Kjo fundjavë do të jetë vendimtare për të gjithë lojtarët e thirrur nga trajneri Silvinjo, në prag të ndeshjes me Çekinë që ka një rëndësi të madhe për rrugën drejt Europianit. Kuqezinjtë do të jenë të angazhuar me klubet e tyre dhe duhet t’i ruhen ndonjë dëmtimi, edhe pse deri tani ka nga ata që nuk i kanë lënë pas ende shqetësimet.
ISMAJLI- Fati i keq ndjek Ardian Ismajlin, pasi futbollisti i sapokthyer nga dëmtimi, ka pësuar një tjetër kundër Sasuolon dhe ka lënë fushën e lojës para përfundimit të ndeshjes ndaj Udinezes. Futbollisti, i dëmtuar pak ditë më parë ndaj Interit, ishte përsëri titullar në Serinë A.
Ai dhuroi një provë të mirë në prapavijën e skuadrës, deri në minutën e 75-të, kur pas një aksioni të miqve në zonë, ai u ul në tokë dhe bëri shenjë nga pankina se kërkonte ndihmën e stafit mjekësor.
Mbrojtësi mori trajtim në fushë dhe u kërkua menjëherë ndërrimi i tij, teksa futbollisti u largua vetë i dëshpëruar nga fusha e lojës, pasi shihej teksa tundte kokën vazhdimisht duke mos besuar edhe vetë këtë situatë që u krijua pak ditë pasi kishte rimarrë veten.
GJIMSHITI OK- Mbrojtësi i Atalantës la fushën e lojës në ndeshjen e Ligës së Europës për shkak të problemeve muskulore. Por mediat italiane kanë zbuluar se lojtari ka lënë pas problemet, edhe pse do të vazhdojë të jetë nën kontrollin e mjekëve të Atalantës dhe që dje është kthyer normalisht në stërvitje me pjesën tjetër të ekipit, për të përgatitur sfidën ndaj Lacios. Gjimshiti ka zhvilluar të plotë të gjithë seancën stërvitore, megjithatë mbetet për t’u parë se si mbrojtësi do ta menaxhojë sfidën e fundjavës ndaj Lacios së Elseid Hysajt.
SEFERI SHËNON- Taulant Seferi është kthyer të festojë përsëri golat me fanellën e Bani Jas në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sulmuesi ka gjetur dje rrugën e rrjetës në ndeshjen që skuadra e tij fitoi ndaj Al Uahda në kampionat.
Seferi kishte shënuar gol që në javën e dytë të kampionatit, në fundin e muajit gusht e që atëherë nuk ia kishte dalë të tundte më rrjetën me fanellën e skuadrës së tij. Ai barazoi përkohësisht rezultatin në 1- 1 në minutën e 84-t të sfidës, pas një penalltie të transformuar saktësisht.
UZUNI- Myrto Uzuni do të sfidojë Barçën sot në mbrëmje, teksa para ndeshjes, trajneri i Granadës, Pako Lopez, në lidhje me shqiptarin u shpreh: “Stafi mjekësor po e menaxhon dhe po kuptojmë kohën e rikuperimit, si dhe problemin e pubalgjisë.
Këtë javë ai ka kryer më shumë seanca stërvitore sesa javën e parë. Mjekët thonë se ai nuk ka një pubalgji shumë të avancuar dhe trajtimi që ai po i nënshtrohet pa ndërprerë stërvitjen mund të jetë i dobishëm dhe ky problem mund të zgjidhet”, u shpreh trajneri.
SHQETËSON BARE- Mesfushori, i cili është në listën e Silvinjos, nuk ishte i pranishëm në ndeshjen e para dy ditëve që Espanjoli luajti jashtë fushe. “Panorama Sport” mëson se Bare ka një shqetësim muskular dhe rrezikon ndeshjen me Çekinë. Situata e tij do të vlerësohet nga stafi mjekësor i ekipit kombëtar, kur ai të mbërrijë në Tiranë.