Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë se nuk mund të komentojë zhvillimet e brendshme të partive politike në vend, duke u distancuar nga përplasja në Kuvend e deputetëve të PD për zgjedhjen e kreut të Grupit të saj.
Delegacioni i BE në një prononcim për News24 shprehet se nuk ka diskutuar me asnjë nga anëtarët e komisioneve lidhur me zgjedhjen e avokatit të popullit. Por në qëndrimin e saj BE shprehet se: “Mbështet plotësisht çdo përpjekje të ndërmarrë për finalizimin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, një tjetër hap i rëndësishëm për Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në BE.”
“Delegacioni i BE-së beson në rëndësinë vendimtare të opozitës për funksionimin e institucioneve demokratike. Megjithatë, Delegacioni i BE-së nuk komenton dhe nuk ndërhyn në punët e brendshme të partive politike. Në rastin konkret, Delegacioni i BE-së nuk ka diskutuar me anëtarët e opozitës për çështjen e papërfunduar të zgjedhjes së Avokatit të Popullit nga parlamenti.
Delegacioni i BE-së mbështet plotësisht çdo përpjekje të ndërmarrë për finalizimin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, një tjetër hap i rëndësishëm për Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në BE.”, thuhet në reagimin e BE.