BallinaSocialeSPECIALE/Ja aktivitetet social-kulturore, artistiko dhe sportive të mbështetura nga “Sigma” në kuadër...

SPECIALE/Ja aktivitetet social-kulturore, artistiko dhe sportive të mbështetura nga “Sigma” në kuadër të përgjegjshmërisë sociale

spot_img

Nga Mina HYSA
Sigma është një nga shoqëritë e sigurimeve lider në treg. Eshtë kompani tejet serioze në marrdhëniet me klientët, e treguar kjo mësë miri vit pas viti dhe në statistikat publike.
Nje meritë për këtë sukses ka z.Klaidi Çitozi, drejtor i Sigma Interalbanian Vienna Insurance Group Shqipëria, i cili është pjesë e kompanisë që prej vitit 2003, tetë vjet nga të cilat si anëtar i bordit, dhe që prej vitit 2016 edhe si drejtues ekzekutiv i kësaj kompanie. Ai është aktuar i certifikuar dhe me përvojë të gjatë në fushën e marrjes në sigurim. Ai është një eskpert shumë i mirë në sigurime, ndaj dhe mbikqyr departamentet kryesore teknike në kompani siç janë ai i Menaxhimit të Riskut, Marrjes në Sigurim, Risigurimeve, Aktuaristikës, Financës dhe Marketingun.
Sigma “VIENNA INSURANCE GROUP” sh.a  u themelua në 1999 dhe u regjistrua në Gjykatën e Tiranës me Vendimin Nr.20487 me datë 3 shkurt 1999. Aktiviteti i saj rregullohet nga nenet e Ligjit Nr. 9901 me datë 14 prill 2008 “Për shoqëritë tregtare”dhe Ligji Nr. 52 datë 22 maj 2014 “Për aktivitetet e sigurimit dhe risigurimit dhe ndërmjetësimin në sigurime dhe risigurime”, dhe aktet nënligjore të dala në funksion të tij. Enti rregullator për tregun e sigurimeve është Autoriteti Shqipëtar i Mbikëqyrjes Financiare. Aktiviteti i saj kryesor është ofrimi i sigurimit për mjetet motorike, pronën, shëndetin dhe sigurime të tjera jo-jetë. Në 2004 gjithashtu filloi aktivitetin e saj në Kosovë nëpermjet degës së saj.
Sigma VIG ka pasur ecuri të qëndrueshme gjatë vitit 2022. Përgjatë të cilit ju kemi shërbyer më shumë se 160.000 klientëve duke ju ofruar produktet tona dhe kemi dëmshpërblyer mbi 7.500 klientë. Dëmshpërblime që kapin shifrën e mbi 12 milion eurove.  Bazuar në përfundimet e audituese të kryera në vitin 2022, është arritur siguri e arsyeshme se aktivitetet e shoqërisë Sigma VIG, janë kryer në përputhje me kornizën ligjore për tregun e sigurimeve në Shqipëri.
Digjitalizimi i proceseve në shërbim të klientit, vazhdon të jetë një objektiv me rëndësi të lartë, sepse është një ndër prioritetet e grupit VIG, prandaj kemi synim të ecim me të njëjtin hap dhe shpejtësi në këtë drejtim. Është punuar fortë që të kemi një version të përmirësuar të aplikacionit Sivig dhe procesin e shitjes online, si nëpërmjet vetë aplikacionit por edhe ëebsite. Përgjatë vitit 2023 synojmë gjithashtu të përmirësojmë trajtimin e dëmeve motorike, në një kohë më të shkurtër si dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të mundshme, pa ndërmjetës apo proces gjyqësor.
Në 23 qershor 2023, Asambleja e Përgjithshme e Aksionerëve të Shoqërisë, dakordësuan për rikthimin e emrit të kompanisë në “Sigma Vienna Insurance Group” sh.a.
