Orjola Pampuri pyet grupin e Gaz Bardhit: Tregoni para demokratëve, pse ndryshuat qëndrim për nongratën!

0
1205

Përpjekjeve të Sali Berishës dhe Gazment Bardhit për të bashkuar deputetët e grupit parlamentar demokrat që janë të përçarë në disa fraksione, i është përgjigjur deputetja Oriola Pampuri.

Në një intervistë në Euronews Albania, deputetja demokrate që është e rreshtuar krah Lulzim Bashës kërkoi nga kreu i grupit parlamentar që japë sqarime përse ndryshoi qëndrim ndaj Berishës së shpallur non grata.

“Këta që janë sot si luftëtarët e mëdhenj të bashkimit, kanë qenë luftëtarët më të mëdhenj kundër non gratës. Dhe të themi të drejtën, lëvizje me një shpejtësi marramendëse qëndrimesh në politikë të japin të kuptosh një lloj paqëndrueshmërie. Ata që sot kërkojnë bashkimin e grupit parlamentar duhet më parë të shpjegojnë përse ngulën këmbë të ishin deri këtu”, tha Pampuri.

Pampuri sqaroi pse ka zgjedhur të mos mbështesë Berishën.

“Unë nuk mund të eci përpara kundër SHBA, BE e Britanisë së Madhe, kjo është absurde. Mua nuk më ka detyruar as zoti Basha të jem aty, ka qenë qëndrimi im personal dhe i palëkundur nga fillimi deri sot dhe askush tjetër nuk më shantazhon dhe nuk më detyron të mbajë qëndrime në këtë krah apo në kahun tjetër”, u shpreh deputetja e PD.

Të shtunën nën drejtimin e Lulzim Bashës do të mbahet kuvendi i partisë demokratike që ka në rendin e ditës ndryshime në statutin e partisë dhe zgjedhjen e kuvendit kombëtar.