BallinaKryesoreSi ndikon koha e kaluar para telefonave te gjumi dhe shëndeti mendor...

Si ndikon koha e kaluar para telefonave te gjumi dhe shëndeti mendor i adoleshentëve

spot_img
spot_img
Privimi i gjumit mund të sjellë pasoja të rënda si rezultate të dobëta në shkollë e probleme në shëndetin mendor

Me fillimin e vitit të ri shkollor, vjen pashmangshmërisht edhe beteja për t’i kthyer fëmijët te një rutinë e shëndetshme para gjumit.

Në shumë raste, kjo ka të ngjarë të thotë vendosjen e kufizimeve në përdorimin e telefonave, veçanërisht në mbrëmjen vonë. Por vendosja dhe respektimi i këtyre rregullave është më e thjeshtë të thuhet se të bëhet.

Një numër në rritje studimesh po gjen lidhje të forta mes gjumit, shëndetit mendor dhe kohës së kaluar para telefonave tek adoleshentët dhe tweens (termi tregon fëmijët para adoleshencës, të moshës mes 10 dhe 12 vjeç).

Në mesin e një krize të shëndetit mendor të paprecedentë, ku rreth 42% e adoleshentëve në SHBA vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, edhe adoleshentët po flenë shumë pak.

Bëhet fjalë për një rreth vicioz. Si mungesa e gjumit, edhe aktiviteti intensiv i lidhur me përdorimin e mediave sociale dhe videolojërave para se ata të flenë mund të përkeqësojnë, madje edhe të shkaktojnë ankth dhe depresion që kërkojnë trajtim.

Për këtë çështje, flet mjeku drejtues i qendrës së gjumit në Seattle Children’s Hospital, i cili studion shqetësimet e ndryshme të gjumit në moshën pediatrike.

Ekipi i mjekëve dhe operatorëve vëzhgon pasojat negative të përdorimit të tepërt të telefonave, veçanërisht në media sociale, që ndikojnë jo vetëm te gjumi, por edhe te shëndeti fizik dhe mendor i pacientëve.

Lidhja midis shëndetit mendor dhe orëve të pamjaftueshme të gjumit

Prej kohësh, studimi ka treguar një lidhje të qartë mes shëndetit mendor dhe gjumit. Orët e pamjaftueshme të gjumit mund të shkaktojnë shëndet të keq mendor dhe anasjelltas. Njerëzit e prekur nga depresioni dhe ankthi vuajnë zakonisht nga pagjumësia.

Privimi i vazhdueshëm i gjumit thellon depresionin dhe ankthin që kanë shkaktuar pagjumësinë. Ndër të tjera, pagjumësia dhe cilësia jo e mirë e gjumit mund të zbehin përfitimet e terapisë dhe mjekimit.

Në rastin më të keq, privimi kronik i gjumit rrit rrezikun për vetëvrasje. Një studim zbuloi se vetëm një orë më pak gjumë gjatë javës shoqërohej me “shanse dukshëm më të mëdha për t’u ndier i pashpresë, për të menduar vetëvrasjen apo për të tentuar vetëvrasjen, si dhe përdorimin e drogave”.

Dhe çfarë bëjnë të rinjtë kur qëndrojnë në krevat zgjuar, të frustruar dhe të paaftë për të fjetur? Po, e gjetët – shpesh qëndrojnë para telefonave.

Studime të kryera në gjithë botën te më shumë se 120 mijë të rinj të moshës mes 6 dhe 18 vjeç, që përdorin thuajse çdo lloj media sociale, kanë treguar vazhdimisht përkeqësimin e cilësisë dhe reduktimin e orëve të gjumit. Kjo ndodh në gjithë botën, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Ndikimi i fortë i ekraneve dhe rrjeteve sociale

Edhe pse mediat sociale kanë disa avantazhe, studimi e tregon qartë se kalimi i kohës në rrjete sociale sjell më shumë disavantazhe se avantazhe.

Së pari, kalimi i kohës në media sociale kërkon që të qëndroni zgjuar, pra të zëvendësoni gjumin.

