Nga Ermal Peci
Në jetën time nuk i kam uruar askujt burgun dhe as nuk jam gëzuar kur kam dëgjuar që janë kërcitur prangat për funksionarë, të cilët kanë abuzuar me pushtetin. Shprehjen e vjetër popullore as hasmit mos ia uro burgun dhe spitalin i kam përvetësuar në mendësinë time për të bërë diferencën në logjikën e analizat e mia politike.
Ajo që ndodhi ditën e djeshme mund të ketë qenë një nga momentet më të vështira të jetës politike të Sali Berishës. Njeriu, i cili për 30 vite ka pasur pushtetin absolut në politikën shqiptare u përball me lajmin e arrestimin të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK për privatizim të jashtëligjshëm të Kompleksit Partizani dhe për pastrim parash. Sikur mos të mjaftonin vetëm këto akuza, GJKKO ka marrë dhe masën e detyrim paraqitjes për Berishën. Ajo që ndodhi më pas në selinë e zaptuar të Partisë Demokratike, ishte një prelud politik prej akuzash dhe kundërakuzash nga ana e Berishës duke sulmuar Edi Ramën dhe prokuroren e SPAK, Enkeleda Millonai për arrestime politike dhe të një drejtësie me regji. Një lëvizje politike e pritshme nga Berisha, pasi tashmë jemi mësuar me reagimet e strategjitë e tij. Shefi i Sektorit Kundër Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, Gentjan Ndoji, u paraqit mbrëmjen e së shtunës në selinë e Partisë Demokratike, për të zbatuar masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”, të caktuar nga GJKKO në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Një procedurë standarde, ku Berisha në cilësinë e të akuzuarit duhet të mbajë kontakte me Policinë e Shtetit dhe t’i dorëzojë atyre për llogari të SPAK pasaportën. Berisha po rikthen edhe njëherë tezat e regjimit edhe të komunizmit, por këto dogma politike duket sikur nuk pinë më ujë në kryeqytetin e Shqipërisë sepse në një regjim kundërshtarët e egër siç duan ta quajnë veten nuk ndërtojnë kulla dhe shtojnë pasuritë nën emra të tjerë. Tashmë ky është realiteti social, por edhe realiteti politik, kur kemi një PD të ndarë në tre fraksione, kush më e madhe, kush më e vogël, por me qëndrime politike diametrialisht të kundërta është shumë thelbësore. Partia Demokratike dhe Lulzim Basha kanë një qëndrim të pa revokuar ndaj non-gratës, e konsiderojnë SPAK jo vetëm një aleat të ngushtë për të pastruar llumin e krijuar nga trinomi politikë-krim-drejtësi, por edhe si një mekanizëm, i cili do t’i rikthejë drejtësinë e munguar një vendi, i cili lëngon prej 30 vitesh dhe do të largojë mamuthët e korrupsionit politik dhe ekonomik. Në anën tjetër kemi bashkimin e grupit të Bardhit me Berishën që ndryshojnë qëndrimet e tyre në bazë të lëvizjeve pragmatiste duke u larguar nga thelbi. Pse vajti në këtë pikë PD dhe cila ishte arsyeja? Berisha e ka konsideruar që në fillim të erës SPAK-un si SKAP-i i partisë që nënkupton varësinë nga kryeministri Rama. Tezë e cila ngre shumë dyshime kur shikon sesi SPAK ka bërë goditje të bujshme brenda PS-së dhe qeverisë Rama, nga njerëz me precedentë kriminalë që kanë mbështetur PS-në për vota. Nga Dako deri tek Ahmetaj, i cili ishte numri 2 i qeverisë. Në gjithë këto zhvillime flitet se SPAK-u sa ka prehur Shpatën e Demokleut për të goditur përsëri si majtas edhe djathtas, tek individë që kanë abuzuar me pushtetin politik dhe janë berë pengesë për zhvillimin e këtij vendi kaq të bekuar që e ka emrin Shqipëri.
Tashmë i ngelet deputetëve të Bardhit, Gjekmarkajt i cili është vetëm por ulet në tavolinë me Berishën dhe të opozitës të deklarojnë se janë pro SPAK-ut, si një organ i krijuar nga SHBA-të dhe ndërkombëtarët apo janë pro SKAP-it të Berishës. Momenti i skizmës ka ardhur, distancimi ndaj non-gratave duhej të ishte bërë me kohë, por sa të na japin një përgjigje përsa i përket qëndrimit të tyre, ne gazetarët dhe qytetarët do të jemi gjithë sy e veshë nga deklaratat e tyre