Mbi 60 të prekur/ Çfarë dihet deri më tani për sëmundjen e meningjitit që po përhapet në Kosovë

0
390

Dhimbje koke, të vjella, marramendje e dhimbje muskujsh, janë simptomat e para atë të sëmundjes së meningjitit që prek cipën e trurit.

Kjo sëmundje ka përfshirë Kosovën në ditët e fundit dhe Klinika Infektive tha se që nga qershori janë prekur 63 persona, 2 prej të cilëve shtruar në spital. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga qytetarët që të kenë kujdesë të shtuar edhe sa i përket kontrollit të vazhdueshëm të ujit të pijes dhe klorizimit të tij.

”Meningjiti mund të prekë këdo që bie në kontakt me agjensin, por disa grupmosha janë më të rrezikuara. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, meningjiti prek më së shumti moshat e reja ngaqë sistemi imunitar tek personat e rinj, kryesisht foshnjat, fëmijët dhe adoleshentët nuk është zhvilluar mjaftueshëm për të luftuar agjensët. Siç njofton Ministria e Shëndetësisë, rrugë e përhapjes së infeksionit mund të jenë pishinat, vendet e freskimit, kontakti dhe uji për pije. Sapo të vëreni simptomat e mësipërme apo gjendje të rënduar shëndetësore, duhet menjëherë të konsultoheni tek mjeku”, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

Meningjiti, apo pezmatimi i cipave të trurit, sipas mjekëve, është një prej sëmundjeve shumë të rënda, sidomos te fëmijët.

Shkaktar i sindromës meningjeale janë infeksionet bakteriale ose virale. Rrugë e përhapjes së infeksionit, sipas mjekëve, mund të jenë pishinat, vendet e freskimit, kontakti dhe uji i kontaminuar.

Si  shfaqet meningjiti?

Disa nga simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me ato të një gripi normal, por që rëndohen për një kohë shumë të shkurtër.

Meningjiti mund të shfaqet menjëherë, ose 3 deri në 7 ditë pas marrjes së infeksionit. Simptomat e sëmundjes përfshijnë të vjella, marramendje, temperaturë të lartë të trupit, dhimbje të muskujve, ndjeshmëri ndaj dritës, dhimbje të kokës, konfuzion, gjymtyrë të ftohta dhe skuqje të lëkurës.

Te fëmijët mund të ketë edhe simptoma tjera, si frymëmarrja e shpejtuar, irritimi, të qarat për një kohë të gjatë, humbja e përqendrimit dhe mungesa e oreksit.