Gazment Bardhi ka qenë vitet e fundit, një ndër mbështetësit më të afërt të Lulzim Bashës. Ndarja e tyre ndodhi muajt e fundit që kulmoi me shkarkimin e tij si sekretar i Përgjithshëm i PD-së dhe kryetar i Grupit Parlament.
Gazetari Andi Tela, i kërkoi Bardhit në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” që të kërkonte ndjesë pse ka qenë mbështetës i flaktë i Bashës, duke mbështetur çdo tezë dhe çdo veprim edhe në rastet më absurde, ndërsa ai u përgjigj se kishte qenë një nga oponentët më të fortë të zotit Basha për disa vendimmarrje.
Debati në studio
Andi Tela: Zoti Bardhi duhet të kërkojë ndjesë që ka mbështetur Bashën në momentet e fundit. Ai ka qenë mbështetës i flaktë i Bashës. Ka mbështetur çdo tezë të tij, çdo veprim. Tani në fund janë ndarë, në korrik janë ndarë.
Gazment Bardhi: Nuk jam në politikë për të bërë analizë psikologjike të askujt. Jam pjesë e një ekipi, besoj në disa vlera dhe parime. Mendoj se ekipi udhëhiqet nga të njëjtat vlera dhe parime. Kur shoh që devijohet nga këto vlera, distancoj veten. Një nga oponentët më të fortë të zotit Basha për disa vendimarrje ka qenë Sekretari i Përgjithshëm, pra unë.
Andi Tela: Më thoni vetëm një.
Gazment Bardhi: Përshembull për zgjedhjet lokale. Unë jam emëruar Sekretar i Përgjithshëm në vitin 2019. Pa patur funksion dhe përgjegjësi, qëndrimi im nuk kishte atë vlerë siç ishte kur isha Sekretar i Përgjithshëm. Nuk ka prishje të zotit Basha me mua në korrik të këtij vitit. Unë në mars i kam thënë zotit Basha, ose jepni ju dorëheqjen, ose duhet ta jap unë.
Andi Tela: Edhe dorëheqja e Bashës ishte teatër.
Gazment Bardhi: Unë e kam besuar si një dorëheqje të sinqertë. Kur u provua e kundërta unë mbajta qëndrimin tim.
Andi Tela: Ju ishit me Bashën nga mëngjesi në darkë…
Gazment Bardhi: Jo, sepse kishim aktivitetet tona.
Andi Tela: E thashë në kuptimin që, nuk mund të thuash pas 3-4 vitesh me të, që unë e kuptova me vonesë…
Gazment Bardhi: Ju më thatë ka patur lojë në aktin e dorëheqjes. Po ju shpjegoj, e kam pyetur Bashën dhe më ka thënë është akt i sinqertë. Nuk jam në politikë për të bërë analizë psikologjike.