Në rrjete sociale ka startuar, prej dy ditësh tashmë, nisma “Edhe Unë”. Ajo po bëhet virale, dhe radhët po shtohen dita ditës. Kapexhiu që bëri i pari thirrjen, deklaroi se ishte gati të dënohej, por nuk do të lejonte votime moniste duke bërë thirrje që të tjerë të bashkohen me nismën “EdheUnë”, për ndalimin e këtyre zgjedhjeve.
Pas tij aktori i njohur, Neritan Liçaj iu bashkua thirrjes duke deklaruar në të njëjtën mënyrë. “EdheUnë…s’do lejojmë që jetët tona dhe të fëmijëve tanë të nëpërkëmben dhe të bien në letargjinë e dhimbshme të vdekjes së ngadaltë të padinjitetit nga sundimi e një bande gangsterësh që s’njohin kushtetutë, të drejta, demokraci, mendim të lirë, art, kulturë, përparim, dije, qytetërim, komb dhe krenari …Por vetëm rrugaçëri dhe vjedhje!Po te doni shpërndajeni’, shprehet Liçaj. Brenda pak orëve ‘Edhe unë’, u perhap dhe u pasua me përkrahje dhe mbështetje nga artistë, gazetarë , analistë e njerëz publik, pasi sipas tyre këto zgjedhje do të ishin të njëanshme dhe jo demokratike.
Blogeri i njohur Olti Curri, nën hashtagun “EdheUne” u shpreh se skandali i përgjimeve konfirmoi gjithçka. “Edhe po nuk u dënuam nga ligjet e neodiktatures Rama, do të na dënojë Europa për shkak të kriminelëve që kanë kapur pushtetin (skandali i përgjimeve konfirmoi gjithçka), që të mos shkelim më atje duke na rikthyer vizat.”, tha Curri.
Pasues ishte gazetari Agim Xhafka që deklaroi angazhimin në këtë nismë që synon të ndërgjegjësojë për problematikën e thellë të 30 Qershorit. “Më 30 qershor unë do të shkoj në qendrën e votimit. Por do shkoj t’u tregoj të tjerëve që të mos votojnë…”, shprehet Xhafka.
Hashtagu “EdheUnë” u bë akoma më viral nga i ashtuquajturi “Njeriu i Memeve”, Genc Sejko. Sejko iu bashkua nismës “EdheUnë” të Kapexhiut për ndalimin e zgjedhjeve më 30 Qershor duke thënë se nuk do ndalet me përpjekjet për të shmangur votimet, që kanë për qëllim vrasjen e pluralizmit dhe instalimin e diktaturës në këtë datë. “#EdheUne….do bëj çdo përpjekje për të penguar votimet që kanë për qëllim vrasjen e pluralizmit dhe instalimin e diktaturës. Duke qënë se nuk më pengoni dot që të dal nga Shqipëria, merrni masa që të më pengoni që të hy”, shprehet Sejko.
Dekani i Fakultetit të Arteve të Bukura, Ardian Isufi tha se të bllokosh votimet e 30 Qershorit është më shumë se kurrë “të sfidosh votën e vjedhur”. “I nderuar Votues. Të bllokosh votimet e 30 Qershorit është më shumë se kurrë “të sfidosh votën e vjedhur”, dhe mbi të gjitha ka të bëjë me “cilesinë e demokracisë” që përfundimisht mos të tjetërsojë vullnetin tënd dhe dëshirën tonë mbare kombëtare për një Shqipëri – Europiane!”-shprehet Isufi.
Fill pas tij, radhët e intelektualëve u shtuan për nismen e moslejimit të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Piktori Avni Delvina ka publikuar në rrjetet sociale imazhin e kësaj nisme; duar të prangosura përpara Kryeministrisë, duke shkruar mbi të “Edhe unë”.
Ata kanë shpërndarë në profilet e tyre në rrjetet sociale nismën e Kapexhiut, ndërsa shprehen se janë gati t’i thonë burgut hapu. “Jo votime, jo diktaturë. Votimet plumb për demokracinë”, janë disa nga thirrjet.
Mark Marku dhe Agron Gjekmarkaj janë aty.“Jo votime! Jo diktaturë! Votimet plumb për demokracinë! Më 30 qershor me duar të pastra, pa gishta të nxirë! Këtu jam- Më dënoni! Hape burgun Rama!”, shkruan Gjekmarkaj. Kurse pedagogu Mark Marku shkruan:“Dënomëni dhe mua. Dënojini të gjithë. Qytetarët në burg. Kriminelët jashtë”.
Tjetër përkrahës i nismës është edhe ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.
“Nëse të jesh kundër kësaj klike që rri në pushtet pa zgjedhje e pa vota do të thotë burg, atëhere do ta bëj dhe atë burg! Kështu si po vjen puna burgu është bërë si ushtria, për t’u bërë është. Thirrja ime ka qenë dhe mbetet: jo zgjedhje me 30 qershor! Kush voton më datë 30, voton grushtin e shtetit dhe DIKTATURËN! Hajdeni në plazh më mirë!” shkruan ai.
Reagimet dhe mbështetësit po shtohen. Besnik Mustafaj shprehet se do të bëjë gjithçka ashtu si Kapexhiu për të ndaluar këto votime false.“EdheUnë, nuk do të votoj me 30 qershor. Edhe unë, ashtu si Bujar Kapexhiu do të bëj gjithçka është në dorën time për t’i penguar këto votime false.”-shprehet Mustafaj.
Mënyrë paksa më e veçantë ishte reagimi dhe bashkimi në nismë i shkrimtares së njohur Flutura Açka. Ajo shprehet se nuk do të votojë pasi refuzon të bëhet dorëzanë e rikthimit të diktaturës.
“#Edheunë nuk do të votoj
Sepse refuzoj të bëhem dorëzanë e rikthimit të diktaturës,
sepse e refuzoj një regjim që i ndau, i përtalli, i vodhi shqiptarët,
sepse refuzoj një sekt mavi që luan me të kuqen e flamurit tonë kur e ndjen neverinë tonë ndaj bojës së tij,
sepse nuk ka burg që më mban më brenda para së drejtës sime,
sepse Lirinë nuk na e dhuroi asnjë regjim, klikë a loser, por e fituam vetë,
sepse ne, “stoku antik i Europës”, siç shkruante më 1914 Arthur Moore, ne europianët e substancës së saj, nuk ka forcë që na vë më gardhe e tela me gjemba,
sepse të votosh këtë regjim, voton fundin e Lirisë tënde”, shkruan Açka.