Mjeku i njohur Tritan Kalo ka reaguar ashpër ndaj situatës në vend duke e akuzuar politikën se po ndërmerr aktin e fundit të tradhtisë ndaj shqiptarëve, theqafjen në honet e historisë dhe në udhët e emigrimit masiv.
Në një postim në “Facebook” Kalo iu drejtohet politikanëve si ‘të paudhë’ që e sollën popullin vërdallë për 30 vite në udhëkryqin e tranzicionit. Ai iu kërkon shqiptarëve të ndezin dritat e mendjes e të mos i fikin ato të arsyes e të mos iu shkojnë nga pas si militantë klasës politike.
POSTIMI I PLOTË
PPP-ja më e fundit në tregun e politikbërjes shqiptare, që uroj dhe shpresoj te jetë sa më jetëshkurtër…Përçarje – Përfolje – Përplasje…Kjo përçarje mes nesh, kjo përfolje e çdo fjale dhe veprimi tonë, kjo përplasje e pa principtë mes palëve politike dhe e pabuktë për ardhmërinë tonë, vetëm e vetëm Pa-përgjegjshmëri, Pangopësi dhe Pa-atdhetari mbetet të jetë, POR qytetari, drejtim dhe përgjegjësi morale-politike dhe sociale, KURRË nuk u është dhe kurrë nuk mundet të jetë…Na sollët vërdallë o të paudhë, për pothuajse 30 vite në udhëkryqin e tranzicionit demokratik dhe tanimë të tejngopur me pasuri, me zezona socio-ekonomiko-politike si dhe me keqbërje ndaj Atdheut e Kombit, po ndërmerrni aktin e fundit të tradhtisë ndaj nesh, THEQAFJEN tonë përfundimtare në honet e historisë dhe në udhët e pakthimit/të emigrimit masiv…
MOS ndizni e fikni dritat e celularëve ju bashkëkombasit e mi, POR ndizni dritat e mendjes dhe mos i fikni ato të arsyes…Klasën/kastën/glasën politike e cila na rrëmbeu rreth 30 vite jetë e mundësi begatimi, do të vijojmë ta kemi të kalëruar mbi shpinat tona edhe më tej, NËSE do vijojmë t’u shkojmë nga pas si dele apo militantë trushplarë, si dhe pa dashuri e dhimbsuri për veten e familjet tona…..Quo vadis Shqipëria ime!!!….Ja një këshillë e urtë për këto kohë të pakohta nga Sir. Oliver Wendell Holmes: “Intuita e një çasti nganjëherë vlen sa përvoja e një jete”.