BallinaEkonomi“Gjallërimi i ekonomisë po krijon klimë të favorshme për tregun e qirasë...

“Gjallërimi i ekonomisë po krijon klimë të favorshme për tregun e qirasë financiare”

Intervistë me Ida Shehu, Drejtore e Përgjithshme e Raiffeisen Leasing
Kërkesa në rritje nga disa sektorë të ekonomisë ka krijuar një klimë të favorshme për zhvillimin e tregut të qirasë financiare në vend. Ida Shehu, Drejtore e Përgjithshme e Raiffeisen Leasing, thotë se rritja e tregut është mbështetur nga kërkesa për financimin e automjeteve, për mjete të tjera transporti dhe makineri ndërtimi, por edhe nga rritja e investimeve të reja në makineri dhe pajisje. Sipas saj, qiraja financiare është një shërbim që lejon klientët të fitojnë akses në teknologji të reja dhe pajisje të shtrenjta pa investime të mëdha fillestare dhe kjo po ndikon pozitivisht në ekonominë lokale.

Si ka qenë ecuria e tregut të qirasë financiare vitin e kaluar dhe në pjesën e deritanishme të këtij viti?

Ecuria e tregut të qirasë financiare vitin e kaluar dhe pjesës së deritanishme të këtij viti është karakterizuar nga një rritje e ndjeshme.

Kjo ka ardhur si rezultat i rritjes së kërkesës në disa sektorë kyç të ekonomisë dhe tregon një klimë të favorshme për këtë industri në vend. Për të pasqyruar këtë ecuri, vlen të përmendim disa pika kyçe:

Rritja e portofolit të Raiffeisen Leasing Sh.a: Portofoli i Raiffeisen Leasing Sh.a. ka shënuar rritje prej 4.88% në vitin 2022 dhe një rritje prej 10.15% në gjysmën e parë të vitit 2023.

Ky është një indikator i rëndësishëm i rritjes së tregut të qirasë financiare.

Rritja e kërkesës për financim të automjeteve: Ecuria pozitive është lidhur ngushtë me rritjen e kërkesës për financim të automjeteve të reja dhe të përdorura nga individët dhe bizneset.

Kjo tregon se këto lloje të mjeteve janë të kërkuara në treg dhe qiraja financiare ka qenë një zgjedhje e preferuar për blerjen e tyre.

Rritja e kërkesës për makineri ndërtimi dhe mjete transporti të tjera: Një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e tregut të qirasë financiare është rritja e kërkesës nga bizneset për financimin me makineri ndërtimi dhe mjete të rënda transporti.

Kjo tregon se sektori i ndërtimit dhe sektori i transportit janë po ashtu në rritje.

Rritja e investimeve të reja dhe sezoni turistik: Rritja e investimeve të reja dhe sezoni turistik kanë përcaktuar rritje të kërkesës për financim.

Investimet e reja në sektorë të ndryshëm të ekonomisë kanë nevojë për burime financiare shtesë, ndërsa sezoni turistik sjell një kërkesë të shtuar për automjete dhe mjete transporti.

Si është ndikuar tregu i leasing-ut nga inflacioni i lartë dhe rritja e normave të interesit?

Në përgjithësi, rritja e normave të interesit dhe inflacioni i lartë kanë krijuar një mjedis sfidues në tregun e leasing-ut.

Megjithatë, ky sektor ka vazhduar të rritet, duke iu përshtatur kërkesave të ndryshme të klientëve dhe kërkesave të zhvillimeve në ekonomi.

Pavarësisht këtyre sfidave, ne kemi ofruar zgjidhje të përshtatshme dhe të personalizuara për klientët tanë ekzistues dhe të rinj.

Për të qëndruar konkurrues dhe për të ofruar më të mirën për klientët, kompanitë e leasing-ut duhet të jenë të gatshme të menaxhojnë këto sfida dhe të ofrojnë alternativa financiare të volitshme në një mjedis të ndryshueshëm ekonomik.

Në vitet e fundit, Shqipëria po shënon rritje rekord të numrit të turistëve të huaj. A ka sjellë rritja e turizmit efekte pozitive në tregun e qirasë financiare?

Rritja e numrit të turistëve të huaj në Shqipëri në vitet e fundit ka pasur ndikim pozitiv në tregun e qirasë financiare. Turistët e huaj kanë kërkesë të lartë për makinat me qira, që ta lehtësojnë sa më shumë qëndrimin e tyre në vendin tonë.

Kërkesa e lartë ka krijuar një klimë të favorshme për kompanitë e qirasë financiare në Shqipëri.

Si rezultat, kompanitë e qirasë financiare, përfshirë Raiffeisen Leasing Sh.a, kanë përjetuar rritje të portofolit të tyre.

Efekti pozitiv i turizmit në tregun e qirasë financiare tregon se sektorët e ndryshëm të ekonomisë mund të kenë lidhje të ngushtë dhe të ndikojnë pozitivisht njëri-tjetrin.

Rritja e tregut të qirasë financiare është një shembull i mirë i kësaj dinamike. Përveç rritjes së portofolit, konkurrenca në tregun e qirasë financiare ka rritur cilësinë e shërbimit dhe ka ofruar alternativa të ndryshme për klientët.