Aktivitete të mbështetura nga Sima
në kuadër të përgjegjshmërisë sociale
Suport për talentet e reja/Në kuadër të mbështetjes ndaj artit, kompania SIGMA ka vendosur të mbështesë në rrugëtimin e saj një vajzë shumë të talentuar në këndim. Ana Kodra është një artiste e re nga Tirana e cila merr pjesë shpesh në kompeticione Ndërkombëtare ku përfaqëson Shqipërinë, por sigurisht që në këtë rrugëtim të ri ajo ka nevojë për suport. E ndjejmë përgjegjësi që të mbështesim talentet shqiptare në rrugëtimin e tyre drejt suksesit dhe të tregojnë vlerat e tyre në vendin e tyre dhe jashtë tij.


Festivali Ndërkombëtar i Vokalit Operistik “Marie Kraja”/Një tjetër mbështetje e kthyer në traditë është ajo ndaj Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit Operistik “Marie Kraja”. Sigma e mbështet këtë organizim sepse është një nga eventet më interesante në fushën e artit dhe kulturës. Secili edicion sjell risi si dhe mbush sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit për dy netë fantastike plot muzikë klasike dhe spektakël. Edhe për ata që nuk munden ta ndjekin festivalin në netët live, kanalet më të ndjekura televizive në Shqipëri e transmetojnë, për ta sjellë më afër çdo shqiptari që e vlerëson artin.Ky produksion kaq cilësor dhe me vlerë për Shqipërine në arenën Ndërkombëtare të muzikës operistike, pa dyshim që do e kishte mbështetjen e kompanisë.

Seminar shëndetësie/Një formë promovimi e jetesës së shëndetshme është pa dyshim edhe mbështetja e organizimeve të formatit edukativ për punonjësit e shëndetit, mjekët etj. I tillë ishte rasti i seminarit “Basic Laparoscopy and Hysteroscopy Course”, i cili u organizua nga një ekip mjekësh me emër në Shqipëri dhe me pjesëmarrjen e disa profesorëve të shquar italianë në fushën e mjekësisë. Me mbështetjen e SIGMA, nga ky seminar përfituan jo vetëm mjekët dhe kirurgët që morën pjesë, por mbi të gjitha shëndetësia shqiptare dhe pacientët që kanë nevojë për këto ndërhyrje.
Një pemë sot, më të sigurt mot!/Një ndër problemet më madhore të qytetit ku jetojmë, është edhe mungesa e gjelbërimit të qytetit, veçanërisht në zonën ku ne zhvillojmë aktivitetin e biznesit. Nën sloganin “Një pemë sot, më të sigurt mot”, stafi i kompanisë Sigma, vendosi t’i bashkohet nismës së Bashkisë Tiranë, duke dhuruar 20 pemë dekorative te llojit ‘Bli’ për tu mbjellë në njësinë administrative nr 5. Kjo iniciativë u prit shumë pozitivisht nga banorët e zonës si dhe mori vlerësim nga Bashkia e qytetit.


Dua Lipa “Future Nostalgia”/Në Nëntor të vitit 2022, për festën e Pavarësisë së Shqipërisë, Bashkia e Tiranës organizoi një koncert madhështor me pjesëmarrjen e yllit ndërkombëtar me origjinë shqiptare, Dua Lipa. Që prej njoftimit se do të performonte përpara shqiptarëve si pjesë e turit të saj botëror, dëshira dhe emocionet e publikut sa vinin e shtoheshin për datën e koncertit.
Për një artiste globale si DUA, nuk do të mjaftonte një skenë modeste, por duhej një produksion në nivele skenash botërore që ti përshtatej formatit të saj. Kështu kompania SIGMA me shumë dëshirë u bë pjesë e realizimit të këtij koncerti edhe për të treguar suportin e saj ndaj kësaj artisteje, si një shqiptare që po korr sukses të jashtëzakonshëm, por edhe si dhuratë ndaj qytetarëve që të kishin mundësine ta ndiqnin live këtë koncert të paharrueshëm.


