Policia ka zbardhur ngjarjen e rëndë të ndodhur sot (15 gusht) në Himarë, ku dy adoleshentë, përkatësisht të moshës 16 dhe 17 vjeç, u përplasën me JetSki me njëri-tjetrin. Fillimisht policia raportoi se dy të miturit ishin hedhur nga shkëmbi në det dhe 16-vjeçari kishte pësuar dëme të rënda në fytyrë dhe kokë.
Por pasi në media u publikua lajmi se dy adoleshentët ishin përplasur me Jet Ski, uniformat blu kanë njoftuar se dy shokët e tyre kishin dhënë dëshmi të rremë dhe sqaruan ngjarjen.
Policia raportoi se 16-vjeçari me iniciale K. Xh. dhe 17-vjeçari me iniciale D. K., së bashku me shtetasit U. K. dhe R. P., 17 vjeç, nga Tirana (të katërt shokë me njëri-tjetrin) janë futur në det, me 2 mjete lundruese Jet Ski.
Gjatë manovrave në det, dyshohet se aksidentalisht dy mjetet lundruese janë përplasur me njëra – tjetrën dhe për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i njërit mjet Jet Ski, shtetasi K. Xh. dhe pasagjeri, shtetasi D. K, njëri prej të cilëve u transportua me helikopeter në Tiranë për ndihmë mjekësore.
Sipas policisë, “fillimisht, shtetasit U. K. dhe R. P., si pasojë e tronditjes, kanë dhënë dëshmi të rreme duke thënë se dy shokët e tyre u dëmtuan pasi u hodhën nga shkëmbi në det, por më pas, gjatë hetimeve, kanë deklaruar të vërtetën“.
Sakaq, është nisur procedimi penal për shtetasin U. K., 17 vjeç, për veprën penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”, si dhe ndaj shtetasit R. P., 56 vjeç, pronari i mjeteve lundruese Jet Ski, për veprën penale “Shkelja e rregullave teknike në punë”.
Njoftimi i policisë
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur sot, në Llaman, ku aksidentalisht u dëmtua rëndë shtetasi K. Xh., 16 vjeç, nga Tirana dhe u dëmtua lehtë shoku i tij shtetasi D. K., 17 vjeç, po nga Tirana, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë kanë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi penal për shtetasin U. K., 17 vjeç, për veprën penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”.
Procedimi penal ka nisur edhe për shtetasin R. P., 56 vjeç, pronari i mjeteve lundruese Jet Ski, për veprën penale “Shkelja e rregullave teknike në punë”.
Gjithashtu, operatorit turistik me administrator shtetasin R. P., nga ana e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë i janë bllokuar menjëherë të gjitha mjetet lundruese Jet Ski.
Për arsye sigurie i është bërë pezullimi i aktivitetit me mjetet lundruese.
Nga hetimet ka rezultuar se:
Në Llaman, shtetasit K. Xh. dhe D. K., së bashku me shtetasit U. K. dhe R. P., 17 vjeç, nga Tirana (të katërt shokë me njëri-tjetrin) janë futur në det, me 2 mjete lundruese Jet Ski.
Gjatë manovrave në det, dyshohet se aksidentalisht dy mjetet lundruese janë përplasur me njëra – tjetrën dhe për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i njërit mjet Jet Ski, shtetasi K. Xh. dhe pasagjeri, shtetasi D. K.
Shtetasi K. Xh., u transportua në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar.
Fillimisht, shtetasit U. K. dhe R. P., si pasojë e tronditjes, kanë dhënë dëshmi të rreme duke thënë se dy shokët e tyre u dëmtuan pasi u hodhën nga shkëmbi në det, por më pas, gjatë hetimeve, kanë deklaruar të vërteten.
Të gjitha veprimet hetimore në lidhje me këtë ngjarje janë drejtuar nga prokurori dhe po në drejtimin e tij vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.