BallinaOP EDMbi projektvendimin e Akademisë së Shkencave

Mbi projektvendimin e Akademisë së Shkencave

spot_img
spot_img

NGA PROF. DR. NEBI BARDHOSHI 

“Me dalë dëshmitarë në të drejtë,- na thotë Martin Camaj diku,- asht detyrë e çdo njeriu”.

Do dëshmohet se si një projektvendim i iniciuar nga Akademia e Shkencave [22 shtator, 2023] kërkon të hedhë velin e një reforme të drejtë, ku, në fakt, ky projektvendim nuk bazohet as tek e drejta, as tek e mira publike, dhe jo e jo te ligji. Ky projektvendim ka për qëllim të legjitimojë përfshirjen e njësive kryesore të Akademisë së Studimeve Albanologjike nën varësi të Akademisë së Shkencave. Me njësi kryesore kupto “institutet”, si: ai i Arkeologjisë, Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, Gjuhësisë-Letërsisë, si dhe i Historisë. Në bazë të ligjit “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor” në institucionet e arsimit të lartë “njësi kryesore” futen institutet dhe fakultetet.

Një prej shqetësimeve kryesore, ngritur prej kohësh publikisht nga ata që kundërshtuan shkrirjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe transferimin e instituteve të saj si pjesë e Akademisë së Shkencave, ka qenë se “institutet” nuk do të jenë “njësi kryesore” [kupto baras me fakultetin] dhe as të përhershme nëse ato shkojnë pranë Akademisë së Shkencave. Përveç faktit se njësitë e kërkimit pranë Akademisë së Shkencave janë vetëm me afat, pra s’ka përhershmëri dhe as garanci ligjore për vijimin e tyre, njësitë e kërkimit pranë Akademisë së Shkencave nuk kanë autonomi institucionale të garantuar, pasi ato janë në vartësi direkte të Kryesisë së Akademisë.

Me një lehtësi që do t’ia kishte lakmi shumëkush, Akademia e Shkencave ka ofruar opsionin e instituteve të përhershme. Pyetja që të vjen ndërmend është pse nuk kërkuan publikisht që këto institute të shpalleshin të shenjta, meqë paska qenë kaq e lehtë?! Puna është se projektvendimet duhen bazuar në ligj, se po nuk u parashikuan në ligj, ç’vlerë kanë projektvendimet, përveç zhytjes së ASH-së akoma më tej në paligjshmëri?

Pse themi se kjo është e paligjshme?

Baza ligjore për këtë është neni 19 i ligjit “Për Akademinë e Shkencave”. Në të thuhet:

“1.Sipas nevojave, detyrave e problemeve në fushën e kërkimit, në përmbushje të rolit të saj, pranë Akademisë mund të ngrihen njësi të kërkim-studimit me aktivitet afatshkurtër e afatgjatë.

2. Këto njësi janë autonome në realizimin e detyrave të tyre, mbajnë marrëdhënie me Kryesinë e Kryetarin dhe raportojnë pranë tyre.

3. Sipas rëndësisë, problemeve të kohëzgjatjes, këto njësi ngrihen me akte të Asamblesë apo të Kryesisë për njësitë me afat deri në 2 vjet dhe me vendim të Këshillit të Ministrave për njësitë e tjera.

4. Objekti, financimi, shtrirja, veprimtaria dhe përbërja përcaktohen në aktet përkatëse që dalin për ngritjen e tyre”.

Pra, ‘njësi të përhershme’ ligji i ASH-së nuk njeh, të përkohshmet deri dy vjeçare ngrihen me akte të Asamblesë apo të Kryesisë, ato ‘afatgjatë’ me vendim të Këshillit të Ministrave.

Referencë tjetër, kinse ligjore, përdorur në projektvendimin e ASH-së, është neni 46 i Statutit të ASH-së. Në këtë nen thuhet se mund të krijohen institutet. Por, siç dihet botërisht, një nen statutor që bie ndesh ligjit, është një nen i paligjshëm. Si mund të zgjidhje ky problem? Do të kishte qenë shumë më e lehtë sikur në vend që të ndryshohej ligji i ASH për të drejtë rizgjedhje të kryetarit dhe kryesisë [korrik 2023], të ishte shtuar një nen ku të thuhej se. njësitë e kërkimit pranë Akademisë, mund të ishin institute dhe të përherëshme e , bashkë me këtë ndryshim të shtoheshin garancitë për autonomi institucionale dhe liri akademike. Kjo s’do shuante gjithë paligjshmëritë e shkaktuara deri më tash, porse do të kishim një dëshmi se ka vullnet për tu kthyer për kah e drejta dhe e mira publike.