Siguria Rrugore (ETEC 2022)/ Siç dihet, si një kompani që operon në tregun e sigurimeve, SIGMA vazhdimisht promovon rëndësinë e sigurisë rrugore si dhe zbatimit të rregullave të qarkullimit. Në këtë kuadër, në Shtator të vitit 2022, Sigma mbështeti pjesmarrjen e ekipit shqiptar të përbërë nga katër nxënës të shkollës “Servet Agolli” në Pogradec si dhe dy trajnerë, në Konkursin Evropian Edukativ për Sigurinë Rrugore (ETEC 2022) që këtë vit u zhvillua më 24-27 Shtator në Zadar të Kroacisë. Ata dolën fitues në Konkursin Kombëtar Edukativ “Të Sigurt mbi Dy Rrota 2022” që u zhvillua në 10 qytete ku morën pjesë 88 shkolla.
Reja/Tirana është qytet shumë i bukur, por akoma më të bukur e bëjnë njerëzit që jetojnë në të. Në Prill të vitit 2022, Sigma i bën një dhuratë të veçantë kryeqytetit duke marrë përsipër të sigurojë si dhe të rijetëzojë një nga instalacionet më interesante të tij, atë që njihet si “Reja”. Një pjesë e stafit të Sigmës mori vetë personalisht në pastrimin e instalacionit “Reja” duke i dhënë mundësi kompanisë tonë të tregojë dhe një herë suportin e vazhdueshëm ndaj qytetit, e gjithashtu ndaj qytetarëve.
Tre Tenorët/Një tjetër organizim artistiko-kulturor që gëzon mbështetjen tradicionale të kompanisë tonë është “Tre Tenorët”. Ky event kaq i veçantë i muzikës operistike sjell në çdo edicion të tij, artistë nga e gjithë bota, për të performuar në salla dhe ambjente prestigjoze të Tiranës siç janë Pallati i Kongreseve, Teatri i Operas dhe Baletit, Amfiteatri etj. Prej vitesh tashmë publiku shqiptar pret me padurim te mësojë se çfarë programacioni rezervon koncerti, pasi në çdo edicion tenorët dhe artistët vijnë nga një vend i ndryshëm. Këto organizime janë porta më e mirë e komunikimit me Europën dhe botën, prandaj Sigma sigurohet që të mbështesë realizimin e tyre, në mënyrë që Shqipëria të përfaqësohet gjithmonë denjësisht.


Koncerti “Krishtlindje në Tiranë”/
Prej disa vitesh, në periudhën e festave të fundvitit, me regjinë e Sokol Gugës, realizohet koncerti “Krishtlindje në Tiranë”. Duke mos dashur ti mungojë kësaj periudhe festive, Sigma e mbështet realizimin e këtij eventi çdo vit, duke e kthyer këtë mbështetje në traditë. Ky spektakël madhështor sjell atmosferë dhe energji në shtëpitë e shqiptarëve çdo fundvit. Gjithashtu transmetohet në kanalet më të rëndësishme të televizionit shqiptar. Me pjesëmarrjen e muzikantëve më të famshëm shqiptarë, si dhe me të ftuar nga bota, spektakli Krishtlindje në Tiranë sjell çdo vit argëtim për të gjithë.
Pandemia COVID-19/Të moshuarit, gratë, fëmijët, adoleshentët, personat me aftësi të kufizuara, njerëzit që jetonin në zona larg qyteteve kryesore, përjetojnë vështirësi të mëdha dhe bëhen më vulnerabël gjatë emergjencave. Kjo ndodh për shkak të mungesës së aksesit tek shërbimet publike (si transporti publik), bllokimit total dhe sistemit shëndetësor.
Të përgjegjshëm për këtë, Sigma Interalbanian VIG vendosi të mbështesë një pjesë të njerëzve më në nevojë gjatë kësaj emergjence. Vendosëm që vështirësitë që po kalonte populli ynë ishte një çështje për të cilën duhej dhënë mbështetje. Njerëzit në të gjithë vendin janë në vështirësi, pasi shumica e bizneseve janë të mbyllura. Disa janë prekur nga kjo situatë më shumë se të tjerët. Në bashkëpunim me Fondacionin “Fundjavë Ndryshe”, u identifikuan 500 familje që jetonin në zona të largëta dhe nuk kishin akses në dyqane dhe tregje pa transport publik. Këto familje jetonin në Bashkinë Gramsh dhe Bashkinë Kamëz. Pakot që dhuruam për çdo familje përmbanin ushqime bazë dhe detergjentë për një muaj. Ne u siguruam që çdo familje të merrte mesazhin nga kompania, se si të kujdesej për veten në kohë të vështira dhe masat që duhet të merrnin. “Jetët tona janë prekur në mënyrë drastike dhe kufizimet janë të ashpra për të gjithë. Aktualisht po shohim një rritje të numrit të njerëzve që kanë nevojë për ndihmë. Mbështetja e tyre është një përgjegjësi njerëzore dhe civile. Ne kemi mbështetur kauza të ndryshme, dhe besojmë se gjatë kësaj periudhe duhet të jemi totalisht të fokusuar për të ndihmuar popullin. Falë aksionerit kryesor të VIG dhe çmimit Gunther Geyer, patëm mundësinë të ndihmonim disa njerëz edhe gjatë Pandemisë COVID – 19” – tha z. Klaidi Çitozi, CEO i Sigma Interalbanian VIG.

Një vakt për nevojtarët/“
Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.” Ky citim nga Nënë Tereza jonë, është shkruar në hyrje të strehës për të varfrit e kryeqytetit. Është vërtet frymëzues, ndaj për më shumë se një muaj, punonjësit tanë vendosën të ofrojnë ushqim për njerëzit e strehës, madje disa prej nesh ndihmuan në gatimin dhe servirjen e tij. Ka shumë njerëz që luftojnë me urinë në Shqipëri. Shumica prej tyre për shkak të gjendjes financiare në familje, por ka edhe shumë nga ata që nuk mund të gatuajnë vetë për shkak të gjendjes shëndetësore. Jemi të vetëdijshëm që këto ditë nuk ua ndryshuan jetën personave që ushqehen vazhdimisht në këtë qendër, por këtë herë përveç ushqimit u ofruam miqësi, dashuri dhe mbështetje.
SIGMA dhe FSHP/
Kompania SIGMA në mënyrë të vazhdueshme ka promovuar jetesën e shëndetshme, ku një ndikim të padiskutueshëm ka dhe sporti, i cili sjell përfitime jo vetëm fizike por edhe sociale.  Në këtë kuadër, kompania ka mbështetur Federatën Shqiptare të Peshëngritjes dhe konkretisht ekipin kombëtar, duke e pajisur me uniforma për stërvitje dhe për ndeshje.
Mbështetje për fëmijët e policëve të rënë në detyrë/Në mënyrë të vazhdueshme, SIGMA ka mbështetur fëmijët e policëve të rënë në detyrë si dhe familjarët e tyre. Në dhjetor të vitit 2019, kompania mori përsipër Sigurimin e Shëndetit për periudhën 1 vjeçare për 24 fëmijë të policëve të rënë në detyrë. Përgjatë një viti, këta fëmijë do të ishin të siguruar nëpërmjet një skeme që mbulonte check-up dhe shpenzime të tjera spitalore në spitalet më të mira private në Shqipëri.
Music – Film Tirana Festival/
Gjatë periudhës 13 – 20 Shtator 2018, në Tiranë u zhvillua një aktivitet artistik shumë interesant i cili bënte bashkë muzikën, filmat dhe gastronominë. “Music-Film Tirana Festival” u realizua tek Pazari i Ri nga Bashkia Tiranë në bashkëpunim me Ambasadën Austrike dhe një mbështetje të konsiderueshme u ofruar edhe nga kompania SIGMA. Gjatë këtyre ditëve pjesmarrësit patën mundësinë të ndjekin filmat nga vende të ndryshme të Europës.
Një ditë me fëmijët e Rrëshenit/
Ekziston një lidhje shumë e veçantë e Austrisë me Veriun e Shqipërise, dhe veçanërisht me Mirditën të cilën ata kanë përzgjedhur ta ndihmojnë dhe ta përkrahin herë pas here. Nuk ishte e paqëllimshme edhe përzgjedhja e një shoqate në Rrëshen, e cila asistonte fëmijët në nevojë, me ushqim, veshmbathje dhe edukim. Stafi i kompanisë tonë mblodhi disa kontribute, secili sipas mundësisë së tij, dhe me shumën e mbledhur arriti të organizojë një ditë ndryshe për këta fëmijë. Dita që kishim përcaktuar për këtë udhëtim nuk qëlloi me mot dhe aq të mirë. Një autobuz luksoz vajti që herët në qytetin e Rrëshenit, për të marrë këta fëmijë. Udhëtimi ishte i këndshëm dhe i rehatshëm, dhe fëmijët luajtën gjatë gjithë kohës me njëri tjetrin. Duke qënë se në momentin që mbërritën në Tiranë, moti u përkeqësua dhe filloi një shi i rrëmbyer, shëtitjen në këmbë që kishim planifikuar ta bënim në qëndër të Tiranës, e zevendësuam me shëtitje me autobus dhe më pas një vizitë në një lokal të njohur në periferi të Tiranës i cili ka lojra për fëmijët e të gjitha moshave. Fëmijët u zbavitën shumë në këtë lokal me videogames dhe aktivitete me njëri tjetrin.
Ishim në pritje të diellit, pasi hapi tjetër ishte vizita në Malin e Dajtit, dhe ai nuk vonoi të dilte. Sigurisht që mund të shkonim dhe me autobus deri atje, por ne donim ta bënim këtë eksperiencë të paharrueshme. Falë bashkëpunimit të kompanisë tonë me Dajti Ekspres, arritëm të siguronim ngjitjen me teleferik deri në malin e Dajtit. Dielli shkëlqente dhe rrugës na shoqëroi ylberi. Fëmijët shëtitën dhe luajtën, por dhe u lodhën, prandaj asnjëri nuk i tha Jo picës së në restorantin e Dajti Ekspres, të ofruar me shumë dashuri nga stafi ynë.
Fëmijët morën energji të reja dhe filluan përsëri lojën, por për fat të keq na u desh ti ndërpresim pasi kishim dhe një suprizë të fundit për ta. Do shkonim ne kinema për ta mbyllur këtë ditë të bukur. Jemi të sigurt që kjo ditë ka mbetur e skalitur në mendjen e këtyre fëmijëve. Për një pjesë të mirë të fëmijëve këto janë aktivitete të zakonshme të një fundjave, por shprehja e habisë së tyre, kur shikonin për herë të pare videogames, teleferik, kinema apo dhe picë, nuk kishte çmim.
Një ditë në familjen e Rajmondës/Rajmonda, është një zonjë që nga pamja duket e fortë dhe buzëqeshja e saj arrin të fshehë mirë të gjitha problemet në jetën e saj. Pasi shkëmben dy tre fjalë me të, e kupton që jeta nuk ka qënë shumë e lehtë për këtë zonjë dhe familjen e saj. Përveç problemeve të mëdha ekonomike, Rajmonda dhe bashkëshorti i saj, e kanë të vështirë të punojnë në çdo lloj pune për shkak edhe të problemeve shëndetësore që kanëKompania Sigma VIG, vendosi që në prag të festave të fundvitit të ndihmojë sadopak këtë familje dhe të sjellë buzëqeshjen edhe tek fëmijët e saj. Me anë të këtyre kontributeve, ata arritën të blejnë veshje, ushqime, lodra, libra si dhe një lavatriçe. Gjithashtu duke qënë se familja kishte nevojë të vazhdueshme për ndihmë, menduan që disa pula do të ishin një burim i vazhdueshëm ushqimi për këtë familje. Disa djem nga stafi, ndihmuan gjithashtu që kopshti nga pas shtëpisë ku jetonte familja, të mbillej me patate.
