Në më shumë se 3 dekadat e tij në politikë, Benjamin Netanyahu ka marrë pothuajse po aq nofka sa zgjedhje ka fituar. Është quajtur “Magjistari” për aftësinë e tij të çuditshme për të rrëmbyer fitoren nga nofullat e humbjes. E kanë quajtur “Mbreti Bibi” për qëndrimin e tij në krye të politikës izraelite më gjatë se kushdo tjetër. Ka të tjerë që e quajnë thjesht “Bibi” me përkëdheli, por ajo nofkë që dhe atë vetë e kënaqte më shumë ishte “Zotëri Siguria” që tashmë duket se është shkatërruar.
Por, si shkoi gjithçka kaq keq?
Mbetet ende e paqartë se si më shumë se 1000 militantë të Hamasit arritën ta kapnin Izraelin me një befasi kaq vdekjeprurëse, duke vrarë, (siç shkroi Presidenti Isaac Herzog) më shumë hebrenj në një ditë se në çdo kohë që nga Holokausti. Tani për tani, kundërshtarët e Netanyahut nuk po bëjnë thirrje që ai të largohet. “Nuk po merrem tani me atë se kush është fajtor apo pse u kapëm në befasi”, – tha ish-kryeministri Yair Lapid, tashmë lider i opozitës. “Nuk është koha, nuk është vendi.”
Por ajo kohë do të vijë. Në të vërtetë, sipas Amit Segal, komentatori kryesor politik për televizionin “Channel 12” të Izraelit, befasia do të ishte nëse “Bibi” do t’i mbijetonte edhe kësaj lufte. “Kjo do të krijonte një precedent kombëtar” – tha ai për CNN. “Historia izraelite na ka mësuar se çdo surprizë dhe krizë çon në rënien e qeverisë. Kështu ndodhi në vitin 1973 [pas Luftës së Yom Kipurit] me Golda Meir, në 1982 me Menachem Begin në luftën e parë të Libanit dhe në 2006, me Ehud Olmert, në Luftën e dytë të Libanit. Ndaj, ora po troket.”
Historia sigurisht ofron krahasime të dobishme. Hera e fundit që inteligjenca izraelite dështoi në diçka të tillë dhe me kaq shumë viktima ishte pothuajse 50 vjet më parë në ditën kur Egjipti dhe Siria pushtuan Izraelin në Yom Kippur.
Megjithatë, ajo ishte një luftë “që ndoqi një lloj logjike normash dhe rregullash”, thotë Yohanan Plesner, president i Institutit të Demokracisë në Izrael. “Ne negociuam paqen me presidentin [egjiptian] Sadat disa vite më vonë, me mbështetjen e shumicës së Knesset. Ne nuk do të negociojmë asnjë paqe me Hamasin. Është një lojë krejtësisht e ndryshme.”
Një lloj negocimi – ndoshta përmes ndërmjetësve, si Egjipti – është i pashmangshëm. Edhe pse Izraeli po godet Gazën me sulme ajrore dhe ka vendosur një “rrethim të plotë” të enklavës dhe po përgatitet për një pushtim të mundshëm tokësor për të shkatërruar Hamasin, Netanyahu gjithashtu duhet të gjejë një mënyrë për të liruar rreth 150 pengje që mbahen nga militantët brenda Gazës.
Kjo situatë është më e vështira e Netanyahut. Pas 10 muajsh përballje me protesta kundër reformës në drejtësi, akuzave për korrupsion dhe një shtrimi në spital, Bibi është në vështirësi. Mund të jetë një ngushëllim i vogël për të që Hamasi ka arritur të ribashkojë Izraelin. “Gjëja e fundit për të cilën interesohen izraelitët tani është karriera politike e Netanyahut” – thotë Plesner, i cili shërben në rezervat e forcave speciale izraelite, ku është një major.
Vlen të kujtohet se “Bibi” është fundosur shumë herë më parë, por vetëm ai ka mundur të kthehet, si Terminator, për të mposhtur kundërshtarët e tij. Megjithatë, këtë herë duket ndryshe. Këtë herë, ai është detyruar të bëjë një luftë që nuk e zgjodhi, kur mund të jetë shpërqendruar edhe nga gjëra të tjera.
Segal thotë se ky pushtim nga Hamasi duhet të jetë planifikuar 12 deri në 18 muaj më parë kur Netanyahu ishte në opozitë. Llogaritja e gabuar ishin koncesionet ekonomike ndaj Hamasit dhe zbutja e bllokadës së Izraelit ndaj Gazës. “Në fund të fundit, është një regjim nazist që kërkon të na shkatërrojë të gjithëve. Dhe nuk mund të jetosh me një përbindësh në oborrin e shtëpisë tënde” – thotë Segal.
A janë tani në gjendje Netanyahu dhe Forcat Mbrojtëse të Izraelit të vrasin “përbindëshin” do të bëhet më e qartë në ditët dhe javët në vijim. Ai mund të ketë sukses në formimin e një qeverie “emergjente” të unitetit kombëtar që do ta izolonte atë nga çdo thirrje për të dhënë dorëheqjen.
“Një pjesë e popullsisë kërkon një përgjigje shumë, shumë më të ashpër ndaj Hamasit” – thotë Plesner duke shtuar se ata do të kërkojnë “ose ne ose ata.” Dhe këtë herë, “Zotëri Siguria” mund të dështojë t’ua japë. ©CNN,