjithnjë poezia dhe proza e tij, ka si adresë shenjën estetike, duke qenë gjithsesi i hapur ndaj rrymimeve futuriste, realiste dhe hermetike. Megjithatë, kurora më e ndritshme e marrëdhnies së tyre, është çasti kur P. Marko do të nisej për në Luftën e Spanjës, e Migjeni i thotë:

– Ti ke shkruar vargje të mira dhe të dobëta, ke shkruar shumë, por nisja jote për në Spanjë është poema më e bukur që po shkruan… , si një vlerësim sipëror për aktin e Petro Markos, teksa shkon vullnetar në Spanjë, në epopen legjendare të kohëve modern, në mes humanes dhe territ të fashizmit. *Shkëputur nga libri “Petro Marko – rebeli liridashës”, në proces botimi.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular