Hedhin lule në det/ Familjarët e 16-vjeçarit që vdiq pasi u përplas me Jet-Ski në plazh protestojnë në Himarë, mes lotësh kërkojnë drejtësi: Do bëjmë vetëgjyqësi nëse…

0
118

Familjarët e 16-vjeçarit që vdiq pasi u përplas me Jet-Ski në plazhin e Llamanit janë ngritur në protesta në Himarë.

Ata hodhën lule në det në vendin ku u aksidentua adoleshenti dhe mes lotësh kërkuan drejtësi për vdekjen e tij, në të kundërt paralajmëruan se do të bëjnë vetëgjyqësi.

“Kemi ardhur këtu në vendngjarje për drejtësinë e djalit. Kjo që ka ndodhur mos t’i ndodhë kujt. Duam drejtësi deri në pikën e fundit. Në qoftë se nuk marrim drejtësi do bëjmë vetëgjyqësi”, tha babai i 16-vjeçarit Klei Xhaja.

“Duhet të vihet drejtësia. I jepet motori fëmijëve 16 vjeç dhe bëget ajo që u bë. Këtu nuk ka as kontroll asgjë”.

Minoreni u përplas me Jet-Ski në plazhin e Llamanit në Himarë më 15 gusht dhe ndërroi jetë në Spitalin e Traumës pak ditë më vonë.

Dëshmia e një prej të miturve

Njëri prej 4 të miturve të përfshirë në aksidentin me Jet-Ski ka treguar se bashkë me 3 shokët e tij, të gjithë të mitur, paguan lekët dhe direkt dolën xhiro në det pa u pyetur për moshën.“Donim të merrniim një jet ski të dinim në det të bënim xhiro, askush s’na kërkoi as identitet, as patente, as moshën, nuk na pyeti askush”, rrëfen ai, sipas gazetares Klodiana Lala.

Ai deklaroi se pronari i Jet Skive, të cilin e identifikon si Renato Panajoti, i kishte kërkuar të ndryshonin dëshmin e tyre.

“Policia erdhi në urgjencë, aty po flisja me pronarin e Jet Skive. Më tha që me rrezikohet biznesi mund të themi se është hedhur nga shkëmbi, nuk kemi çfarë i bëjmë, kjo që ndodhi ndodh. Në fillim deklaruam se është hedhur nga shkëmbi. Nga trauma s’dinim si të vepronim na u shtua dhe pak presioni. Pasi u kthjelluam pak dhamë dëshminë tamam”, tregoi Rigersi.

I mituri tjetër, Danieli, i cili ndodhej në të njëjtin Jet Ski me viktimën, tregoi se nuk i pyeti askush për moshën e tyre, ndërsa pas aksidentit iu dha ndihmë nga një person rastësor që kishte dalë në det me varkë.

Edhe Danieli pranoi se gënjeu për ngjarjen pasi ishte nën presionin e pronarit të Jet Skive.

“Morëm presion nga pronari i jet skive, duke na thënë që jemi hedhur nga shkëmbi. Ne ishim ne momentin që nuk ishim në gjendje të mirë psikologjike, që ta kuptonim me çfarë qëllimi na e tha ai atë, nuk kishin asnjë ndihmë, as psikolog, as avokat as ndihmë mjekësore. E kuptova vetë që nuk kishte sens, ajo që po thonim. Fola dhe tregova të drejtën”, rrëfen ai.