Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Indrit Sefa hodhi akuza mbi grupin e Gazment Bardhit, në lidhje me qëndrimet e tyre në Partinë Demokratike.
I ftuar në Euronews Albania, Sefa tha se grupimi i Bardhit kundërshtonte mbajtjen e zgjedhjeve në Partinë Demokratike, pasi plani i tyre ishte që kjo forcë politike t’i dorëzohej pa kushte Sali Berishës.
Sipas tij nëse do të pengohej mbajtja e zgjedhjeve, atëherë planet organizative në PD nuk do të ecnin kurrë dhe partia do t’i dorëzohej pa kushte ish-kryeministrit Berisha, nëse donte që të mbijetonte.
“Ne e kemi dhënë mundësinë gjithë deputetëve që të ishin pjesë e procesit zgjedhor, madje ata kanë qënë të deleguar në zonat përkatëse, kanë qënë pjesë e grupeve të punës. Të drejtë ose edhe detyrim që kanë pasur ndaj Partisë Demokratike që nuk e kanë ushtruar kurrë.
Në qoftë se Partia Demokratike do të priste pëlqimin e secilit prej nesh për të ecur me planet organizative të saj, nuk kishte për t’u bërë kurrë,’‘, tha Sefa.