Së dyti, drita e emetuar nga pjesa më e madhe e telefonave, edhe me një filtër nate, një filtër të dritës blu apo të dyja, mjafton që të ulë nivelet e melatoninës, hormonit kryesor që sinjalizon fillimin e gjumit. Kur çlirimi i melatoninës pengohet nga kalimi i kohës para një pajisje teknologjike, bëhet edhe më e vështirë të të zërë gjumi.

Së treti dhe ndoshta më problematike, është përmbajtja që shohin adoleshentët.

Shikimi i imazheve të shpejta si ato në TikTok apo në videolojëra para së të flini është i dëmshëm, sepse truri dhe trupi stimulohen shumë nga këto ekspozime dhe kërkojnë kohë për të arritur një gjendje të përshtatshme për të fjetur.

Por nuk është vetëm shpejtësia e imazheve. Përmbajtjet multimediale mund të shqetësojnë si gjumin pa ëndrra, edhe atë me ëndrra.

A ju ka ndodhur ndonjëherë të shkoni të flini, pasi keni parë një film thriller apo horror dhe skenat e atij filmi t’ju jenë shfaqur në ëndrra? Problemi nuk qëndron vetëm tek ëndrrat.

Edhe truri mund të mos arrijë të bjerë në gjumë të thellë pa ëndrra, pasi po përpunon ende imazhet me ritëm të shpejtë. Këto ndërhyrje në gjumin tuaj mund të jenë shumë të dëmshme për cilësinë dhe orët e përgjithshme të gjumit.

Përveç kësaj, studimi gjeti një lidhje të qartë midis përdorimit të mediave sociale dhe një perceptimi të keq të trupit tek fëmijët dhe adoleshentët, si dhe përkeqësimin e përgjithshëm të shëndetit mendor dhe problemeve të gjumit.

Këto probleme janë mjaft shqetësuese saqë në maj 2023, kirurgu i përgjithshëm bëri një deklaratë duke paralajmëruar për rreziqet e mediave sociale, duke u bërë thirrje kujdestarëve, mësuesve dhe politikëbërësve që të punojnë së bashku për të krijuar një mjedis më të sigurt në internet.

 

 

Gjendja e privimit kronik të gjumit

T’i japësh gjumit prioritet të lartë është një gur themeli i shëndetit të përgjithshëm dhe shëndetit mendor dhe është kyçe për të qëndruar vigjilentë dhe të kujdesshëm gjatë ditës së shkollës.

Organizata të shumta mjekësore dhe shkencore i këshillojnë adoleshentët të flenë tetë deri në dhjetë orë çdo natë.

Por vetëm një në pesë nxënës arrin ta bëjë këtë. Pjesërisht kjo vjen nga oraret e fillimit të shkollës që nuk përkojnë me ritmet natyrore të pjesës më të madhe të adoleshentëve, të cilët nuk flenë edhe aq herët gjatë ditëve të pushimeve.

Adoleshentët që nuk flenë mjaftueshëm mund të mos arrijnë rezultate të larta në shkollë, të vuajnë mungesën e aftësive organizative dhe një proces mediokër vendimmarrës. Tek adoleshentët, lobet frontale nuk janë të formuara plotësisht, pjesa e trurit që kontrollon impulset dhe gjykimin.

Privimi i gjumit i komprometon më tepër këto sjellje, të cilat mund të çojnë në vendime të gabuara në lidhje me përdorimin e drogave dhe alkoolit, ngarjes së makinës në gjendje të dehur e më keq akoma, përdorimin e armëve e shumë të tjera.

Këto sjellje mund të shfaqen që në shkollën e mesme, por edhe më parë. Ndër të tjera, privimi i gjumit lidhet drejtpërdrejt me hipertensionin, sulmet kardiake dhe zhvillimin e diabetit në moshë madhore.

Mungesa e mjaftueshme e gjumit lidhet edhe me obezitetin në fëmijëri dhe adoleshencë. Rritja e peshës së padëshirueshme manifestohet me privimin e gjumit nëpërmjet një serie mekanizmash komplekse, duke përfshirë ndryshimet në metabolizëm, një stil jete më sedentar dhe zgjedhje të tjera ushqimore të gabuara.

/ World Economic Forum

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular