40 vite më parë ndërroi jetë Musine Kokalari/Bujar Leskaj: Stoike në bindjet antikomuniste, intelektuale e shquar, politikane e kalibrit të lartë, ndër shkrimtaret e…

0
298
Nga Bujar Leskaj
40 vite më parë, 13 gusht 1983, një intelektuale e shquar, ndër shkrimtaret e para shqiptare dhe një politikane e kalibrit të lartë, pasardhëse e një familjeje të shquar gjirokastrite, themeluesja e partisë së parë Socialdemokrate më 1943, Musine Kokalari mbylli sytë, e vetme, e sëmurë, e dërrmuar, por stoike në bindjet e saj antikomuniste.
U arrestua më 17 janar 1946 dhe e mbajtën 17 ditë në burg. Më 2 korrik të po atij viti, u dënua me 20 vjet burgim nga gjykata ushtarake e Tiranës si sabotatore dhe armike e popullit.
Pak përpara arrestit i dërgoi një letër Aleatëve, të cilët ende ishin në Tiranë. Në letrën e saj kërkonte zgjedhje të lira dhe lirinë e shprehjes. Në gjykatë, Kokalari mbajti këtë qëndrim:
“Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua progresin e tij. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund t’i persekutoni ata që kanë mendime të ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj!“
Në dorëshkrimin: “Mbi jetën time”, Musine Kokalari shkruan: “Komunistët më varrosën për së gjalli, se nuk iu kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim. Dhe pse do të kërkoja falje?…. Unë s’jam fajtore…”
Në një seancë gjyqi, dikush nga salla thirri që ajo duhej të dënohej me vdekje në litar. Kryetari i gjyqit, Frederik Nosi e pyeti nëse e dëgjonte atë që kërkonte populli, Musineja me qetësi iu përgjigj: “Nesër këtë do të thonë edhe për ju”.
Musine Kokalari nuk pranoi asnjëherë avokat mbrojtës. Ajo bëri një apologji të shkëlqyer që dëshmon jo vetëm qëndrimin e saj si intelektuale, por edhe si politikane, demokrate konsekuente dhe e papërlyer. Gjyqi komunist e dënoi me 20 vjet heqje lirie, me humbjen e të gjitha të drejtave civile dhe me konfiskim të pasurisë.
Pasi kreu 16 vjet nga dënimi i saj, Musinenë e internuan në Rrëshen, ku për 22 vjet punoi në bujqësi dhe ndërtim si punëtore llaçi e përgjuar ditë e natë nga Sigurimi i Shtetit. Pas punës ajo shëtiste vetëm, por dhe shkonte në vendin e saj të preferuar, në bibliotekën e qytetit, ku gjente miqtë e saj të vërtetë, librat.
E dërrmuar nga vuajtjet, e rraskapitur nga punët e rënda, e tronditur nga fati i Shqipërisë që ishte i ngjashëm me të sajin, Musineja u sëmur nga kanceri.
“Ç’fat tragjik”, shkruan ajo.- “Më doli edhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha pak qetësi në vitet e fundit të jetës sime.”
Në spital i refuzohet kurimi për muaj e muaj të tërë.
Ajo shkruan në dorëshkrimin e saj tronditës: “Këtu, spital, në repartin onkologjik, kuptova një gjë. Për mua jo vetëm që nuk interesohen, por kanë qejf të më zvarritin. Dhe vetë kontrollet e këtyre muajve s’kanë gjë tjetër veçse fjalë të kota. Sipas rregullave, unë duhet të isha operuar këtu e gjashtë muaj më parë. Ç’do të ngjasë?
Këtu njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej-këndej.
Njoha punën e punëtorit me normë individuale, njoha punën e krahut me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit. Nganjëherë them me vete se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Kam 38 vjet që nuk e di ç’do me thënë familje.
Ndoshta do të ishte mirë të kisha mbyllur sytë njëherë e përgjithmonë. Kështu merrnin fund edhe vuajtjet, me gjithë gjendjen tragjike. Kjo do të ishte një gjë shumë e mirë. Nëse vdes, në valixhen e vogël kam disa sende me vlerë etnografike për Muzeun e Gjirokastrës. Ato pak kursime dhe gjithçka tjetër le të hyjnë në fondin e shtypit që duhet të krijohet për punëtorin e krahut, i cili është i domosdoshëm, që të demokratizohet puna dhe të kultivohet punëtori i thjeshtë.”,- përmbyll dhimbshëm, por gjithë dinjitet dorëshkrimin e saj.
Në vitin 1993 iu dha titulli “Martir i demokracisë” nga Presidenti Sali Berisha.
Në vitin 2008 i jepet nga Presidenti në detyrë Bamir Topi tiulli i lartë “Nderi i Kombit”.
Emrin e saj e mban një shkollë në Tiranë, Qendra Kulturore në Gjirokastër, një rrugë në Rrëshen, një rrugë në Prishtinë, një bibliotekë lagjeje në Tiranë.