Kjo ka bërë që tregu të zhvillohet më shpejt dhe të ofrojë zgjidhje të personalizuara për nevojat e klientëve.

Vërehet rritje e interesit të bizneseve për të investuar në impiantet e energjisë fotovoltaike. Çfarë roli po luan qiraja financiare në këtë treg dhe a përbën financimi i këtyre impianteve një segment të rëndësishëm në biznesin tuaj?

Qiraja financiare është një element kyç në tregun e investimeve në impiantet e energjisë fotovoltaike, të cilat kanë tërhequr një interes të ndjeshëm nga bizneset në vitet e fundit.

Në rolin tonë si kompani, kemi pasur fokus të veçantë te financimi i makinave të reja elektrike, pa lënë menjanë edhe financimin e pajisjeve dhe projekteve fotovoltaike.

Jemi munduar të jemi elastik dhe të përgjigjemi ndaj kërkesës së rritur për këtë teknologji të energjisë së rinovueshme në tregun lokal dhe të ndihmojmë bizneset të investojnë në këtë fushë.

Financimi i projekteve fotovoltaike është bërë një segment i rëndësishëm në portofolin tonë të produkteve dhe shërbimeve financiare.

Nëpërmjet ofrimit të opsioneve të financimit, ne kemi ndihmuar kompanitë të shfrytëzojnë potencialin e energjisë së rinovueshme dhe të reduktojnë ndikimin e tyre në mjedis.

Në përputhje me parimet e trajtimit të drejtë dhe të qëndrueshëm, ky investim ka sjellë përfitime të konsiderueshme mjedisore dhe shoqërore.

Përfshirja jonë në financimin e impianteve fotovoltaike është pjesë e angazhimit tonë në përmbushjen e qëllimeve ESG dhe në kontributin tonë në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit.

Për çfarë qëllimesh dhe produktesh po përdoret qiraja financiare në Shqipëri?

Qiraja financiare aktualisht përdoret në Shqipëri për financimin e një game të gjerë të produkteve dhe shërbimeve, ku kategoria kryesore është për blerjen e automjeteve të ndryshme, si ato të reja, edhe ato të përdorura.

Ndërtimi është një tjetër sektor që ka përfituar nga qiraja financiare për të siguruar pajisjet, linjat dhe makineritë e nevojshme.

Përveç kësaj, pajisjet mjekësore dhe pajisjet teknologjike janë të tjera produkte të financuara nëpërmjet këtij mekanizmi.

Qiraja financiare është një shërbim që lejon klientët të fitojnë akses në teknologji të reja dhe pajisje të shtrenjta, pa investime të mëdha fillestare.

Kjo është një praktikë e zakonshme në tregun shqiptar dhe ka ndikuar pozitivisht në ekonominë lokale.

Cilat janë avantazhet tuaja konkurruese në raport me produktet e kredisë bankare?

Qiraja financiare ka disa avantazhe konkurruese në raport me produktet e kredisë bankare, duke përfshirë:

Efikasiteti dhe Shpejtësia e Aprovimit: Procedurat e miratimit dhe marrjes së qirasë financiare, sidomos për segmentin individë, janë më të shpejta dhe të lehta.

Mungesa e Kolateralit Shtesë: Në përgjithësi, qiraja financiare nuk kërkon kolateral, pasi mjeti që do të financohet është në pronësi të kompanisë (p.sh., Raiffeisen Leasing Sh.a.).

Në momentin që shlyhet e plotë qiraja financiare, pronësia i kalon qiramarrësit. Kjo zvogëlon rrezikun për klientët dhe lejon më shumë fleksibilitet financiar.

Parapagimi Fleksibël: Parapagimi i një pjese të vlerës së mjetit është i ndryshueshëm dhe varion në 10-30%, duke i lejuar klientët të përshtaten me nevojat e tyre financiare.

TVSH e Zbritshme: Për klientët biznes, TVSH që aplikohet në këste mujore është e zbritshme në pasqyrat financiare të kompanisë, në varësi të aktivitetit të tyre.

Në cilat produkte apo segmente të tregut shihni potenciale të zhvillimit të mëtejshëm të qirasë financiare në Shqipëri?

Në Shqipëri, tregu i qirasë financiare ka potencial për zhvillim të mëtejshëm në disa segmente të veçanta.

Makinat elektrike janë një prej tyre, duke pasur parasysh interesin e rritur për mjedisin dhe nevojën për alternativa të qëndrueshme në transport.

Tregu i energjisë së rinovueshme, përfshirë panelet diellore, është një fushë ku qiraja financiare mund të luajë rol të rëndësishëm për individët dhe kompanitë që dëshirojnë të investojnë në këtë teknologji.

Sektori i transportit ujor është një tjetër potencial ku qiraja financiare mund të ofrojë opsione të financimit për klientët që kërkojnë mjetet lundruese.

Ndërkohë, kompanitë dhe ndërtuesit mund të përfitojnë nga qiraja financiare për financimin e pajisjeve dhe makinerive të nevojshme për projektet e tyre.

Përdorimi i qirasë financiare për pajisjet mjekësore, pajisjet e teknologjisë së informacionit dhe telekomunikacionit është një tjetër mundësi ku tregu ka potencial për rritje, duke përmirësuar aksesin në teknologji të fundit.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular