Nesër Kuvendi i PD, Indrit Sefa: Nuk kanë vend personat non grata, partia do vijë me alternativë të re

0
299

Partia Demokratike do të mbledhë ditën e nesërme Kuvendin Kombëtar, ku priten të miratohen ndryshime statutore dhe të votëbesohet Këshilli i ri Kombëtar.

Në një intervistë televizive, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Indrit Sefa tha se në Kuvendin Kombëtar do të jenë 5500 delegatë, ndërsa theksoi se këto ndryshime do sjellin modernizimin e partisë.

Sipas Sefës, Partia Demokratike do ta vendosë thelbin tek anëtarët e saj për të bërë të mundur një konceptim të ri të bazës së partisë.

“PD ka ndryshuar filozofinë e saj duke u përcaktuar si një forcë e djathtë konservatore, për këtë janë bërë ndryshimet në statut, është vënë thelbi tek anëtari, i cili do jetë qendra e partisë për të bërë të mundur që të kemi një konceptim të ri të strukturës së PD në bazë. Decentralizimi organeve të PD, duke dhënë rëndësi të veçantë ndarjes së pushteteve në PD, i është dhënë zë i veçantë vendimmarrjes së organeve kolegjiale.

Në kuvendin kombëtar do jenë tek 5500 delegatë me të drejtë vote. Do sjellin modernizmin e partisë dhe përshtatjen me nevojat aktuale. Ka qenë parti që ka pasur strukturë org të njëjtë për shumë vitre, do ndryshojë mënyra e konceptimit, duke i dhënë mundësi çdo individi që të jetë pjesë aktive e jetës politike ne e bëjmë të mundur pa qenë nevoja e marrjes së konfirmimeve nga strukturat, por ai mund të angazhohet dhe të drejtojë strukturën e tij. Kemi bërë një mënyrë tërësisht të re”, tha Sefa në Report Tv.

Ndalur në luftën me grupin e Sali Berishës dhe përçarjes që tashmë duket se nuk ka më kthim pas, Sefa bëri të qartë edhe njëherë se nuk do të pranojnë në Partinë Demokratike persona të shpallur non grata nga aleatët më të mëdhenj të vendit tonë.

“Personat non grata nuk kanë vend në PD, asnjëri që merr ketë cilësi nga vendet të perëndimit, nuk është pjesë e PD dhe kjo është e përcaktuar qartësisht. Personat të cilët kanë shkelur, ka rregulla edhe për disiplinën e partisë, ka disa rregullime të vogla. PD nuk është e pirur për të përjashtuar njerëz, kushdo që i beson programit të PD është i mirëpritur dhe e ka derën e hapur. Ata që janë anëtar të PD kanë shtëpinë e vet dhe janë anëtarë të PD”, tha Sefa.
Tashmë sipas Sefës, partia do të vijë e rikonceptuar dhe me një vizion e alternativë për shqiptarët.

“Ky do jetë një hap i parë dhe shumë i rëndësishëm për të treguar një vizon të ri të PD se si e koncepton PD Shqipërinë në vitet në vijim dhe kush është misioni i saj për t’i transmetuar shqiptarëve. Alternativa që u paraqitet shqiptarëve”, u shpreh Sefa.