Por paligjshmëritë nuk kanë shoqërues vetëm velin e mbulimit të mungesës së një reforme të drejtë, por shprehin edhe sistemin referencial ku ka ngecur Akademia e Shkencave. Për shembull, në projektvendim thuhet se statusi i studiuesve do të jetë sikurse ai i kolegëve në Shkollat e Larta. Tash, të më thotë dikush se cili ligj njeh institucionin apo konceptin e Shkollës së Lartë?! Në dijen time, s’ka më shkolla të larta. Pra, statusi i studiuesve ka një referencë ligjore që nuk ekziston më. A ia vlen më ta diskutojmë seriozisht këtë temë?!

Përveç velit të kinse demokratizimit, referencave të paqena ligjore, ka dhe një sens hakmarrjeje dhe mungese të thellë profesionalizmi. Në këtë reformë preken të gjithë institutet, por për një ka pasur dëshirë të dëshmohet më shumë zell. Konkretisht kjo ndodh me Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit. Tashmë, sipas projektvendimit, na shfaqet një institut me emrin “Instituti i Antropologjisë”. Është shkëputur Departamenti i Arteve. Nuk është pyetur as konsultuar askush. Asnjë studim paraprak, asnjë kërkesë për informacion. Veç një platformë për të akomoduar pak njerëz. Për këtë do të kemi mundësi të flasim sot e mot. Por, le të mos harrojmë se secili do të mbajë përgjegjësitë e veta.

Projektvendimi mundohet t’i shtojë vetes velin demokratik, teksa thotë se do të njihen të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare. Për këtë pohon se ASH-ja shpreh vullnetin që t’i vijojë këto marrëveshje. Por pyetja kryesore ka qenë dhe është: do të duan palët e tjera? Për shembull, ka Akademia e Shkencave një Strategji të Kërkimit Shkencor? Sigurisht që nuk e ka, por me mënyrën se si e kanë paraqitur përfaqësuesit e saj në debatin publik më mirë të mos e ketë. S’mund të jetë strategji kërkimi shkencor, ku aty janë paracaktuar të vërtetat. A mundet një institucion i hapur të ketë partner një institucion që s’ka strategji kërkimi shkencor, apo aq më keq, ka një strategji ku i ka paracaktuar të vërtetat?

Projektvendimi ka dhe një klauzolë për drejtorët e instituteve. Sipas këtij projektvendimi drejtorët e njësive kryesore do të “caktohen”. Nuk e di se çfarë mendohet për Këshillin Shkencor, për drejtuesit e departamenteve, por për drejtorët kërkohet “të caktohen”. Tash vini re! Kjo fjalë lëshohet në fund të shkresës. Një term që nuk para përdoret në terminologjinë ligjore. Do duhej zgjedhje, vazhdim mandati ose rizgjedhje. Ja pra, kjo Akademi kërkon të sillet si demokratike e të jetë ajo që është. Duket se është në pamundësi kulturore, rrjedhojë e një habitusi të banuar në vitet 1980, më të trishtat për shkencën, shoqërinë dhe politikën shqiptare. Por për Akademinë e këtij projektvendimi, kjo është periudhë nostalgjie.

Kohë kur lavdin ndaj vetvetes së izoluar prej botës s’ta ndalonte dot askush! Pra do të “caktojnë” drejtuesit e rinj në mënyrë që të kontrollojnë gjithë strukturën e instituteve. Kontrolli realizohet lehtë. E para, “të caktuarit” nuk mund të jenë plotësisht të lirë, sepse siç caktohen ashtu ç’caktohen. E dyta, “njësitë e përhershme” të kësaj Akademie janë jashtëligjore dhe kurdo mund të vihen në pyetje për ekzistencën e tyre. E treta, edhe nëse do të ishin brenda ligjit të Akademisë së Shkencave, prapë do të ishin vetëm në vartësi të humorit institucional të Kryesisë së ASH-së. E katërta, statusi i studiuesve do të jetë si ai Shkollave të Larta, – një institucion që nuk ekziston. E pesta, vetëm kur të jetë realizuar i gjithë kontrolli, do të propozohen ndryshime në ligj ose ligj të ri për Akademinë e Shkencave. Pra strukturë e thjeshtë. Prodho pasiguri, kontrollo, pastaj ligjëro atë që kontrolluar tashmë.

Shkurt, tashmë kushdo që dëshiron të shohë është më e qartë se cili ishte një nga qëllimet e shkrirjes së ASA-së.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular