Refleksion për 15 shtatorin, Dita Ndërkombëtare e Demokracisë! Nga Klodian Xhyheri

0
239

Nga Klodian Xhyheri
Sa shumë nevojë kemi sot për demokraci!
Fatkeqësisht, kemi bërë hapa pas sa i përket nivelit të saj, 32 vjet pas rënies së diktaturës komuniste në vendin tonë.

Sot, ndoshta duhet të diskutonim për rolin e të rinjve në zhvillimin e demokracisë. Po për cilët të rinj e kemi fjalën? Për ata që kanë ikur dhe po ikin përditë nga vendi ynë edhe si shkak i përdhosojes së demokracicë?
Për ata të rinj që marrin përlasjen në fytyrë nga çdo derë që sisitemi i ngritur u jep, për punësim, arsimim, drejtësi, mirëqenie e zhvillim?

Të rinjtë duhet të ishin kujdestarët e së tashmes dhe të ardhmes për demokracinë. Po vetëm duhet të ishin, sepse ata tashmë kanë ikur, i ndoqën nga vendi i tyre. Ata nuk janë më.

Një elektorat i angazhuar dhe i arsimuar mirë është në zemër të shoqërive të forta demokratike. Krijimi i një mjedisi në të cilin të rinjtë ndiejnë se zëri i tyre ka rëndësi është thelbësore për shoqëritë moderne.

Me keqardhje them se nuk kemi as elektorat të angazhuar dhe të arsimuar, që të krijonim një shoqëri të fortë e demokratike e as mjedis ku të rinjtë ndiejnë se zëri i tyre ka rëndësi.
Sepse ne të rinjtë i përzumë nga vendi, pasi për diktaturat ata janë lënda e parë, brumi që kërkojnë ndryshimin dhe zhvillimin.

Të rinjtë na “bezdisin” me kërkesat e tyre për më shumë të drejta, më shumë ndryshime, më shumë të drejtësi e liri.
Ata bëhen “rrezik” për prishjen “e qetësisë” diktatoriale. Kërkesat e tyre të vazhdueshme për transparencë, prosperitet, vendimmarrje dhe shpërbërje të amullisë politike, mund të na çojë në batimin e pushtetit.

Kështu që vendosëm më mirë t’i përzëmë ata. Duke zgjatur kështu pushtetin, të mirat materiale që sjell pushteti, korrupsionin, abuzimin dhe shtyrjen e afatit të skadencës për qeverinë kalbësirë.

Bëmë gjithçka që t’u mbylleshin dyert dhe dritaret të rinjve, për mos të gjetur asnjë hapësirë që kërcënonte diktatin.

“Fuqizimi i brezit të ardhshëm”, duhet të ishte në fokusin tonë si shoqëri dhe qeverisje, në rolin thelbësor të të rinjve, në përparimin e demokracisë dhe sigurimin që zëri i tyre të përfshihet në vendimet që kanë një ndikim të thellë në botën e tyre.

Por kjo mbetet një utopi, një tezë për një detyrë kursi për studentët në universitet, që vit pas viti po na shterojnë. Që edhe ata pak që kemi, sytë dhe mendjen e kanë jashtë atdheut tonë.

Me keqardhje uroj të gjithë të rinjtë e vendit tim sot:

Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë rini!