Ka qënë një ditë ndryshe e cila na ka bërë të gjithëve të reflektojmë thellësisht dhe të vlerësojmë shumë atë që kemi.
Në ndihmë të familjeve/SIGMA VIG në ndihmë të familjeve në nevojë në fshatin Mamël të Elbasanit. Sigma  Vienna Insurance Group iu bashkua nismës së Organizatës “Fundjavë Ndryshe”, për të ndihmuar familjet në nevojë. Me kontributin e stafit dhe të vetë kompanisë Sigma VIG, 12 fëmijëve në fshatin Mamël të Elbasanit iu mundësua transporti për në shkollë për përfundimin e këtij viti si dhe për vitin e ri shkollor 2018 – 2019. Ndër të tjera fëmijëve iu mundësuan veshmbathje, libra jashtëshkollorë dhe ushqime. Me besimin se ditë më të mira do të vijnë për këta fëmijë e familjet e tyre, dëshirojmë të falenderojmë përzemërsisht djemtë dhe vajzat e reja të Fundjavë Ndryshe, për të gjithë energjinë pozitive që përcjellin dhe rol-modelin më të shëndetshëm për të cilin ka nevojë shoqëria sot. Gjithashtu, falenderimet i shkojnë veçanërisht stafit të kompanisë, për mikëpritjen që treguan ndaj kësaj iniciative – si në vlerë materiale ashtu dhe në angazhimin e përgjegjësinë, për ta çuar këtë nisëm deri në fund. Impenjimi i secilit prej tyre për të kultivuar frymën e solidaritet tek brezat e rinj, na mbush me shenja shprese.
Dhurojmë gjak, shpëtojmë jetë!/Muaji Qershor është muaji i Dhurimit të Gjakut për fëmijët talasemikë, ndaj stafi i Sigma Interalbanian VIG vendosi të bëhet pjesë e kësaj nisme. Në bashkëpunim me shoqatën e Transfuzionit të gjakut si dhe “Fundjavë ndryshe”, u ngrit në ambjentet e Zyrave Qendrore të kompanisë një kënd i vogël por i përshtatshëm për të kryer ekzaminimet e nevojshme paraprake si dhe proçesin e dhurimit të gjakut.
Një pyetësor i kujdesshëm si dhe matjet e duhura u bënë për të gjithë personat vullnetarë. Jo të gjithë u konsideruan të përshtatshëm për të dhuruar gjak, dikush prej gjendjes shëndëtëesore të momentit dhe dikush tjetër prej anamnezës. Ekipi mjekësor u kujdes që të dhuruesit të merrnin lëngjet e nevojshme, që të mos kishte pasoja në shëndetin e stafit të kompanisë tonë.  Përgjithësisht u dhurua 400 ml gjak nga secili vullnetar, i cili përbën edhe 10% e sasisë që qarkullon në organizëm
Dhurimi i gjakut është një akt vullnetar, pa shpërblim dhe është shumë i rëndësishëm për atë që e ka nevojë jetike. Gjaku nuk mund të prodhohet në laborator, prandaj burimi i vetëm për të diagnostikuarit me talasemi është dhurimi i tij. Ishte një kontribut i vogël nga stafi i kompanisë tonë, por kënaqësia që mund të ndikosh në përmirësinim e jetës së një fëmije ishte e shumë e madhe.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular