Mbrëmjen e sotme (20 shtator) një efektiv i forcave “Shqiponja” u plagos me armë zjarri nga një 42-vjeçar, i cili ishte në ndjekje nga policia.
I plagosur mbeti Edlir Alleshi, i cili ishte në krye të detyrës kur gjatë ndjekjes së 42-vjeçarit, ky i fundit hapi zjarr duke lënë të plagosur policin.
Autori është shtetasi Klerent Bozhanaj, të cilin policia e ka shpallur në kërkim dhe po punon për kapjen e tij.
Në një foto të autorit që policia e ka bërë publike, Bozhanaj shfaqet i buzëqeshur me varse floriri dhe syze në qafë.
Po ashtu, policia ka ofruar 20 mijë euro shpërblim për këto që jep informacion të saktë për kapjen e autorit. Ndërsa i bën thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm pasi personi vazhdon të jetë i armatosur.
Efektivi i plagosur ndodhet në Spitalin e Traumës dhe aktualisht gjendja e tij paraqitet e stabilizuar
Autori ka qene emigrant
Ndërkohë Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj në një deklaratë për mediat tha se autori ka qenë emigrant në Itali dhe se në muajin gusht është kthyer në Shqipëri. Sipas Vocajt, ai ka shfaqur probleme depresive.
“Ka një dëmtim me armë zjarri. Policia dhe RENEA janë mobilizuar për kapjen e autorit i cili quhet Klerent Bozhanaj i datëlindjes 1981. Ky person është i armatosur dhe ka shenja të theksuara depresioni. Vazhdojnë veprimet e policisë. Po komandojmë me familjarët. Policia vendos shumën 20 mijë euro për informacion të vlefshme që çon në kapjen e autorit. Ne nuk kemi shumë të dhëna për momentin. Dime që ky person ka qenë emigrant në Itali është kthyer në gusht në Shqipëri. Nga hetimet e deritanishme është evidentuar fakti që ka shenja depresive dhe nuk kemi të dhëna për përfshirje në aktivitet kriminale”, tha Vocaj.
Njoftimi i policise
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, Patrullat e Përgjithshme të mbështetura nga Renea, po vijojnë ndjekjen dhe kontrollin e zonës, për kapjen e personit të armatosur, shtetasit Klerent Bozhanaj, 42 vjeç, që plagosi punonjësin e Policisë, inspektor E. A.
Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që kushdo që ndeshet të bëjë kujdes pasi ky shtetas është i armatosur, dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet e Policisë.
DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 20000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694111546, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.